28.2 C
Prizren
E shtunë, 7 Qershor, 2025

Shpresa në EULEX-in po shndërrohet në zhgënjim

Misionet ndërkombëtare, përveç KFOR-it, shumë shpesh janë kritikuar për mosefikasitetin e tyre në realizimin e detyrave që kishin në Kosovë, ndërsa kritikat më të mëdha ishin në misionin e Kombeve të Bashkuara UNMIK, i cili pat përfunduar mandatin duke premtuar se do ta luftoi krimin e korrupsionit dhe do t’i kapë peshqit e mëdhenj.

Përfundimi i mandatit të UNMIK-ut me premtime të parealizuara në luftimin e krimit e të korrupsionit, bëri që misioni evropian për sundimin e ligjit EULEX nga kosovarët të shihet me shpresë shumë më të madhe se Kosova do të funksionoi si shtet ligjor dhe krimi e korrupsioni do të luftohen pa kompromis. Këtë shpresë e ushqenin edhe premtimet e zyrtarëve të jo vetëm të EULEX-it, por edhe të Bashkimit Evropian.

Të rikujtojmë se misioni evropian për sundimin e ligjit – EULEX ka filluar shtrirjen e tij në gjithë territorin e Kosovës më 9 dhjetor 2008, duke e zëvendësuar UNMIK-un e OKB-së, pas nëntë vitesh administrimi.

Vendosja e EULEX-it u bë me një vonesë disamujore për shkak të kundërshtimeve të Serbisë dhe vendosja u mundësua pas miratimit të një deklarate presidenciale të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, që përfshiu edhe një marrëveshje gjashtëpikëshe me Beogradin, që u ofron serbëve të Kosovës, në veçanti veriut të saj, autonomi të gjerë në fushën e drejtësisë, policisë e doganave, por edhe një kundërshtimi katërpikësh të autoriteteve të Prishtinës.

Asokohe thuhej se EULEX-i në Kosovë do të kishte rreth 1.900 pjesëtarë, kryesisht policë, prokurorë e gjykatës.

Tani kur EULEX-it po i afrohet edhe përfundimi i mandatit të dytë ky mision shihet me mosbesim të madh nga kosovarët, ngase nuk i ka përmbushur pritjet e kosovarëve. Arseja kryesore qëndron në faktin se Kosova as me EULEX-in nuk ka bërë ndonjë hap të rëndësishëm në luftimin e krimit e të korrupsionit dhe as në funksionimin si shtet ligjor.

Njësoj sikurse zyrtarët e UNMIK-ut edhe ata të EULEX-it premtuan se luftën kundër krimit e korrupsionit do ta fillojnë me peshqit e mëdhenj, por tani gjithnjë e më shumë ka vlerësime, deklarata dhe akuza se disa zyrtarëve të EULEX-it më lehtë u doli që të bashkëjetojnë dhe të përfshihen edhe vet në kontrabandë e korrupsion, sesa t’i luftojë këto fenomene negative që po ia humbin edhe imazhin vendit.

Vetëm NATO po vazhdon të ketë kredibilitet në Kosovë me KFOR-in

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje!, Rexhep Selimi, pohoi për KosovaLive se dështimi është i ndërlidhur për shkak se besimi do të duhej të ishte reciprok, por në Kosovë kaherë ka humbur besueshmëria e qytetarëve edhe në misionet ndërkombëtare edhe në institucionet vendore.

“Ndoshta ndonjëherë çështja e besimit të ndërsjellë ka qenë e artikuluar vetëm si retorikë, por jo edhe në praktikë. Sidoqoftë deri më tani vetëm misioni i NATO-s ka qenë një mision i suksesshëm e po ashtu edhe kredibil me autoritet te popullata që i bie që Kosova po vazhdon akoma të mbetet çështje e NATO-s dhe çështje e institucioneve tjera civile. Sikur çështja e Kosovës të kalonte përtej çështjes së NATO-s që i bie respektivisht ushtarake atëherë do të hapeshin rrugët. Akoma çështja e Kosovës po vazhdon të mbetet çështje e strategjisë ushtarake.

NATO po vazhdon të ketë kredibilitet në Kosovë me KFOR-in për arsye se është i vetmi mision ndërkombëtar, i cili ka vepruar drejtpërdrejtë në mbrojtje të vlerave njerëzore në mbrojtje të një populli, kurse u ka hapur rrugë disa institucioneve të cilat duken se nuk e kanë pasur qëllim këtë”, u shpreh Selmi.

Sipas Selimit, sukseset arrihen dhe janë të pranueshme për të gjithë kur në pikënisje është qëllimi i mirë. NATO e kishte këtë qëllim, andaj e ka edhe suksesin. UNMIK-u sipas tij, nuk ka pasur qëllime të mira në Kosovë dhe rrugën e tij po e ndjek edhe EULEX-i.

