18.8 C
Prizren
E shtunë, 27 Korrik, 2024

Sot 15 vjet nga hyrja e forcave të NATO-së

NATO kosoveSot mbushën 15 vjet kur kanë zbarkuar trupat e para të këmbësorisë së NATO-s, ndërsa ka nisur largimi i forcave serbe nga Kosova, duke i dhënë fund kështu regjimit kriminal të Sllobodan Milosheviqit ndaj popullit të Kosovës.

Që atëherë, kjo datë kujtohet si Dita e Lirisë së Kosovës nga agresioni serb.

Fillimisht trupat e NATO-së numëronin 50 000 ushtarë dhe vinin nga dhjetëra shtete anëtare të kësaj aleance dhe vendeve aleate. Të parat që kanë zbarkuar kanë qenë njësitet britanike. Misioni ishte i ndarë në pesë zona të përgjegjësisë, që i përkisnin KFOR-it amerikan, anglez, francez, gjerman dhe italian.

Ndërhyrja e NATO-së në Kosovë, i parapriu një luftë të ashpër në mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave serbe, dhe pas shumë masakrave të kryera ndaj civilëve nga paramilitaret serbë.

Hyrja e trupave të NATO-s u bë pas marrëveshjes së Kumanovës ndërmjet zyrtarëve serbë dhe autoriteteve të NATO-s, të udhëhequra në atë kohë nga gjenerali britanik, Mike Jackson. Me këtë marrëveshje, Serbia është detyruar të tërheqë të gjitha forcat e saj policore dhe ushtarake nga Kosova.

Ajo është arritur vetëm pas fushatës së bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe, e cila ka zgjatur për 78 ditë me radhë, si dhe pas përpjekjeve të ndryshme diplomatike për t’i dhënë fund luftës në Kosovë.

Si pasojë e luftës në Kosovë, mbi 10,000 njerëz janë vrarë, rreth 5,000 të tjerë janë zhdukur dhe mbi 1 milion janë zhvendosur. Shkatërrimet materiale po ashtu kanë qenë masive.

Me hyrjen e NATO-s, në Kosovë ka nisur edhe vendosja e misionit të përkohshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, i cili do të administronte vendin për një periudhë të caktuar kohore. Në të njëjtën kohë, është shpërbërë edhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës, për t’u shndërruar në Trupat Mbrojtëse të Kosovës. Ato kanë ekzistuar deri në janar të vitit 2009, kur edhe është formuar Forca e Sigurisë së Kosovës.

Sot, 15 vjet pas zbarkimit, janë rreth 5,600 trupa të NATO-s që vazhdojnë të kontribuo jnë në ruajtjen e një mjedisi të qetë dhe të sigurt në Kosovë. Numri i tyre është zvogëluar vit pas viti, bazuar në vlerësimet e situatës së sigurisë.

Gati dhjetë vjet pas zbarkimit të NATO-s, përkatësisht më 17 shkurt të vitit 2008, Kosova ka shpallur pavarësinë nga Serbia, me gjithë kundërshtimet e fuqishme të Beogradit.

Shteti i ri është njohur nga rreth 105 vende dhe është i angazhuar në përmbushjen e kritereve për anëtarësim në strukturat euro-atlantike.

Dita e Lirisë së Kosovës, së bashku me pavarësinë, konsiderohen si ngjarje që kanë shënuar kthesë në histori. Sipas shumë vlerësimeve, 12 qershori është dita e rreshtimit të botës demokratike përkrah popullit të shtypur të Kosovës.

Aleanca më e madhe ushtarake në botë ka riafirmuar se KFOR-i do të mbetet në Kosovë në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, derisa ky mekanizëm nuk vendos ndryshe.

Më Shumë

Fluks i madh nga Kosova drejtë Shqipërisë!

Sot është shënuar fundjava me fluksin më të lartë të shtetasve që kanë hyrë në territorin e Shqipërisë në Morinë për këtë vit. Sipas të...

Sekuestrohen dy armë në Rahovec

Janë sekuestruar dy armë në Rahovec dhe është iniciuar rast “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. 0Sipas një komunikatë të dërguar...

Lajmet e Fundit