22.8 C
Prizren
E diel, 19 Maj, 2024

Shqipëria kalon provën e FMN-së

Pas përfundimit të misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, kryetarja Anita Tuladhar largohet me një sërë këshillash për aksionin e ndërmarrë nga qeveria për anti-informalitetin. Gjatë dy javëve me diskutime, jo pa tensione, siç u pranua edhe nga ministri i Financave, Shkëlqim Cani, FMN miratoi, në nivel ekspertësh, dy këste kredie për Shqipërinë. Tuladhar u shpreh se diskutimet me qeverinë ishin produktive në rishikimin e pestë dhe të gjashtë të marrëveshjes me Shqipërinë dhe shtoi se FMN-në do të mbështesë reformat e ndërmarra.

“Ne kemi diskutuar për buxhetin dhe ajo që ne mbështesim është rritja e pëmbushjes së detyrimeve tatimore nga subjektet si dhe zgjerimi i bazës tatimore. Kjo do të shoqërohej dhe me masa të shoqëruara mirë, në mënyrë që të kishte më pak shtrembërime në sistem”, tha ajo, duke shtuar se nuk parashikon rritje të përgjithshme të tatimeve, por vetëm masa të synuara drejt. “Nga ana tjetër kemi synuar edhe rritje së cilësisë së shpenzimeve publike”.

Anti-informaliteti

Shefja e misionit të FMN-së ka kërkuar që aksioni kundër informalitetit të japë rezultate të ngjashme, si ato të dala nga reforma në sektorin energjetik. “Reforma në sistemin energjetik ka ndihmuar në konsolidimin fiskal dhe ka prodhuar kursime, që kanë hedhur themelin për një rritje më të fortë në periudhën afatmesme. Ajo reformë u shoqërua me masa, të cilat kanë pasur në fillim grupe të pambrojtura. Janë pikërisht lloji i masave që do të donim t’i shikonim të zbatoheshin”. Tuladhar foli për rëndësinë që do të merrte një zbatim i drejtë i masave nga ana e qeverisë, jo vetëm në buxhet, por edhe në nxitjen e investimeve.

“Përmirësimi i përmbushjes së detyrimeve tatimore nga ana e subjekteve është shumë i rëndësishëm, së bashku me zgjerimin e bazës tatimore dhe në këtë kuadër, ne mbështesim punën që bën qeveria në luftën kundër informalitetit. Sigurisht, ne theksojmë që këto masa duhet të shihen si masa të drejta dhe që bëhen me drejtësi, prandaj këshilla që i kemi dhënë ne qeverisë,është që të shikojë se cila është praktika më e mirë ndërkombëtare. Përmbushja e detyrimeve me drejtësi, do të përmirësonte dhe klimën e investimeve, që do të çonte në rritjen e investimeve të huaja”.

Përpos modelit që duhet të hauzojë apo të ndjekë qeveria, Tuladhar ngriti edhe shqetësimin për ndihmën apo udhëzimet që duhet të marrin tatimpaguesit. “Një këshillë tjetër është edhe përdorimi i shërbimeve të tatimpaguesve, në mënyrë që të ndihmohen tatimpaguesit, për të përmbushur detyrimet e tyre. Në përgjithësi, mund të them se përmirësimi i përmbushjes së detyrimeve tatimore, nga ana e subjekteve është shumë i rëndësishëm, jo vetëm për përmirësimin e uljes së deficitit buxhetor, por edhe krijimit të hapësirave në këtë buxhet për të bërë shpenzime që janë produktive për ekonominë”.

Parashikimet për buxhetin

Në raportin e saj, FMN shpall edhe parashikimet ekonomike të Shqipërisë për vitin e ardhshëm, si dhe reflekton me një sërë përgjigjesh për reformat e ndërmarra nga qeveria. “Sa i takon parashikimeve për zhvillimet ekonomike, rimëkëmbja ekonomike pritet të vazhdojë me një normë të rritjes së produktit të brendshëm bruto, që këtë vit pritet të arrijë 2.7 për qind, ndërsa kjo normë për vitin e ardhshëm pritet të jetë nga 3 deri në 3.5 për qind. Kjo rritje ekonomike do të nxitet nga vazhdimi i investimeve të huaja të drejtpërdrejta dhe nga rritja e kërkesës së brendshme, e mbështetur kjo dhe nga një rritje graduale e dhënies së kredive bankare. Sa i takon inflacionit, ai pritet që të mbetët i ulët, në nivelin 2 për qind, kjo për shkak të trysnive globale të ulëta, por edhe për shkak të produktit të prodhimit që vazhdon të jetë nën potencial. Sa u takon politikave, konsolidimi fiskal pritet të vazhdojë. Synimi për vitin e ardhshëm është që buxheti të arrijë një suficit primar prej 0.3 për qind të PBB-së, që ka për qëllim ofrimin e një hapësire të mjaftueshme për investime kapitale”, mbyllet raporti.

Reagime

Gent Sejko: Pasiguria e biznesit është arsyeja kryesore për kreditimin dhe konsumin. Duhet një konsensus politik për të përmirësuar klimën e biznesit. Kemi një plan masash për uljen e kredive me probleme dhe përmirësimin e regjistrit të kredive. Shqetësimi ynë kryesor është ruajtja e nivelit të borxhit dhe kjo është dakordësuar me Ministrinë e Financave. Ambienti i jashtëm mbetet sfidues. Banka ka vendosur të rrisë me tej stimulin monetar. Norma bazë e interesit u ul nga 2 për qind në 1.75 për qind. Me Eurobondin kosto e borxhit do të ulet. BSH angazhohet për ruajtjen e kahut aktual të politikave makroekonomike. BSH do të ruajë një politikë stimuluese monetare.

Shkëlqim Cani: Rritëm taksat për të shlyer detyrimet e prapambetura. U detyruam se duhet t’i shlyenim. Parashikuam ta bënin për 3 vjet, por i mbyllim brenda vitit të dytë. Në vitin 2016 realizojmë mosrritje taksash në totalin e vet, ndërkohë rrisim investimet. Iu thamë se fillojmë një reformë anti-informalitet dhe janë edhe 11 të tjera, të cilat ecin përkrah njëra-tjetrës pikërisht për të realizuar uljen e taksave, rritjen e pagave dhe rritjen e investimeve.

Më Shumë

Totaj: Ndërtimi i shtegut drejt Kalasë ruan trashëgiminë kulturore dhe rrit zhvillimin turistik të Prizrenit

Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, bëri të ditur se vazhdojnë punimet në ndërtimin e shtegut të ri, me gurë, që shpie për në Kalanë...

Quni: Asociacioni qe e pranoi Kurti është shtet brenda shtetit

Deputeti i LDK-së, Anton Quni në emisionin Pressing në T7, ka folur në lidhje me Asociacionin. Sipas tij, Asociacioni që e pranoi Kurti, është...

Lajmet e Fundit