Mbase dikush do të mendojë se ky reagim vjen si rezultat i humbjes së pushtetit dhe është reaksion i natyrshëm i një të dëshpëruari. I siguroj se kjo nuk është mënyrë e të menduarit dhe të vepruarit tim si ish-ushtar i vendit tim dhe aktualisht i angazhuar në jetën publike (kryetar i degës së AAK-së). Reagimi im është i natyrshëm dhe vjen si rezultat i degradimit alarmant të vlerave njerëzore e morale që duhet të kenë politikanët.Pushteti në Kosovë është kthyer në mjet përfitimi për interesat e ngushta dhe jo siç në fakt ky mjet do të kishte kuptim, të përdoret në shërbim të interesit të përgjithshëm.
Lufta për marrjen e besimit me votë është kthyer në një varg betejash të të “fortëve”, qoftë edhe duke e blerë atë, ashtu që të përgatisin bazën e mirë që më pas të demtojnë interesat e vetë atyre që bien në grackën e kësaj mësymjeje të pashpirt të njerëzve të etur për përfitime, që udhëhiqen nga lakmia dhe vrapojnë derë më derë, duke joshur e manipuluar njerëzit me halle të shumta.
Nuk pati reagim të shtetit për mungesën e subvencioneve për bujqit për vite me radhë, ndërsa pati reagim pikërisht gjatë fushatës zgjedhore. Vreshtarët e Rahovecit u mbështetën me mjete financiare (500 € për hektarë), pikërisht në prag të zgjedhjeve. A nuk do të thotë kjo se u joshën ( u blenë) votat e rahovecianëve të vyeshëm e punëtorë, pikërisht për efekte zgjedhore? Kjo do të ishte vepër penale në çdo shtet me demokraci të konsoliduar, ndërsa tek ne heshtet.
Në fakt vreshtarët e Rahovecit “u shpërblyen” nga djersa e tyre dhe jo nga buxheti i shtetit, sepse ata vetë prodhojnë sasi të mëdha të të mirave materiale, që në fakt i shërbejnë ekonomisë së përgjithshme të Kosovës.Ky është edhe mesazhi më i keq, që mirëfilli buron nga “shkolla” e dobët e udhëheqjes aktuale në vend. Kjo qeverisje aspak e moralshme, ndërhyn në jetën e njerëzve me të vetmin qëllim: përfitimi nga një grup i ngushtë interesi, apo një klani, që vjen si rezultat i një udhëheqjeje që karakterizohet me mungesë të moralit politik dhe për pasojë aplikon edhe strategjinë e dëmtimit të shumanshëm të vlerave institucionale.
Një “shkollë” që mjete pune ka shantazhin, joshjen, presionin dhe dëmtimin e vlerave morale, edukative dhe ato të traditës së mirë që kanë njerëzit tanë të ndershëm. Aq më keq, kur krejt kjo bëhet në mënyrë institucionale dhe duke e përdorur pushtetin shtetëror. Institucionalizimi i së keqes, si rrugë dhe metodë pune, po bëhet për të zhvatur atë që nuk është e jotja, por e të gjithë qytetarëve. Kjo “shkollë” politike do të varfërojë qytetarin, duke i shfrytëzuar burimet e mëdha ekonomike në interes të grupit të caktuar politik.
Procesi zgjedhor është kthyer në arenë ku zhvillohen beteja të ashpra, shpesh pa parime, duke mos ju lënë hapësirë; vlerave, cilësive, programeve dhe vlerësimit real të kandidatëve. Procesi zgjedhor nuk po iu shërben qytetarëve për të bërë vlerësime reale, por vlerësime jo të drejta të cilat ndodhin, ngaqë propaganda në duart e atyre që i kanë mbërthyer dhe i paguajnë fort, po e bën punën e vet në llogari të atyre që e përdorin shtetin për veten e tyre. Kjo quhet “kapje e shtetit nga grupet e interesit”.
Për të gjithë është e njohur se, besimi i popullit fitohet me punë, me nder dhe përkushtime dhe jo me para, me dëshmi të luftimit ndaj të keqes dhe jo duke e mbjellë atë, me dëshmi të ngritjes cilësore të vlerave të mëdha qytetare dhe jo duke i tjetërsuar ato, me hapje të shtigjeve për ndryshime të mira cilësore të gjendjes së përgjithshme ekonomike shoqërore dhe jo e kundërta.
Krimi ndaj votuesve dhe “blerja” e votës
Qytetarët janë të kërcënuar nga maskarada e madhe që bën pushteti shtetëror. Realiteti flet për paradokse të shumta që ndodhin në Kosovë. Në Kosovë mund të fitojë garën zgjedhore edhe ai që bën shumë për këtë vend, mund ta fitojnë garën zgjedhore edhe ata që nuk kanë bërë asgjë, por edhe ata që i bënë dëm këtij vendi dhe nuk japin garanci, se përsëri nuk do t’i bëjnë dëm. Ndodh që fitohet gara edhe nga ata që nuk janë aspak të përgatitur për ta fituar atë, madje nuk janë të gatshëm as për t’i hyrë me vullnet asaj. Imponimi është mjet pune për t’i përgatitur të tillët, që të dalin qesharak, jo dinjitoz dhe pa vullnet, vetëm e vetëm që të shtinë nën kthetra pushtetin si vlerë për ta shndërruar atë në antivlerë. Ndodh në Kosovë të fitoj garën ai që e detyrojnë të “sakrifikoj” Prishtinën për t’u kthyer në Rahovec, sepse mund t’i shërbejë dikujt për ta mbajtur për hunde, në mënyrë që të jetë një urë lidhëse e depërtimit të lojës së madhe me ndjenjat e qytetarëve që presin me të drejtë: punë, zhvillim, ardhmëri më të mirë në komunën e tyre. Në filozofinë e qeverisjes së keqe krijohen edhe mekanizma që ia kanë marrë dorën për të gatuar dhe zbatuar plane sa djallëzore, aq edhe të sofistikuara, përplot skenarë, se si të ruhen interesat e atyre që jetojnë në kurriz të popullit. Me kujdes të madh ata vazhdojnë me terapinë e gjumit. Premtimet pa mbulesë, mashtrimet e njëpasnjëshme, shpërdorimet e shumta janë opiumi që iu jepet përditë qytetarëve tanë.
