Në gjashtë mujorin e parë të këtij viti është shtuar numri i hyrje daljeve në kufirin e Vërmicës, krahasuar me një vit më parë. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani tha se këtyre ditëve të verës kur temperaturat po shënojnë rritje po vërehet fluks më i madh në këtë pikë kufitare, por falë masave që i ka ndërmarrë policia nuk po krijohet ndonjë tollovi.
Në periudhën janar – qershor sivjet përmes pikë kalimit kufitarë të Vërmicës kanë hyrë dhe dalë 967mijë e 768 perona, kurse në periudhën e njëjtë kohore të vitit të shkuar totali ka qenë 873 mijë e 350. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani i cili dha këto statistika i tha Radio Kosovës se numri më i madh është regjistruar në hyrje.
”554 mijë e 696 persona kanë hyrë, kurse 413 mijë e 72 persona kanë dalë nga kjo pikë në këtë gjashtë mujor, përderisa vitin e shkuar në po të njëjtën periudhë kanë hyrë 456 mijë e 616 persona e në dale 461 mijë e 734”, tha Kelani.
E vapa e madhe e këtyre ditëve ka shtuar fluksin në Vërmicë për dallim nga muaji i shkuar kur ishte shënuar një rënie e madhe e numrit të udhëtarëve. Kelani thotë se policia kufitare i ka marrë më kohë të gjitha masat dhe po e përballon fluksin pa ndonjë problem.
Qytetarët të cilët hyjnë dhe dalin përmes kufirit të Vërmicës, pikë që e lidh Kosovën dhe Shqipërinë shprehën të kënaqur me procedurat, ndërsa thonë që pritjet të jenë disa minutëshe.
Autoritetet e larta policore në kufirin e Vërmicës thonë se autostrada i ka mënjanuar bukur shumë tollovitë e shkaktuara në këtë pikë gjatë verës nga radhët e gjata të automjeteve që viteve të shkuara ishin disa kilometërshe.