‘I zoti i shpis’, ka vendos për krejt familjen. Kur me shku në shkollë, kur me e ndalë shkollën, çka me punu, kur me u martu… Veç një burrë mund të jetë zot shtëpie, gratë janë ato që merren vetëm me pastrim dhe rritjen e fëmijëve. Kështu thoshte kanuni, asokohe kur gjithçka bëhej sipas tij.
Në vitin 1972, të rralla janë ato gra që kanë guxuar ta qojnë nëpër mend shkollimin e të ikin nga martesa. Por një e tillë vjen nëpërmjet filmit dokumentar ‘Zoti i shpis’, me regji të Daniëll Bremer, shkruan KultPlus.
Bremer, sjellë personazhin e Gjejranes, pra Gjejrane Lokaj e cila në vitin 1972, natën vonë iku nga familja e saj për të vazhduar shkollimin dhe për të mos u martuar. Gjejranja, përmes këtij dokumentari kthehet mbrapa shumë viteve, duke paraqitur në ekranin e madh të Kino Bahce, familjen e saj, nga të cilët tashmë kërkon përgjigje se a ishte ajo gjëja e duhur që ka bërë.
Gjejranja, tashmë është një zonjë shtëpie, një heroinë e gjallë e një derë e hapur për motrat e saja të cilat ‘pësuan’ për shkak të kanunit. Filmi 58 minutësh mori pas vetës në Kino Bahce, një audiencë goxha të madhe, të cilët e pëlqyen shumë filmin ndërsa personazhin kryesorë Gjejranen që ishte në mesin e tyre, e nderuan me një pritje në këmbë e shumë duartrokitje.
“Po ajo Gjejranja që isha në dokumentar po ajo jam. Kjo gjë i takon viteve të mëhershme dhe nuk do të thotë që gjërat janë zhdukur sot, por kemi nevojë të punojmë më shumë për barazinë gjinore. Ai është borxhi ynë, shqetësimi ynë dhe besoj që duhet që të gjithë ne duhet të bashkëpunojmë që ta zhdukim këtë gjë sepse jo-barazia dhembë shumë. Unë nuk u trajtova e barabartë asokohe, por nuk e kisha problem të flasë me të vetmin qëllim, që të jem si model i angazhimit të realizimit të objektivave të mija dhe tonat në përgjithësi. Nuk ishte e lehtë të kthehesh në vitin 1972, atëherë kur unë e lashë familjen time. Ishte emocionuese pak, por megjithatë kjo mund t’i shërbej ndokujt që të ketë guxim”, tha duke i falënderuar përzemërsisht të pranishmit, Gjejrane Lokaj tashmë një mami e zonja e cila përkujdeset për shumë foshnje të sapo lindura, e krejt kjo më guximin e saj t’i bëjë ballë kanunit, fjalës së zotit të shtëpisë, fjalëve të komshive, e gjithçka tjetër.
‘Zoti i shpis’, është dokumentari i cili në edicionin e 16-të të DokuFest, garon në kuadër të Ballkan DOX. Ndërsa regjisorja Daniëll Bremer, tregoi se si e ka nisë krejt këtë rrëfim.
“Unë kam menduar të bëjë diçka me Kanunin. Kam nis ta lexoj kanunin dhe ajo çka më ka interesuar rreth tij ishin shkrimet për gratë. Unë si nuse e Kosovës, e kam lexuar sepse më ka interesuar që të dijë rreth grave të Kosovës. Kësisoj një shoqe e imja, më ka dërguar tek Igballe Rugova, ku e kam pyetur se ku ta gjej një grua që të më flasë për këtë temë. Kështu jemi takuar me Igon dhe më ka propozuar Gjejranen”, theksoi Bremer.
‘Zoti i shpis’, erdhi premierë botërore në Festivalin e Filmit Dokumentar dhe atij të Shkurtër-DokuFest. Ky film për producent ka Edon Rizvanollin, ndërsa është përkrahur nga NL Films Fond, ASFALT Films, dhe Culture for All./ KultPlus.com