20.4 C
Prizren
E hënë, 21 Korrik, 2025

SHATK kërkon anulimin e konkursit për drejtor artistik të TKK-së

TKKBordi Ekzekutiv i Shoqatës së Artistëve të Teatrit të Kosovës (SHATK) vlerëson se shpallja e Konkursit për zgjedhjen e Udhëheqësit Artistik të Teatrit Kombëtar të Kosovës nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) dhe, më pas, shtyrja e tij edhe për një javë për shkak të mungesës së kandidatëve të mjaftueshëm brenda afatit kohor të përcaktuar ligjërisht, është reflektim i gjendjes së mjerë, të pashpresë e kaotike në të cilën, që prej disa vitesh, është katandisur ky institucion artistik e kulturor qendror.

Në vijim është kumtesa e plotë e SHATK përkitazi me Konkursin për zgjedhjen e Udhëheqësit Artistik të Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Në vazhdën e veprimit e të përpjekjeve të tij për monitorimin, vlerësimin dhe ndryshimin cilësor të gjendjes ekzistuese në skenën teatrore vendore, Bordi Ekzekutiv i Shoqatës së Artistëve të Teatrit të Kosovës (SHATK) vlerëson se shpallja e Konkursit për zgjedhjen e Udhëheqësit Artistik të Teatrit Kombëtar të Kosovës nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) dhe, më pas, shtyrja e tij edhe për një javë për shkak të mungesës së kandidatëve të mjaftueshëm brenda afatit kohor të përcaktuar ligjërisht, është reflektim i gjendjes së mjerë, të pashpresë e kaotike në të cilën, që prej disa vitesh, është katandisur ky institucion artistik e kulturor qendror, gjë që, për rrjedhojë, ka shkaktuar jo vetëm mosbesimin e artistëve në transparencën, paanshmërinë dhe mbarëvajtjen e këtij procesi, por, krejt natyrshëm, edhe iritimin dhe refuzimin e tyre të ligjshëm për identifikim me konkurset dhe praktikat e deritashme pështjelluese, të njëanshme e manipulative.

Bordi Ekzekutiv i Shoqatës së Artistëve të Teatrit të Kosovës (SHATK), gjithashtu, vlerëson se ecuria e këtillë e këtij procesi është shprehje e krizës së thellë artistike, morale, profesionale dhe institucionale të Teatrit Kombëtar të Kosovës, imazhi dhe reputacioni i të cilit, për shkak të politikave të mbrapshta të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), të karakterizuara me politizim, me konkurse manipulative, me instalim të frymës klanore e destruktive, si dhe me trajtim të padinjitetshëm të institucioneve kulturore, tashmë është rrënuar pothuaj krejtësisht.

Bordi Ekzekutiv i Shoqatës së Artistëve të Teatrit të Kosovës (SHATK) konsideron se përpjekja për realizimin me çdo kusht dhe përmbylljen e këtij Konkursi përkundër numrit të pamjaftueshëm të kandidatëve gjatë afatit të parë kohor dhe, pas shtyrjes së tij, me konkurimin e disa kandidatëve jocilësorë, në të vërtetë, ngjashëm me farsën e Konkursit të aranzhuar e të manipuluar për zgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm, është përpjekje e sërishme e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) për politizimin, manipulimin dhe survejimin e këtij procesi e, përmes tij, për kompletimin e tërësishëm dhe përmbylljen e misionit për degradimin dhe rrënimin e përgjithshëm artistik e profesional të Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Bordi Ekzekutiv i Shoqatës së Artistëve të Teatrit të Kosovës (SHATK) vlerëson se komuniteti artistik teatror kosovar posedon me kapacitete të mjaftueshme artistike e profesionale për përfaqësimin e tij institucional dhe, në këtë kontekst, përbërjen e tanishme të kandidatëve për Udhëheqës Artistik të Teatrit Kombëtar të Kosovës, në mesin e të cilëve ka edhe anëtarë të stafit politik të njërës nga Ministritë e Qeverisë së Republikës së Kosovës, e konsideron të paligjshme dhe, në pjesën e tij më të madhe, të pamjaftueshme, joadekuate, jocilësore dhe jopërfaqësuese.

Në funksion të tejkalimit të kësaj gjendjeje me pasoja të rënda për të sotmen dhe të ardhmen e teatrit kosovar, Bordi Ekzekutiv i Shoqatës së Artistëve të Teatrit të Kosovës (SHATK) fton Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), që, në mungesë të konkurencës së dinjitetshme e kredibile, si dhe duke respektuar standardet artistike e profesionale dhe praktikat e teatrove kombëtare regjionale e europiane në përcaktimin dhe përzgjedhjen e Drejtorit Artistik, të anulojë Konkursin për zgjedhjen e Udhëheqësit Artistik të Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe, pas ekzaminimit profesional të gjendjes ekzistuese, të krijojë kushte dhe atmosferë të favorshme, tërheqëse e relaksuese për shpalljen e një Konkursi të ri me numër të mjaftueshëm kandidatësh dhe me kandidatë seriozë, kredibilë, të përgjegjshëm dhe me integritet e dinjitet artistik e profesional në fushën e teatrit.

Shoqata e Artistëve të Teatrit të Kosovës (SHATK), si e vetmja shoqatë përfaqësuese me karakter profesional, është e gatshme që, përmes ideve, potencialit, kapaciteteve dhe resurseve të saj njerëzore profesionale, të veprojë dhe të ndihmojë në mënyrë të drejtpërdrejtë në shtendosjen e atmosferës dhe në krijimin e kushteve për një garë të dinjitetshme në kuadër të një Konkursi me kandidatë kredibilë, si dhe me kritere e standarde kredibile për zgjedhjen e Udhëheqësit Artistik të Teatrit Kombëtar të Kosovës, i cili, falë pozitës përfaqësuese, përkatësisht rëndësisë dhe përgjegjësive të kësaj pozite, duhet të posedojë me aftësi, kapacitete, afinitete dhe integritet të mjaftueshëm profesional për ta merituar privilegjin e të qenit ideator, kreator dhe disenjator i fizionomisë e identitetit artistik të një teatri.

Më Shumë

Gjakova për herë të parë mbështet Shkollën Verore Ndërkombëtare në Prizren

Komuna e Gjakovës i është bashkuar për herë të parë si bashkëfinancuese edicionit të katërt të Shkollës Verore Ndërkombëtare, që po zhvillohet në Universitetin...

Liria udhëton në Tiranë për përballjen miqësore ndaj 26 herë kampionit të Shqipërisë

Liria e Prizrenit do të zhvillojë një ndeshje miqësore ndaj Tiranës, klubit më të suksesshëm në historinë e futbollit shqiptar, raporton PrizrenPress. Përballja do të...

Lajmet e Fundit