4.8 C
Prizren
E premte, 26 Prill, 2024

Raporti sekret i CIA-s në vitet 40’ për Shqipërinë ngjan si i shkruar në ditët e sotme: Jo e rëndësishme ndërkombëtarisht, por me rëndësi gjeopolitike rajonale

Nga Vitjon Nina

Një raport sekret i Agjencisë Qëndrore të Inteligjencës në SHBA (CIA) për Shqipërinë, ngjan thuajse sikur të qe shkruar në ditët e sotme, kur rreziku i ndikimit rus është i madh dhe investimi amerikan për sigurinë e rajonit, po ashtu.

Në dokumentin e siguruar nga redaksia e Albanian Post, i cili daton në vitin 1947, kur prej pak kohësh në krye të vendit kishte ardhur ai i cili do të kthehej në diktatorin më famëkeq të rajonit, Enver Hoxha, bie në sy përshkrimi politik që inteligjenca amerikane i bënte asokohe Shqipërisë.

“Ndikimi politik i Shqipërisë, resurset ekonomike dhe fuqia ushtarake, janë të neglizhueshme sa i përket sigurisë amerikane”, nis seksioni i pestë i raportit, nën përshkrimin e konsideratave strategjike që prekin sigurinë e SHBA-ve.

Në citim ekzakt të fjalëve të raportit, “rëndësia e vetme e Shqipërisë mbështetet në pozitën gjeografike të vendit”, duke theksuar se është potencialisht një zonë e mundshme për vendosjen e një baze operacionale.

Në mënyrë tërësisht identike, zhvillohet politika e jashtme dhe ajo e mbrojtjes amerikane sot në Shqipëri, ku vetëm pak muaj më parë u deklarua se baza komuniste e aviacionit ushtarak në Kuçovë, do të kthehet në bazë të NATO-s dhe do të marrë një rëndësi shumë të madhe në aspektin e sigurisë në rajon.

Në bazë të raportit, që asokohe, Amerika ka pasur synime për ndërtimin e bazës operacionale në Shqipëri.

Mirëpo, për shkak edhe të marrëdhënieve që regjimi krijoi me Perëndimin dhe afërsinë e madhe me Bashkimin Sovjetik, kurrë nuk u çua ndërmend zhvillimi i një bashkëpunimi të tillë gjeopolitik mes Washingtonit dhe Tiranës në terma gjeopolitikë.

Kjo gjë theksohet edhe në raport, pasi njihet ndikimi i lartë sovjetik mbi vendin “e vogël evropian të ndodhur në Ballkan, me dalje në detin Adriatik dhe Jon”.

Pikërisht portet shqiptare, kanë qenë shqetësim se mund të forconin pozitat e sovjetikëve dhe mbi të gjitha të ish-Jugosllavisë. Kjo, duke mësyrë në territor dhe duke përdorur gjeo-strategjikisht edhe aerodromet dhe rrugën tokësore apo detare që lidhte me Greqinë dhe Italinë.

Një skenar i mundshëm sipas amerikanëve, mund të ishte edhe inkursioni i ish-Bashkimit Sovjetik në territorin shqiptar, për të ngritur një bazë guerrile, e cila mund të zhvillonte operacione ushtarake drejt Greqisë.

Konflikti i ngjashëm i Maqedonisë në atë kohë me Greqinë, përmendet dhe paralelizohet me konfliktin për zonën e Epirit. Për shkak të kësaj qasjeje “urrejtjeje” mes dy vendeve për çështjen çame, zhvillimi i bazave sovjetike guerrilase ishte i mundur për amerikanët.

Në mbyllje të këtij seksioni të raportit, përmendet edhe fakti se si faktori shqiptar dhe kontrolli i mundshëm që Bashkimi Sovjetik kishte nëpërmjet aleancës së kohës me Shqipërinë, ishte një faktor i konsiderueshëm sa i përket rajonit dhe një avantazh për sovjetikët, por nuk ishte një faktor i rëndësishëm sa i përket balancës së fuqive ndërkombëtare.

Kjo pjesë e dytë e përshkrimit në dokumentet sekrete të CIA-s në vitin 1947, mbetën sigurisht në letër, pasi marrëdhëniet me BS-në u prishën formalisht në dhjetor 1961.

Pas kësaj kohe, vendi shkoi në një mbyllje hermetike karshi diplomacisë së huaj dhe raporteve mes Tiranës dhe Vendeve të tjera.

Shënim/ Raporti i 15 gushtit 1947 nga CIA për Shqipërinë është deklasifikuar më 6 janar 1981 dhe mund të përdoret për botime shtypi. Kjo është pjesa e parë e disa dokumenteve, të cilat do të publikohen nga Albanian Post prej këtij raporti.

/Albanianpost.com

Më Shumë

Pse e ndërpreva seksin për një vit!

“Në mars të vitit 2018, ndalova seksin. Vendosa që për një vit të mos bëj seks apo ndonjë gjë që lidhet me të.” Francisco...

Malishevë/ Në 25-vjetorin e rënies u përkujtua dëshmori Brahim Morina

Në 25-vjetorin e rënies në altarin e lirisë, u përkujtua dëshmori i kombit, Brahim Morina, nga fshati Drenoc. Në përkujtim të rënies së tij,...

Lajmet e Fundit