7.9 C
Prizren
E diel, 11 Maj, 2025

Serbia bllokon zhvarrimet në Rashkë

Varreze masiveJo pak keqtrajtim i ishin bërë palës kosovare gjatë përpjekjeve për të zbuluar varrin masiv në Rashkë të Serbisë. Fillimisht pala serbe i kishte mohuar krejtësisht dyshimet dhe vetëm pas sjelljeve të imazheve satelitore të periudhës së luftës, shteti serb u detyrua që të lejojë gërmimet në zonen që sot është e mbuluar me beton e objekte të tjera.

Por kur varreza masive është gjendur, një tjetër sfidë nisi për autoritetet kosovare dhe familjarët e viktimave të mundshme. Beogradi zyrtar refuzoi që mbetjet mortore të viktimave të zbuluara së fundmi të sillen në Prishtinë për autopsi, duke lënë në pikëpyetje nëse pala kosovare ka të drejtë të jetë apo jo e pranishme në procesin e zbulimit të trupave.

“Këtu është Serbi, funksionojnë ligjet e shtetit serb dhe nuk ka as Amerikë dhe as EULEX”, citohet të ketë thënë gjyqtari serb nga drejtori i Departamentit të mjekësisë ligjore, Arsim Gërxhaliu, në takimin e radhës së komisionit qeveritar për personat e pagjetur, transmeton TCH.

Kjo qasje është e papranueshme për palën kosovare, e cila kërkoi zyrtarisht nga Beogradi që të lejojë jo vetëm prezencën e palës kosovare dhe ndërkombëtare gjatë gërmimeve, por edhe gjatë kryerjes së autopsisë në institutin e Begoradit. Në të kundërt, proçedurat e verifikimit do të kryhen edhe në Prishtinë.

Festat e fundvitit dhe periudha e dimrit çuan në ndërprerjen e punimeve në Rashkë dhe duhet një vendim tjetër i palës serbe për të vazhduar puna.

Përfaqësuesi ndërkombëtar i Departamentit të mjekësisë ligjore kërkon që objekti, i cili dyshohet se u ndërtua mbi trupat e shqiptarëve të vrarë, të zhvendoset. Ai kërkoi që mbetjeve mortore të zbuluara t’u bëhet sa më shpejt autopsia jo vetëm për të përmbushur aspektin humanitar, por edhe atë hetues.

Të shqetësuar janë familjarët e të pagjeturëve, të cilët shprehen hapur se kanë dyshime në fshehjen e trupave nga Beogradi nëse pala kosovare dhe ndërkombëtare nuk lejohen të marrin pjesë në proces.

Autoritetet në Prishtinë shprehen të rezervuara përsa i përket numrit të viktimave, por thuhet se është një numër i madh i mbetjeve mortore. Deri më tani është thënë se janë zbuluar katër trupa. Autopsia e tyre po kryhet në Beograd.

Më Shumë

Landovica, fshati i bashkuar për një mjedis më të pastër

Sot, banorët e fshatit Landovicë  të Prizrenit, organizuan një aksion pastrimi që rezultoi me largimin e një sasie të madhe mbeturinash nga qendra e...

Drini i Bardhë, kampion pa humbje – ngre kupën mes festës bardh e blu

Drini i Bardhë e përmbylli sezonin 2024/25 në mënyrën më të mirë të mundshme: si kampion absolut i Ligës së Tretë, pa asnjë humbje...

Lajmet e Fundit