Në ofertën e shtëpive të ankandit, gjësendet e figurave të famshme, shiten për shuma marramendëse parash. Shiten gjithçka, nga rrobat, stolitë dhe kitarat, e deri te flokët dhe dhëmbët. Shtëpitë e ankandit sot shërbejnë që të mbledhin elitën e pasur të koleksionistëve, të cilët garojnë mes vete se kush do të bëhet pronar i ndonjë eksponati që nxirren në shitje.
Njëra nga gjësendet më të shtrenjta të të famshmëve, ishte fustani i bardhë i Marylin Monroes, me të cilin ajo kishte bërë skenën e famshme të kalimit mbi rrjetën e ajrimit të hekurudhës së nëndheshme në filmin kult “Seven Years of Loyality”.
Një blerës anonim për të ka ndarë hiq më pak se 4.6 milionë dollarë. Me këtë fustan të famshëm dhe seksi, para 15 mijë njerëzve ajo i kishte kënduar “Happy Birthday Mr. President”, John Kennedy-it, presidentit të atëhershëm amerikan.
Në ankandin e mbajtur në Nju Jork më 2012, qaforja “La Peregrina” e punuar nga margaritarët, rubinët dhe diamantet nga shekulli i 16-të, të cilën aktorja e ndjerë Elizabeth Taylor e kishte marrë si dhuratë nga ish bashkëshorti Richard Burton, ishte shitur për 11 milionë dollarë. Burton qaforen e kishte blerë më 1969 dhe dikur ishte pronë e mbretëreshës angleze Mary, pastaj e mbreti spanjoll Philipp II.
Njërën nga kitarat më të dashura, të famshmen Fender Stratocaster, Jimmy Handrix e kishte djegur gjatë koncertit në Londër më 1967. Të gjithë kishin menduar se kitara ishte shkatërruar plotësisht. Por ashtu të dëmtuar, koleksionisti amerikan Daniel Baucher, më 2008 e kishte blerë për 393 mijë dollarë. E tani vjen një rast tejet i çuditshëm.
Një tost i ngrënë vetëm gjysmën nga ana e këngëtarit të famshëm Justin Timberlake, pasi ishte nxjerrë në ankand, ishte shitur mbi 10 mijë dollarë dhe ishte blerë nga një fans i grupit të tij ‘N’Sync’. Edhe një rast tjetër bizar, është ai i këngëtares kontroverse Lady Gaga. Një thua i zi nga akrili, i zbukuruar me dekorim ari, të cilit këngëtares i kishte rënë gjatë koncertit në Dublin, ishte shitur për 12 mijë dollarë. /Zëri/