4 C
Prizren
E premte, 13 Dhjetor, 2024

Shqipëria një përfaqësim vulgar në Eurovizion!

Nuk është as e para herë dhe as kënga e parë, si përfaqësuese e Shqipërisë në arenën evropiane… që diskutohet. Kjo, për të gjitha komponentet, deri te sajesat finale – këto, “stilizuar” për t’iu përshtatur spektaklit. Por, reagimet e profesonistëve edhe në rastet kur ia kanë dalë të jenë kritikë, kanë rënë në vesh të shurdhët. Artit nuk i hyn në punë klientelizmi, por klientelistët tanë “aspirojnë” art… (famë… në fakt, vetëm deri këtu munden!) dhe rrjedha na çon në fshirje identiteti. Si mundet që asnjë krijues, të mos ketë pikë ndjeshmërie artistike?

Ndërsa këngëtarja Ronela Hajati, me këngën “Sekret” na përfaqëson  në “Eurovision 2022”, nuk ka vonuar reagimi i pianistes së njohur Etrita Ibrahimi, e cila, e quan skandaloz këtë prezantim, shtuar faktit se faqja zyrtare për “Eurovision”, i fshiu nga rrjetet sociale, fotografinë e provave të këngëtares shqiptare.

Kjo, pasi zyrtarët e kompeticionit të këngës e cilësuan fotografinë e saj dhe grupit, si provokuese. Pianistja Ibrahimi, e bija e kompozitorit të shquar Feim Ibrahimi, shprehet se do të kishte qenë më mirë, të mos pranohej ai tekst…

“Çka ndodhi me znj. Ronela Hajati dhe grupin e saj shoqërues në skenë, nuk është asgjë më shumë se ajo që ndodhi vjet, me këngën e grupit italian Måneskin, që në Sanremo prezantoi një këngë me fjalor banal, ndërsa në “Eurovision”, të gjitha fjalët e papranueshme, ishin ndryshuar. Në rastin e Shqipërisë, janë ndaluar lëvizjet provokuese (për mua aspak sensuale, por tejskajshmërisht vulgare), sepse këto kanë qenë të dukshme, por unë jam edhe më drastike dhe them që do të kishte qenë mirë të mos pranohej as teksti i kësaj kënge, që nuk e di a mund ta mbajë këtë emërtim!.. ” – shprehet pianistja e njohur.

Brenda më pak se dhjetë ditësh, Hajati do të përfaqësojë Shqipërinë në “Eurovision”, që do zhvillohet në Torino, Itali. Por, pianistja Ibrahimi, ashtu si dhe më parë, shprehet se muzika e lehtë e shekullit XXI, nuk është ajo në këtë këngë.

“E kam thënë dhe shkruar, që kur mbaroi festivali në dhjetor dhe e përsëris: është skandaloze që Shqipëria të prezantohet me një material të tillë në “Eurovision”. Nuk e di ku janë personalitetet e artit në këtë vend, nuk e di pse juria e ka lejuar këtë gjë, për të cilën, nuk gjej epitetin e duhur, por di të them që muzika e lehtë e shekullit XXI, nuk është kjo. Kjo është thjesht një përzierje banaliteti, mediokriteti, mungesë kulture, shijesh dhe aftësish profesionale” – vijon Ibrahimi.

Një përfaqësim i dobët

Më 10 maj, në Torino do të jetë nata e parë e festivalit, ku do këndojë edhe Ronela Hajati, këngën “Sekret”. Pianistja thotë se artistë të tjerë, janë shumë larg përfaqësueses sonë.

“Nuk është se kam unë ide të prapambetura, pasi jam krejtësisht e azhornuar për muzikën e lehtë botërore dhe ka shumë grupe e këngëtarë (p.sh. Dua Lipa, Alan Walker, Sia, The Kolors, BTS, Mahmood, etj), që më pëlqejnë dhe i dëgjoj me shumë kënaqësi, por janë larg vite dritë me përfaqësuesen tonë në Torino” – vëren ajo.

Pianistja Ibrahimi, njëkohësisht dhe zv/presidente e fondacionit “Feim Ibrahimi”, shprehet se Torino është një qytet që e njeh mirë. Një qytet që, sipas saj, jetojnë dhe shumë shqiptarë, të cilët, do të shohin dhe këtë përfaqësim të dobët.

“Më vjen shumë, shumë keq që prezantohemi kështu, pikërisht në Torino, në kryeqytetin sabaud të mbretërisë së Savoiës.

Një qytet që njoh shumë mirë, për shkak të studimeve që kam kryer atje dhe të jetës sime 15-vjeçare në këtë qytet, të cilësuar “La piccola Parigi”, qytet me një kulturë të madhe shumëshekullore, ku për më tepër jetojnë edhe shumë shqiptarë, të cilët nuk e di si do të ndjehen me këtë përfaqësim kaq të dobët, si asnjëherë tjetër, të vendit të tyre, në skenën e madhe të Eurovision-it!” – thotë artistja.

“Eurovision 2022” çelet mbrëmjen e 10 majit, me natën e parë e gjysmëfinales, vijon më 12 maj, me gjysmëfinalen e dytë, për të sjellë më 14 maj, finalen dhe këngën fituese./Konica.al

Më Shumë

Ngjyrat u shkrinë me dheun

Enver Sulaj (Përkujtim) Nuk e kam asnjë foto Për me i pa edhe nji herë andrrat tua E me u gëzue bashkë si fëmijë. Fyellit s'i bie ma kush As...

Prizreni merr fitoren e katërt radhazi, mposht Lepencin në Kaçanik

FC Prizreni ka vazhduar serinë e tij pozitive me një fitore të theksuar 1-0 si mysafir ndaj KF Lepencit në Kaçanik. Goli i vetëm i...

Lajmet e Fundit