14.8 C
Prizren
E enjte, 19 Shtator, 2024

Serbia, pa gatishmëri për ta zgjidhur fatin e të pagjeturve

Te pagjeturit nga luftaFamiljarët e personave të pagjetur janë duke e përcjellë me vëmendje çështjen e kërkimeve në Rudnicë të Rashkës.

Nesrete Kumnova, kryetare e Organizatës “Thirrjet e Nënave” nga Gjakova, një ndër qytetet kosovare më të goditura gjatë luftës, duke folur për Radion Evropa e Lirë vlerëson se gërmimet në Rashkë janë të vonuara, për faktin se, sipas saj, veprimet e ish regjimit të Serbisë kanë qenë të organizuara dhe se shteti serb, siç thotë ajo, i ka të gjitha skicat e vendvarrimeve të shqiptarëve të rrëmbyer dhe të vrarë gjatë luftës.

Ajo shpreh indinjatën dhe revoltën e familjarëve të personave të pagjetur, lidhur me mënyrën se si janë varrosur më të dashurit e tyre.

“Kjo çështje është kaq e dhembshme. Është shumë rëndë kur familjet shohin duke gërmuar në Rashkë të Serbisë, ku edhe i kishin asfaltuar trupat e tyre. Kjo është shumë rëndë dhe e dhembshme për ne. Unë mendoj se duhet me qenë e prekshme dhe e dhembshme për gjithë popullatën shqiptare dhe ato ndërkombëtare”, tha Kumnova.

Ajo ka kritikuar Qeverinë e Kosovës pse nuk e ka parashtruar çështjen e personave të pagjetur si temë të bisedimeve në dialogun me Serbinë në Bruksel.

“Qeveria e Kosovës dhe Qeveria e Serbisë po bisedojnë në Bruksel pa e pasur prioritet zbardhjen e fatit të të pagjeturve. Sikur ta kishin pasur institucionet tona prioritet njerëzit e humbur, të zhdukur, të rrëmbyer nga ish pushteti kriminel serb, do të ecte çështja më shpejt dhe ish zbardhur fati i më të dashurve tanë”, u shpreh Kumnova.

Në anën tjetër, Natasha Kandic, ish drejtoreshë e Fondit për të drejtën humanitare në Serbi, thotë për Radion Evropa e Lirë se Serbia ende nuk ka treguar gatishmëri që të hulumtojë deri në fund të gjitha lokacionet për të cilat ka dyshime se ekzistojnë varreza masive, të cilat fshehin trupat e shqiptarëve të vrarë.

Ajo thotë se çështja e varrezave masive është hapur në Serbi që në vitin 2000 në kuadër të përgatitjeve për arrestimin dhe dërgimin në Hagë të Slobodan Milosevicit, ish kryetarit të Serbisë i akuzuar për krime lufte.

Atë kohë janë gjetur varrezat masive në Batajnicë, Petrovo Selo dhe Peruqë. Se a paraqesin gërmimet në Rashkë ndërprerje të bllokadës shumëvjeçare të punimeve për gjetjen e varrezave masive, Kandic thotë: “Nuk besoj. Unë mendoj se ky është rifillim i punës në Rudnicë dhe se kjo është pasojë e presionit të EULEX-it dhe situatës që imponon marrëveshja e Brukselit. Përndryshe, pikërisht eks-humimi i lokacionit të varrezës në Rudnicë, tregon se sa prokuroria e ka zvarritur këtë çështje”, theksoi Kandic.

Ditën e premte, me 13 dhjetor, në Rudnicë të Rashkës janë gjetur mbetjet mortore, pas hetimeve që janë bërë në bazë të urdhrit të Prokurorisë për krime lufte të Serbisë, me ndihmën e Ministrisë së Brendshme të Serbisë.

Gërmimet janë bërë me praninë dhe ndihmën e grupit të ekspertëve të Departamentit të mjekësisë ligjore të Kosovës, si dhe me praninë e anëtarëve të Komisioneve për personat e pagjetur të Kosovës dhe të Serbisë, të Komisionit ndërkombëtar për personat e pagjetur, si dhe misionit evropian për sundimin e ligjit, EULEX.

Ndryshe, sipas të dhënave zyrtare, të publikuara në gusht të këtij viti, në Kosovë llogariten ende si të pagjetur 1,727 persona, që nga periudha e luftës së fundit.

Përfaqësuesit e familjarëve të personave të pagjetur, thonë se ky numër aktualisht ka rënë në 1.721.

Duke u bazuar në deklaratat e mëhershme të prokurorit serb për krime lufte, Bruno Vekaric, në varrezat masive në Rudnicë të Rashkës, pritet të jenë 250 deri në 450 viktima, për të cilët ekzistojnë dyshimet se janë vrarë nga forcat serbe në luftën e fundit në Kosovë. /REL/

Më Shumë

Pira rrëmben çmimin ‘Ylli i javës’

Federata e Futbollit të Kosovës dhe sponsori i Superligës, Albi Mall, vazhdojnë të ndajnë çmimin “Ylli i javës”. Ky çmim për javën e pestë...

Sabri Fejzullahu, këngëtari i pranverës së Prishtinës, sot mbush 77 vjet

Sabri Fejzullahu i takon gjeneratës së vjetër të këngëtarëve i cili ka arritur që edhe në kohën e re të zë vendin e vet...

Lajmet e Fundit