25.2 C
Prizren
E shtunë, 20 Shtator, 2025

Skenari i Hashim Thaçit për t’u rikthyer në postin e kryeministrit

Hashim Thaçi, dikur njeri më i fuqishëm jo vetëm në Partinë Demokratike të Kosovës, por në tërë vendin, sot duket në një pozicion shumë të palakmueshëm. Fuqia e tij, për shtatë vjet si “baba” i këtij vendi, duket se ka marrë fund tash e sa muaj.

Në njërën anë, me ardhjen e Kadri Veseli në parti, fuqia e tij u zbeh shumë, derisa humbi edhe pozitën e Kryeministrit, të cilën pozitë formalisht ia mori Isa Mustafa, i LDK-së.

Këto dy fakte, duket se kanë bërë që Hashim Thaçi, i njohur në luftë me nofkën “Gjarpri”, të mendoj opsionin se si të rikthehet i fuqishëm, jo vetëm në parti po edhe në qeverisje.

Madje, ai ka përgatitur edhe një plan se si të rikthehet, atje ku ishte për shtatë vjet.

Kështu i kanë thënë Gazetës Blic, burime brenda Partisë Demokratike të Kosovës, të afërta me Hashim Thaçin.

Sipas këtyre burimeve, Hashim Thaçi do të mundohet që rikthimin e tij ta bëjë përmes dërgimit të vendit në zgjedhje të reja, sa më shpejt që të jetë e mundur.

Ja skenari

Janë disa mënyra se si ai e ka menduar opsionin e zgjedhjeve dhe rikthimin e tij, si njeri më i fuqishëm i vendit.

“Së pari, Hashim Thaçi do ta përdor dështimin e votimit në Kuvend të Gjykatës Speciale, që vendi të shkoj sërish në zgjedhje. Nëse koalicioni PDK- LDK do të dështoj që edhe njëherë ta kaloj amendamentin kushtetues i cili do t’i hapte rrugë themelimit të Gjykatës Speciale, atëherë nuk ka logjikë që më tutje të funksion koalicioni”, ka thënë ky burim.

Gjithnjë sipas këtij burimi, nëse do të vij deri tek ky skenar, atëherë Hashim Thaçi do të faktorizohet edhe më shumë tek ndërkombëtarët, për faktin se ai do të thirrej në atë se Isa Mustafa, si kryeministër dhe udhëheqës i koalicionit nuk po e ka fuqinë politike që t’i shtyej proceset përpara.

“Si argument do ta përdor votimin në Kuvend me 2/3 të letërkëmbimit të Jahjagës dhe baroneshës Ashton, në prill të vitit të kaluar, i cili i hapi rrugë themelimit të Gjykatës Speciale. Thaçi do të thirret në atë se si kryeministër, me më pak se 60 vota sa i kishte koalicioni atë kohë arriti që ta kaloj në Kuvend këtë letërkëmbim, derisa Isa Mustafa me 88 deputetë nuk po mund ta bëjë një gjë të tillë”, tha ky burim.

Sipas këtij burimi, kjo është edhe arsyeja kryesore pse Hashim Thaçi nuk po u bën aq shumë presion deputetëve të tij që të votojnë pro Gjykatës Speciale.

Ndërkohë, dje në një intervistë që e kanë dhënë dy deputetë që votuan kundër Gjykatës Speciale, Fadil Demaku dhe Rraif Çela, kanë deklaruar se askush nga PDK, përfshirë edhe Hashim Thaçin nuk u ka bërë presion që ta votojnë atë.

Dhe si arsye të dytë, që Hashim Thaçi i dëshiron zgjedhjet, sipas burimeve të Gazetës Blic ka të bëjë, edhe me frikën që e ka se ai nuk mund të zgjedhet president i vendit dhe rreziku i humbjes përfundimtare të partisë.

“Hashim Thaçi i frikësohet garës për president. Ai e ka të qartë se nuk do ta ketë të lehtë të zgjedhet në këtë post, sidomos pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, në rastin Pacolli, e cila kishte konstatuar që për zgjedhjen e presidentit, nevojiten që në seancë të jenë prezent 2/3 e të gjithë deputetëve. Ai e di shumë mirë që as opozita e as një pjesë e deputetëve të LDK-së nuk do të marrin pjesë, dhe kësisoj nuk do t’i hyj fare procesit”, tha ky burim.

Rikthimi si kryeministër

Sipas planit “Special” të Hashim Thaçit, ai pretendon që nëse vendi shkon në zgjedhje, ai të rikthehet si kryeministër i vendit dhe kësisoj ta rikthej edhe njëherë fuqinë edhe brenda partisë.

“Ai është i bindur se PDK, nëse shkohet në zgjedhje të reja, do të dalë bindshëm si partia e parë, me diferencë 10 për qind nga partia e dytë. Ai po pretendon që ta shfrytëzoj situatën në LDK, pas përçarjeve të fundit në këtë parti, dhe dështimin e qeverisë Mustafa që t’i rris pagat, ta luftoj korrupsionin, mos liberalizimin e vizave, shtimin e vendeve të reja të punës”, tha ky burim.

Ndërkohë, para disa javësh, Gazeta Blic ka publikuar sondazhet e një organizate ndërkombëtare, ku LDK-ja ka një rënie të konsiderueshme, e sidomos Isa Mustafa, si lider.

Gazeta Blic ka provuar që të kontaktoj zyrtarisht me njerëzit e PDK-së për këtë çështje, mirëpo askush nuk ka dashur që të flas. Madje, Gazeta tash e sa javë është në pritje të përgjigjes nga ana e zyrës së Hashim Thaçit për një intervistë, ku do të trajtohej edhe kjo temë, megjithatë, nuk ka përgjigje e as konfirmim.

Hashim Thaçi është në krye të PDK-së që nga formimi i saj. Ndërkaq, Qeverinë e kishte udhëhequr nga 2007-ta e deri në fund të vitit 2014, kur u arrit koalicioni me LDK-në e Isa Mustafës, pas pesë muajve bllokadë institucionale, për shkak se asnjë nga partitë parlamentare nuk dëshironte të hynte në koalicion me partinë e tij.

Pas marrjes së Qeverisë nga LDK-ja, Hashim Thaçi e mban postin e zëvendëskryeministrit dhe atë të ministrit të Punëve të Jashtme./Gazeta Blic/

Më Shumë

Lajmet e Fundit