“UNMIK-u nuk ka pasur qëllim të mirë, prandaj edhe misioni ka dështuar. Fatkeqësisht duket që këtë rrugë po e ndjek edhe EULEX-i. Këto dështime më së shumti po i paguajmë ne qytetarët e Kosovës, ngase nuk po ia arrijmë qëllimin të jemi qytetarë të një shteti stabil”, tha Selimi.

Ai shtoi se lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar, qoftë nga UNMIK-u qoftë nga EULEX-i më tepër ka qenë retorikë.

Sipas tij, zyrtarët e këtyre misioneve më shumë e kanë shfrytëzuar Kosovën sesa i kanë dhënë diçka. Por, lidhur me këtë Selimi nuk i lë pa përgjegjësi edhe institucionet tona vendore për të cilat thotë se misionet ndërkombëtare në Kosovë i kanë parë si mundësi dhe privilegj, po ashtu edhe për karrierë të brendshme politike. Ai mendon se lidhjet me ndërkombëtar janë shfrytëzuar shpesh herë për depërtim në skenën politike më shumë sesa për të realizuar qëllimet shoqërore, forcimin dhe zhvillimin e shtetit.

“Në misionin e tyre gjëja e parë në kontratë që kam parë ka qenë paga e majme të cilën e marrin në Kosovë dhe eventualisht ndonjë hallkë më shumë në karrierën e tyre kur të kthehen në vendin e vet. Shumë kush prej tyre ka huq perceptimet për shkak se ata kanë menduar që Kosova është si Iraku, Afganistani… Duket se ata njerëz në përgjithësi kanë shfrytëzuar më shumë Kosovën sesa i kanë dhënë Kosovës. Ata e kanë shfrytëzuar Kosovën qoftë për paga qoftë për ndërtimin e karrierës së tyre të cilën karrierë tash e vazhdojnë në vendet e tjera ndërsa neve na kanë shfrytëzuar më shumë sesa ne ata”, ka thënë Selimi.

Evropianët në Kosovë jo që nuk po na evropianizojnë neve, por ata po ballkanizohen

Analisti Behlul Beqaj, ka deklaruar për KosovaLive se një shpresë e cila ishte përjetuar me ardhjen e misioneve ndërkombëtare po përjeton një zhgënjim.

“Misionet ndërkombëtare në sytë e qytetarëve të Kosovës përfaqësohen si simbol të pastërtisë profesionale dhe të përgjegjësisë së lartë për kryerjen e të gjitha detyrave me të cilat ngarkohen nga shtetet nga vijnë apo organizatat të cilat i dërgojnë. Mjerisht ky perceptim po ballafaqohet me realitetin e hidhur në Kosovë, po i shndërron ata në ballkanas në vend se qytetarët e Ballkanit përkatësisht të Kosovës t’i shndërrojë në qytetarë evropian me cilësi dhe standarde evropiane.

Në këtë situatë natyrisht që një shpresë e cila ishte përjetuar me ardhjen e tyre po përjeton një zhgënjim ngase në vend se neve të na bëjë evropianë ata po ballkanizohen dhe kjo është arsye pse po humbet besimi i shpejtë për dallim apo për veçim të KFOR-it”, pohoi Beqaj.

Sipas tij, perceptimet e qytetarëve të Kosovës rreth zyrtarëve ndërkombëtarë zakonisht janë të idealizuara, ndërsa në vendet prej nga zyrtarët vijnë zakonisht nuk bëhet përzgjedhja e më të mirëve, por bëhet përzgjedhja e atyre që janë të gatshëm të vijnë në Kosovë.

“Fakti se këtu vijnë ata të cilët nuk kanë gjetur zgjidhje të mirë në vendin e vet tregon arsyen pse ata më lehtë ballkanizohen, bëhen si neve sesa na bëjnë si të ishim evropianë. Thjeshtë është një perceptim i gabuar dhe ne nga të tjerët po presim diçka që nuk kemi vet në Kosovë, ndërsa ata nga ne e kanë përfituar atë që nuk kanë mundur në shtetin e vet ngase aty ku vijnë nuk mund t’i realizojnë ato synime dhe interesa në mënyrën siç po bëhen sot në Kosovë”, nënvizoi ai.

Analisti Nexhmedin Spahiu, ka thënë për KosovaLive se besueshmëria e qytetarëve tek misionet ndërkombëtare ka humbur për shkak të efektivitetit të tyre dhe pasi që njerëzit kanë pritur shumë më shumë nga këto misione.

“Meqenëse pritjet e qytetarëve nuk po realizohen, atëherë po ndodhë dëshpërimi. Mendoj që në Kosovë nuk ka dëm nga misionet ndërkombëtare që janë këtu, ato mund të jenë më të dobishme apo më shumë të dobishme por dëm prej tyre nuk ka. Kuptohet, ne të gjithë do të kishim dëshirë që të bëjnë diçka më të mirë”, thotë Spahiu.

