Rinia Demokratike e Kosovës (RDK) sot ka përkujtuar ditëlindjen e profesorit dhe veprimtarit, Ukshin Hoti, në Krushë të Madhe.

Përmes një statusi në rrjetin social në Facebook kryetari i RDK-së, Donjet Bislimi ka shprehur brengën për fatin e pagjetur të profesor Hotit.

Bislimi tha se përmes vizitës që ia bën Krushës së Madhe , RDK-ja shënon ditëlindjen e profesorit Hoti, si dhe siç deklaroi ai në këtë ditë rikujtojnë të gjithë ata që zotoheshin se fati i të pagjeturve do të jetë prioritet i përgjegjësive të tyre.

Lexoni më poshtë statusin e tyre të plotë:

Ne të rinjtë e Partisë Demokratike të Kosovës, kemi ardhur këtu në Krushë dhe pastaj tek Universiteti në Prizren, për të shënuar në mënyrë simbolike ditëlindjen e kolosit të mendimit politik e filozofit të lirisë së Kosovës, profesorit të nderuar, Ukshin Hotit.

E kujtojmë çdo ditë, deri sa studiojmë dhe mbledhim dije, mësojmë shkencën, mësojmë për punën dhe për jetën që aq shumë i deshti profesori ynë. Sa shumë e deshti lirinë dhe kombin e tij.

Çdo ditë, deri sa mësojmë e punojmë për atdheun me atdhedashuri, kemi me vete mësimet me vlerë të profesorit tonë, dijetarit të jashtëzakonshëm, i cili i dha argument zhvillimit të mëtejmë të vendit, nga robëria në liri me amanetin e tij të madh për brezat: Bëje ose vdis!

Pranë popullit të tij, u edukua dhe me vepra ndriçoi rrugën për brezat, duke e parë lirinë të pandashme nga ekzistenca jonë. Prandaj, ai mbetet filozofi i lirisë tonë, filozofi i kombit tonë. Asnjë masë represioni nga okupatorit nuk mundi ta ndal, ai ishte i pathyeshëm.

Sot jemi këtu për të shprehur nderimin tonë të thellë për jetën dhe veprën madhore të Profesor Ukshin Hotit, me qëllim të përmbushjes së detyrimit moral për ditëlindjen e kolosit të filozofisë kombëtare, Ukshin Hotit duke e përkujtuar se gjithmonë është në mesin tonë me mësimet e vyera si duhet atdheu e si duhet kombi.

Nga këtu, duam të japim mesazhin tonë dhe brengën se ende nuk e kemi të vërtetën e plotë për fatin e tij. Ne ende nuk e dimë se çka ka ngjarë ditën e lirimit nga burgu i Dubravës.

Fati i tij dhe mijëra të pagjeturve tjerë, është plaga jonë e hapur, edhe pse vendi ynë është çliruar dhe është shtet i pavarur. Veprat e krimit dhe gjenocidit serb në Kosovë, ende nuk janë gjykuar nga drejtësia.

Sot, ne rinia nga krejt Kosova, e kujtojmë me nderim të jashtëzakonshëm profesorin tonë i cili na ligjëron me veprat e tij për shtetin dhe të ardhmen, të lidhura ngushtë në mes të jetës, veprës dhe fatit të Profesor Ukshin Hotit.

Sot, ne shënojmë ditëlindjen e profesorit tonë, por është edhe rikujtesë për të gjithë ata që zotoheshin se fati i të pagjeturve do të jetë prioritet i përgjegjësive të tyre.

Sot e çdo ditë, përkulemi me nderim para jetës e veprës madhore të profesorit tonë, Ukshin Hoti, duke rikujtuar ndër breza se sa e çmuar është liria.

Lavdi e përjetshme për profesorin Ukshin Hoti!

Lavdi e nderim të gjithë heronjve, dëshmorëve dhe martirëve të kombit!