Vota në Rahovec u ble me subvencione, me para të gatshme, por edhe me para të pista të krimit të organizuar. Vota u ble nga keqbërësit e Kosovës, të cilët me veprimet e veta tentojnë t’ia shpërlajnë trurin e qytetarit të thjeshtë. Qytetari i vendit është në rrezik nga keqbërësit që asnjë respekt nuk kanë ndaj shtetit, ndaj pasurisë së madhe që ka Kosova dhe nga ata që s’kanë asnjë respekt ndaj popullit të saj.
Nuk ka ndodhur ndonjëherë që qytetari i Rahovecit të keqpërdoret dhe të fyhet kaq keq. Qytetari i Rahovecit u përball me fushatën sistematike të ndrydhjes së vullnetit të tij nga qeveria e Kosovës. Kjo lloj ndërhyrjeje në vullnetin e njerëzve është vetëm një dëshmi e një tregimi të gjatë që reflekton turpin e madh të atyre që bënë veprime të shumta kundër interesit të tyre.
Nëse Hashim Thaçi, kryeministër i vendit nuk e shkel zyren e kryetarit të një komune të Kosovës (Rahovecit) dhe vjen me dhjetëra herë vetëm në kohë fushate në mbështetje të kandidatit të vet partiak, me makina zyrtare për të bërë pazar me vullnetin e njerëzve, atëherë çfarë i thonë kësaj?! Nëse z. Thaçi deklaron publikisht qindra miliona euro për kandidatët e tyre të dashur dhe pa kurrfarë turpi, thotë se unë e kam kuletën e shtetit, atëherë çfarë shkolle e qeverisjes është kjo dhe çfarë mesazhi po ju dërgon qytetarëve të vendit?! Veçse, një kryeministër jo i denjë që fyen qytetarët e vet të varfër, duke ju tundur kuletën në prag të zgjedhjeve, atëherë kur i duhet atij për interesa personale e grupore. Për këtë dikush duhet të paguajë.
Nëse paratë e shtetit harxhohen duke dëmtuar përditë vlerat qytetare, duke ia humbur rolin dhe kuptimin qeverisjes si vlerë dhe mundësi e madhe, atëherë për çfarë vlerash të luftës flasim? Nëse, lëshimet ndaj Serbisë vijnë njëra pas tjetrës dhe të gjitha këto arsyetohen si sistem vlerash dhe respekt ndaj tyre, atëherë çfarë Kosove të re po ndërtojmë?! Respekti ndaj të rënëve si vlerë dhe simbole të krenarisë, nuk ndërtohet kurrë duke i gënjyer dhe mashtruar sistematikisht të gjallët, të cilët sot dhe nesër paraqesin potencial për ruajtje, promovim dhe avancim të tyre.
Na del qartë se Republika e Kosovës ka një Kryeministër të papërgjegjshëm që keqadministron me funksionin e tij të rëndësishëm shtetëror. Ai dhe qeveria e tij, duhet t’ju kërkojnë falje qytetarëve për mënyrën e sjelljes me pasuritë publike.
Kur besimi blihet, duke harxhuar milionat e popullit, duke investuar në çoroditje të vlerave, në ngatërrim të qëllimshëm të tyre, pashmangshëm qeverisja e sotme, nesër ka për të korrë furtunë, sepse po mbjell të keqen në viset tona.
Ne do të punojmë shumë që kjo të ndodhë sa më natyrshëm.
Mbetet për të vazhduar me punë, duke e ngritur lartë nivelin e organizimit, duke iu përkushtuar edhe më tej punës me nder, me përgjegjësi, duke çmuar lartë vlerat e mëdha që janë në masën e njerëzve të këtij vendi.
Qytetari i vendit në të ardhmen do të marrë vendim për ndryshimin e gjendjes së vet, që do të ndodh vetëm duke e përmbysur pushtetin që përmbys vlerat, pushtetin që keqpërdor dhe vjedh pasurinë e vendit dhe të popullit të vet. Krejt kjo duhet të ndodhë, për t’i dhënë kuptim, rol dhe mundësi qeverisjes që i jep forcë, mundësi dhe rritë Kosovës dhe popullit tonë.
Ne do të punojmë që pushteti komunal dhe ai qendror të ngritet në themele të reja dhe të forta. Do të punojmë që në Kosovë të ndërtohet sistemi i vlerave në institucione dhe në qeverisje për t’i shërbyer qytetarit të vendit, si pasuria më e madhe që kemi.