10.2 C
Prizren
E diel, 2 Shkurt, 2025

Sherife Luta, gruaja simbol e eksodit të Kosovës

Thonë se një fotografi vlen sa njëmijë fjalë. Është një moment i kapur nga aparati i fotografit boshnjak të agjencisë Reuters, Damir Sagolj, që e ktheu Sherife Lutën nga Kosova në simbolin e refugjatëve kosovarë të Bllacës së Maqedonisë 18 vite më parë.

Sherife Luta asokohe ishte 22 vjeçe dhe mbante në gji vajzën e saj 6-muajshe, Besën. Ditën e 8 marsit 1999, ajo ishte një grua që doli nga shtëpia me foshnjën dhe babanë e saj për t’i shpëtuar granatimeve të serbëve në fshatin Ivajë në Kaçanik të Kosovës.

Bashkëshorti iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare, së bashku me burrat e tjerë të rinj e të fuqishëm.

Ndërsa Sherifja, një nënë e re, e paveshur, me pelenën e vajzës në kokë, e pangrënë, në një mot të ftohtë e me dëborë, eci për afro një muaj të tërë në këmbë me mijëra banorë te tjerë që po përpiqeshin t’i shpëtonin luftës. Deri në datën 3 ose 4 prill, kur u shkrep dhe fotografia që hyri në histori.

Duke folur për herë të parë për një televizion shqiptar, protagonistet e fotografisë, Sherife dhe Besa Luta, kanë rrëfyer vështirësitë e atij rrugëtimi dhe habinë kur kanë parë foton.

“Pasi kishim ecur 24 orë pa ndërprerje, vajza ngriu dhe nuk qante më. Kishte ngrirë. Mendova që kishte vdekur. E mori kunata ime dhe e futi në furrë të sobës të një shtëpie në Bllacë.

Pas dhjetë minutash nisi të qante dhe refugjatët e tjerë nisën të duartrokisnin. Aty nisa të qaj. Kisha shumë emocione”, tregon e përlotur Sherife Luta.

Ajo tregon gjithashtu se si, gjatë eksodit, shumë njerëz i humbnin ndjenjat, rrinin ditë të tëra pa ngrënë, madje ka pasur dhe gra që kanë lindur maleve. Ato i janë mirënjohëse fotografit boshnjak.

“Do të donim ta takonim fotografin dhe ta falenderonim. Habitem si e ka kapur këtë foto që ka tronditur botën”, thotë Besa.

Përveç fotografisë, ata e ruajnë edhe sot e kësaj dite edhe batanijen që e mbështillte Besën atë ditë.

Më pas, pjesë e intervistës është bërë edhe kryefamiljari Mirvat Lutaj, invalid i luftës së Kosovës.

Ai tha se ishte shumë e vështirë të ndahej nga gruaja dhe nga vajza dhe thekson se lufta ka kosto dhe sakrifica. Pasi u ritakuan, në qershor, familja Lutaj e ndërtoi një shtëpi te re në Kaçanik të Vetër dhe u shtua edhe me dy djem.

Tashmë ato ditë të vështira mbijetese kanë mbetur pas. Vendin e ftohtësisë dhe frikës, e kanë zënë pranvera dhe paqja.

Më Shumë

Abdixhiku mbetet pa fjalë nga pritja në Piranë të Prizrenit: Po i jepni shpirtë e mbështetje fitores sonë të madhe

Kandidati për kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, është pritur me entuziazëm nga mbështetësit në fshatin Piranë të Prizrenit. Në një postim...

Policia shqiptoi 2039 gjoba trafiku për 24 orë

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se brenda 24 orëve të kaluara ka shqiptuar 2039 gjoba në trafik. Sipas raportit të policisë, gjatë 24...

Lajmet e Fundit