15.5 C
Prizren
E diel, 3 Maj, 2026

Shtegu për demarkacionin, arbitrazhi ndërkombëtar

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Martin Berishaj, është i mendimit se demarkacioni me Malin e Zi duhet të shkojë në arbitrazh ndërkombëtar.

Në një intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, profesor Berishaj ka thënë se versioni aktual i demarkacionit me Malin e Zi nga koncepti i procesit të vijëzimit të kufirit është i papranueshëm për disa aspekte. Sipas tij, në këtë proces janë kapërcyer nivelet e vijëzimit të kufirit dhe nuk është përfillur procedura për caktimin e tyre.

“Në këtë shpërfillje nga ana e komisionit kosovar janë përdorur elemente që nuk përbëjnë ‘titullusin’ juridik, siç është çështja e hartave dhe e komunave kadastrale për përcaktimin e kufirit ndërkombëtar”, ka thënë Berishaj.

Për të dalë nga ky ngërç, ai sheh vetëm këtë rrugëdalje.

“Avantazhi që unë e shoh në gjithë këtë çështje është ky: demarkacioni i kufirit me Mal të Zi të shkojë në arbitrazh ndërkombëtar dhe kështu të dilet nga ngërçi politik që e ka formuar vetë pozita politike në Kosovë”, ka thënë Berishaj.

Ai ka treguar se marrëveshjet e tilla si kjo duhen rishqyrtuar me shumë sens. Në këtë kontekst, Berishaj ka thënë se Mali i Zi ka dhënë shenja mjaft pozitive për ta rishqyrtuar marrëveshjen, por jo edhe klasa politike e Kosovës që është në pushtet.

“Marrëveshjet e tilla duhen rishqyrtuar me shumë sens, për faktin se Mali i Zi ka dhënë shenja mjaft pozitive rreth këtij demarkacioni. Pra, ai është i gatshëm ta rishqyrtojë atë si refleks i një fqinjësie të mirë, por ajo ndjeshmëri duket se mungon nga ana e pozitës politike kosovare, mbasi që ajo është përgjegjëse për vijimin e procesit politik”, ka thënë ai.

Profesor Berishaj ka thënë se mosratifikimi i demarkacionit hap shtegun për arbitrazh ndërkombëtar.

“Siç ishte rasti i përkufizimit dhe shkuarjes në arbitrazh ndërkombëtar i Sllovenisë me Kroacinë. Identike me situatën siç e kemi sot në Kosovë ishte situata pas nënshkrimit të marrëveshjes Raçan – Drnovshek, por në rastin konkret deputetët e ndihmuan procesin politik me atë që plotësuan kushtet për ta dërguar çështjen e Gjirit të Piranit në arbitrazh ndërkombëtar duke ‘çliruar’ procesin. Natyrisht, Qeveria sllovene u dashtë të dorëhiqet, por procesi dhe territori, si rrjedhojë edhe kufiri, u bë çështje e së drejtës ndërkombëtare. Mendoj se procesit politik në Kosovë duhet t’i jepet frymë dhe data 1 shtator nuk është dita ‘D’ për Kosovën”, ka theksuar Berishaj.

Berishaj ka bërë me dije se vetizolimi i Kosovës nuk varet nga kjo marrëveshje, por nga shumë faktorë të tjerë, si nga: mosrespektimi i shtetit të së drejtës, korrupsioni, mosfunksionalizimi i institucioneve dhe kapja e tyre. /Epoka e re/

Më Shumë

Prizren, 17 aktakuza kundër 18 personave për vepra të ndryshme penale

Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se gjatë orëve të fundit ka intensifikuar punën në luftimin e kriminalitetit, duke ngritur gjithsej shtatëmbëdhjetë (17) aktakuza...

Përurohet Kompleksi Memorial në Krushë të Vogël në Ditën e të Pagjeturve

Në Ditën e të Pagjeturve nga lufta e fundit në Kosovë, është përuruar Kompleksi Memorial në Krushë të Vogël, në kujtim të 113 martirëve,...

Lajmet e Fundit