I dyshuari për vrasjen e një 18-vjeçari dhe plagosjen e një tjetri, është ende në arrati. Policia ka arrestuar tre persona që dyshohet se bashkëpunuan me dorasin i cili është i njohur për organet e rendit.
Dhimbja e familjarit të viktimës Flamur Bogës është e madhe. Babai i tij rrëfen se madje ai para pak ditësh u nis nga rruga që kishte marrë për në Hungari.
“I thashë shyqyr bre birë që u ktheve, bile ma mirë këtu”, rrëfen për Klan Kosovën, babai i viktimës.
Viktima dhe dorasi janë të afërm mes vete. Klan Kosova ka marrë vesh se dy familjet ka kohë që kishin probleme ndërmjet vete.
E tërë ngjarja ndodhi mbrëmë rreth orë 16 e 15 në vendin e quajtur Gryka e Caralevës. Hetuesia e Prizrenit edhe të dielën dolën për të bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes.
Mësohet se dorasi është Azem Boga, i cili para gjashtë muajsh kishte kryer një grabitje të armatosur në një pompë benzine, ndërkaq një vit më parë kishte shtënë me armë në drejtim të disa personave të tjerë.
Klan Kosova ka kontaktuar edhe me prokuroren kujdestare, Nazan Shero, por ajo nuk dhënë detaje rreth veprave penale të kryera nga dorasi më parë. Megjithatë, tha se është duke përgatitur kërkesat për paraburgim për tre të arrestuari, ndërsa puna për kapjen e dorasit është duke vazhduar. /Klan Kosova/