19.2 C
Prizren
E shtunë, 28 Qershor, 2025

Sot hapet Panairi i Librit në Prishtinë

Po finalizohen përgatitjet për pasditen e së martës, kur me fillim nga ora 18:00, në Pallatin e Rinisë, në Prishtinë, do të hapet edicioni i 19-të i Panairit të Librit. Këtë vit do të prezantohen rreth 1100-1200 tituj të rinj, kurse numri i titujve të viteve të fundit shkon deri në rreth 4000, shkruan sot, gazeta Zeri.

Një ditë para hapjes së panairit organizatorët ishin të ngarkuar me çështjet teknike. Besian Zeneli, përfaqësues i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, i kontaktuar nga gazeta “Zëri” tha se beson se edhe sivjet, përkundër vështirësive, ky panair do të rezultojë i suksesshëm.

“Tash pak kohë para hapjes po merremi më shumë me punët teknike, të cilat duhet t’i përfundojmë në mënyrë që të nisim për së mbari ditën e parë të panairit. Një pjesë e botuesve kanë mbërritur paraditen e së hënës, ndërsa pjesa tjetër do të arrijë më vonë. Ne kemi lajmëruar paraprakisht më herët edhe Doganën e Kosovës dhe të gjitha instancat që të krijojnë lehtësime dhe punët të mbarojnë sa më shpejt. Besoj që gjithçka do të kurorëzohet mirë me hapjen që do të bëhet në ora 18:00”, tha për “Zërin” Zeneli.

Në anën tjetër, si për organizatorët, edhe për botuesit kosovarë, muajt para hapjes së Panairit të Librit në Prishtinë, kanë qenë të ngarkuar me punë për finalizimin e botimeve të reja që do të prezantohen në këtë edicion.

Artin Ahmeti, nga “Artini dhe Toena”, që përfshin gjashtë shtëpi botuese, tregon për “Zërin” se sivjet ata do të prezantojnë rreth 50 tituj të rinj.

“Nga botimet ‘Dudaj’ sivjet veçohet fituesi i çmimit Nobel 2013, Alice Munro – ‘Armik, mik i dashur’. Nga ‘Toena’ libri i fundit i Paulo Coelho – ‘Dorëshkrim i gjetur në Akra’, nga ‘Omsca’ librin ‘Një burrë i quajtur Uve’ i Fredrick Backman. Prej botimeve të Institutit Albanologjik sjellim ‘Shqipja standarde dhe problemet rreth saj’ e Isa Bajçincës’ kurse nga botimet ‘Artini’ librin ‘Përtej syve’ nga Përparim Blakaj”, theksoi Mehmeti.

Në anën tjetër është paralajmëruar se në kuadër të botimeve “Koha” do të prezantohen 120 tituj, 8 prej të cilëve janë të rinj. Ata janë: “1Llogot e Kosovës” – Luan Tashi, “Kufijtë në dëm të shqiptarëve” – Zejnullah Gruda, “Historia e pa rrëfyer e mustaqeve të zotit president” – Virgjil Muçi, “Fillimi i një fundi” – Majlinda Bregasi, “Monument” – Artan Krasniqi, “Mbretëresha e Malësisë Edith Durham” – Marcus Tanner, “Muhamedi, një profet për kohën tonë” – Karen Amstrong dhe “Gorillat që s’i pamë” nga Veton Surroi.

Disa biografi të emrave të njohur bashkëkohorë i sjell në këtë panair shtëpia botuese “Pema”.

“Tituj të veçantë të këtij panairi nga shtëpia botuese ‘Pema’ janë botimet e biografive të emrave të njohur bashkëkohorë, por edhe shkrimtarëve klasikë, si Biografia e Malala Yousafzai, biografia e Elon Musk dhe shënimet autobiografike të George Orwell, janë prurjet e ‘Pemës’, ekskluzivisht për panair. Mandej, autori Malcolm Gladwell, vjen me 3 tituj, ‘Davidi dhe Goliati’ që është botuar ekskluzivisht për panair dhe ‘Pika e kthesës’ e ‘Blink’ qe janë botuar në intervalin kohor prej panairit të kaluar”, tregon botuesi i “Pemës”, Edon Zeneli.

Duke qenë panair tashmë me traditë të konsoliduar, në prag të jubileut të 20-të do të ketë edhe një varg aktivitetesh, të cilat përkojnë me përvjetorë të mëdhenj të personaliteteve letrare shqiptare dhe botërore. Këtë vit në këtë panair do të kremtohet 600-vjetori i lindjes së Pal Engjëllit, 300-vjetori i lindjes së Françesk Avatit, 220-vjetori i lindjes së Naum Veçilharxhit, 160-vjetori i lindjes së Visar Dodanit, 150-vjetori i lindjes së Mati Logorecit, 120-vjetori i lindjes së Shime Deshpalit, 110-vjetori i lindjes së Mitrush Kutelit, 100-vjetori i lindjes së Musine Kokalarit, 100-vjetori i lindjes së Sotir Cacit, 100-vjetori i lindjes së Ndue Bytyçit, 100-vjetori i lindjes së Heinrich Böll, 100-vjetori i lindjes së Sidney Sheldon, 100-vjetori i lindjes së Robert Loëell, 100-vjetori i lindjes së Huan Rulfo, 80-vjetori i lindjes së Anton Pashkut, 80-vjetori i lindjes së Ali Sutajt dhe 30-vjetori i vdekjes së Lasgush Poradecit.

Të gjitha këto personalitete do të kujtohen në kuadër të përurimeve, debateve dhe aktiviteteve të tjera në ditët e panairit. Panairi do të mbyllet më 11 qershor, në orën 18:00.

Si zakonisht, Shoqata e Botuesve të Kosovës do të organizojë edhe darkën solemne të Panairit të Librit, ku do të jepen çmimet sipas vlerësimit të jurisë speciale për librat më të mirë në prozë, poezi, kritikë, studime letrare, eseistikë, publicistikë, përkthim letrar, si dhe do të shpallen “Shkrimtari i vitit” nga letërsia shqipe dhe “Shkrimtari i vitit” nga letërsia e huaj, por edhe “Stenda më e vizituar e panairit”.

Panairi do të jetë i hapur për vizitorë çdo ditë, nga ora 9:00-20:00, kurse hyrja për vizitorë do të jetë falas.

Panairi i Librit në Prishtinë organizohet çdo vit nga Shoqata e Botuesve të Kosovës. Edicioni i parë i tij është mbajtur në datat 17-22 nëntor të vitit 1999, ndërsa të tjerët janë organizuar çdo herë gjatë muajve maj-qershor.

Më Shumë

Garat e çiklizmit, edhe sot bllokim i përkohshëm i qarkullimit në autostrada

Policia e Kosovës bën të ditur se edhe të shtunën për shkak të garave çiklistike të organizuara nga Federata e Çiklizmit e Kosovës, do...

Gjykata Kushtetuese merr vendim: I obligon partitë që për 30 ditë ta konstituojnë Kuvendin

Gjykata Kushtetuese i ka obliguar partitë politike që për 30 ditë ta konstituojnë Kuvendin. Kjo është bërë pas kërkesës nga AAK-ja dhe partitë në opozitë,...

Lajmet e Fundit