Sa i përket dyshimeve se edhe zyrtarët e misioneve ndërkombëtare shpesh herë janë përfshirë në korrupsion e kontrabandë, Spahiu thotë se kjo është një çështje e cila ka të bëjë me individ brenda këtyre institucioneve, sepse si UNMIK-u ashtu edhe EULEX-i mision të tyre kanë pasur luftën kundër krimit, korrupsionit e kontrabandës, por sa ia kanë arritur është një çështje tjetër.

“Se me çfarë suksesi e bëjnë ata punën e tyre, kjo është një çështje e cila duhet të diskutohet. Mendoj që ata të cilët janë të involvuar në vepra të dënueshme duhet të dënohen nga ata të cilët edhe i kanë dërguar në mision”, ka shtuar ai.

EULEX-i, që BE-së i kushton 111 milionë euro në vit, e ka të vështirë ta pranoi dështimin

KosovaLive ka kërkuar nga zëdhënësja e EULEX-it, Besa Domi, perceptimin e ndonjë zyrtari të EULEX-it se pse ka rënë besueshmëria e qytetarëve tek ky mision dhe sa janë të qëndrueshme pohimet se edhe përfaqësuesve të EULEX-it më lehtë u doli që të bashkëjetojnë me krimin e të përfshihen edhe vet në kontrabandë e korrupsion se sa t’i luftojnë këto fenomene, mirëpo nuk ka marrë përgjigje.

Në të vërtetë në përgjigjen e saj me shkrim thuhej se nuk janë në dijeni për vlerësimet në të cilat mbështeten pyetjet. Nga ajo na është sugjeruar që ta shikojmë raportin e ekspertit të pavarur, Jean Paul Jacqué, mbi dyshimet për korrupsion brenda strukturave të Misionit të BE-së për sundimin e ligjit në Kosovë – EULEX.

“Ne nuk kemi dijeni se ku i keni bazuar pyetjet tuaja, për ketë arsye nuk mund të komentojmë tutje. Ndërsa sa i përket pohimeve për korrupsion, ju lutemi ta konsultoni edhe raportin e pavarur të profesorit Jacqué. Për me tepër dyshimet e publikuara në media janë duke u hetuar nga Task-forca e pavarur, ekip i përbashkët i prokurorëve dhe policëve të Kosovës dhe ndërkombëtarë. Task-forca është duke punuar nën ombrellën e Zyrës së kryeprokurorit të Shtetit”, thuhet në përgjigjen e Domit dhënë për KosovaLive.

Fjala është pra për një raport të një eksperti të pavarur francez, Jean Paul Jacqué, i cili u hartua me kërkesë të shefes për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, pas akuzave publike të prokurores britanike e këtij misioni, Maria Bamieh, se zyrtarë të këtij misioni janë të përfshirë bashkë me vendorët në korrupsion e marrje të ryshfetit.

Prokurorja britanike e këtij misioni, Maria Bamieh, e cila është pezulluar nga puna, kishte hedhur dyshime se gjykatësi i këtij misioni, Francesco Flori, ka marrë 300 mijë euro për të hedhur poshtë akuzat për vrasje në një proces gjyqësor. Por, gjykatësi Flori ka mohuar një gjë të tillë, ndërsa Bashkimi Evropian i ka hequr pjesërisht imunitetin atij, për të mundësuar përparimin e hetimeve.

Ndonëse në raportin e ekspertit të pavarur francez, Jean Paul Jacqué, të publikuar këtë vit thuhet se nuk është gjetur asnjë provë për korrupsion brenda strukturave të Misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë – EULEX konstatohet se misioni EULEX që Brukselit i kushton 111 milionë euro për çdo vit, ka dështuar të luftojë korrupsionin në Kosovë.

Po ashtu në raport thuhet se gjyqësori në Kosovë nuk është në gjendje që të përballet me korrupsionin dhe krimin e organizuar, edhe pse një nga detyrat kryesore të misionit të EULEX-it ishte sundimi i ligjit në Kosovë. Në raportin e tij, Jacqué ka përfshirë edhe skandalin që implikon edhe zyrtarë të EULEX-it në afera të korrupsionit dhe mënyrën se si është bërë një gjë e tillë. /KosovaLive/

Më Shumë

Aksident i rëndë trafiku në Grazhdanik të Prizrenit

Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur të shtunën rreth orës 18:15 në rrugën “Besim Shala”, në fshatin Grazhdanik të Prizrenit, ku janë përfshirë...

Profesori dyshohet se goditi kolegen në Universitetin “Ukshin Hoti”, rasti nën hetim për lëndim të lehtë trupor

Një punonjës akademik i Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren dyshohet se të martën ka goditur një punonjëse akademike gjatë mbajtjes së një mbledhjeje në...

Lajmet e Fundit