38.7 C
Prizren
E hënë, 21 Korrik, 2025

Serbët tonë

IMER MUSHKOLAJ

Serbët kosovarë nuk duhet parë si aleatë të Beogradit, në përpjekje për ta shkatërruar shtetësinë e Kosovës. Qeveria e Kosovës duhet të vendosë një dialog të brendshëm me ta dhe të mos i jep mundësinë Beogradit që t’i manipulojë dhe të marrë vendime në emër të tyre. Shqiptarët si shumicë kanë përgjegjësi për ta, siç duhet ata të kenë përgjegjësi për shtetin në të cilin jetojnë

Serbët e veriut të vendit, të cilët duan të marrin patentshoferë të Republikës së Kosovës, nuk e kanë këtë mundësi. Qeveria e Kosovës nuk ka hapur asnjë zyrë në veri, në të cilën qytetarët që jetojnë në atë pjesë mund t’i kryejnë këto shërbime.

Ky është vetëm një shembull i thjeshtë, por mjaft domethënës, për të treguar se sa institucionet kosovare janë të përkushtuara për integrimin e vërtetë të serbëve që dëshirojnë të jetojnë në Kosovë dhe që e pranojnë Kosovën shtet. Në mungesë të një zyre të tillë, serbëve të veriut iu mbetet si zgjidhje të pajisen me dokumente të Serbisë, të cilat pastaj nuk njihen nga Prishtina.

Këtë shqetësim dhe të tjera si ky i ka paraqitur para pak ditësh në Prishtinë një aktiviste e shoqërisë civile nga veriu i vendit, teksa ka folur për integrimin e serbëve në institucionet dhe shoqërinë kosovare. Ata nuk mund të jetojnë gjatë gjithë kohës të varur dhe peng i Beogradit, andaj duhet bërë sa më shumë përpjekje që të ndihen si të gjithë qytetarët tjerë të Kosovës, me kujdesin dhe përgjegjësinë e shtetit të ri.

* * *

Gjatë gjithë javëve të fundit, kur politika dhe mediat krijuan një psikozë lufte në Kosovë, kjo nuk ndikoi tek serbët e veriut. Pavarësisht përpjekjeve për të krijuar situata të paqena dhe ndjenjë pasigurie, këto nuk janë reflektuar në jetën e përditshme të serbëve, e as në marrëdhëniet e tyre me popullatën shumicë, shqiptarët.

Serbët kosovarë e përjetojnë ndryshe qasjen e politikës kosovare, e ndryshe disponimin e shqiptarëve. Andaj edhe integrimi i tyre duhet të zhvillohet në dy rrafshe: atë politik dhe atë shoqëror.

Integrimi politik, juridik, institucional është në interesin e tyre, në përfitimin e të drejtës për t’u trajtuar të barabartë me të gjithë të tjerët. Ky integrim do të forcohej edhe më shumë po që se Beogradi do t’i ndalte përfundimisht pagat për ta dhe të gjithë të punësuarit në arsim, shëndetësi etj. të paguheshin nga Prishtina. Në këtë mënyrë do të rritej përgjegjësia e instiucioneve kosovare karshi tyre, sikurse edhe përgjegjësia e tyre karshi institucioneve.

Qeveria e Kosovës ka dështuar që me serbët të vendos një dialog të brendshëm, të domosdoshëm, në mënyrë që t’i zgjidhë problemet. Në vend të kësaj, Prishtina ia ka mundësuar Beogradit që të bisedojë e të marrë vendime në emër të tyre. Kjo është e rrezikshme.

Serbët kosovarë janë qytetarë të shtetit të Kosovës dhe iu takon institucioneve përkatëse të kujdesen për ta. Shqiptarët janë shumicë dhe iu takon të përkujdesen për pakicat, në këtë rast edhe për serbët. Serbët nuk duhet parë si aleatë të Beogradit në përpjekje për ta shkatërruar shtetësinë e Kosovës. Ata duhet parë si qytetarë të këtij vendi të cilët, me angazhim të sinqertë të institucioneve, mund të kthehen në qytetarët lojalë.

* * *

Problemi më i madh i institucioneve në raport me serbët kosovarë është ndërtimi i besimit. Për shkak të gjithë asaj çfarë ka ndodhur, serbët kanë pak besim në gjithçka që ka të bëjë me shtetin e Kosovës. Andaj duhet të punohet shumë në këtë aspekt, në mënyrë që ata të binden se Kosova është shtet edhe i tyre. Kjo mund të arrihet me angazhimin më të madh të të gjithëve, me qasje konstruktive e gjithëpërfshirëse, e jo me qasje përjashtuese.

Serbët tashmë janë pjesë e institucioneve, edhe e atyre të sigurisë. Në këtë mënyrë ata po japin kontributin e vet, kontribut ky që do të rritet viteve në vazhdim. Por, më e rëndësishmja është që ata të mos shihen si armiq të shtetit të Kosovës, por si shtetbërës. Të shihen si njerëz që kanë zgjedhur të jetojnë në Kosovë – nëse jo bashkë me shqiptarët dhe të tjerët, së paku pranë shqiptarëve dhe të tjerëve.

Çështjet e brendshme diskutabile dhe problemet me serbët, institucionet e Kosovës duhet t’i zgjidhin në bashkëpunim dhe në marrëveshje me ta. Për to duhet të vendoset në Prishtinë. Nuk ka kurrfarë arsye që për të tilla çështje të diskutohet me Beogradin, aq më pak në Bruksel.

Natyrisht, Beogradi e ka të drejtës që të interesohet dhe t’i ndihmojë serbët kosovarë, por kurrsesi t’i kthejë në “mish për top” për interesa të veta.

Prishtina ka interes që serbët të ndihen qytetarë të barabartë të këtij vendi. Shqiptarët e kanë një interes të tillë. Kjo është e mundshme – vetëm duhet më shumë angazhim e sinqeritet. Më shumë seriozitet. Serbët janë tonët, të Kosovës, jo të Serbisë./Gazeta Express/

Më Shumë

Aksioni anti-kontrabandë në Vërmicë, arrestohen oficeri doganor dhe transportuesi i mallrave

Një oficer doganor dhe një transportues mallrash janë arrestuar sot në Vërmicë, në një aksion Anti-kontrabandë. Të dy janë ndaluar për 48 orë. Doganieri dyshohet për...

Lypësarët po e dëmtojnë imazhin e qytetit të Prizrenit

Prizreni, i njohur për mikpritjen, trashëgiminë kulturore dhe bukuritë historike, po përballet me një shqetësim të vazhdueshëm që, sipas komunitetit afarist, po e zbeh...

Lajmet e Fundit