Nëse nuk ka ankesa në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, pasi që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të hënën ka shpallur dhe ka miratuar Rezultatet Përfundimtare të Raundit të Dytë të Zgjedhjeve Lokale për Kryetar Komune, mund të bëhet menjëherë certifikimi i kandidatëve që fituan garën.
Kryetarja e këtij komisioni, Valdete Daka, ka thënë se nga ky moment të gjitha ata që duhet të ankohen kanë të drejtë ta bëjnë një gjë të tille brenda 24 orësh pranë Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.
“KQZ do të presë 24 orë të shohë a ka ankesa në PZAP, nëse nuk ka ankesa brenda 24 orësh, atëherë KQZ do t’i certifikojë kryetarët të martën mbrëma”, ka thënë Daka. Në të kundërtën do të ndiqet procedura e ankesave shqyrtimit të tyre deri në përfundim të procedurave të ankimimit dhe vendimeve të PZAP-së.
Florian Dushi, anëtar i KQZ-së nga LDK-ja, ka tërhequr vërejtjen se pas ditës së zgjedhjeve ka vazhduar një avaz në kundërshtim me ligjin dhe në mënyrë të pakuptimtë që të bëhet pranim-dorëzimi i pozitave të krerëve të komunave. Sipas tij, as pas shpalljes së këtyre rezultateve ata nuk mund t’i ndërrojnë pozitat.
“Prandaj duhet të pritet momenti i certifikimit dhe tek pas kësaj mund të zhvillohen procedurat e pranim-dorëzimit të detyrave të kryetarëve të rinj”, ka thënë Dushi.
Betim Gjoshi nga PDK ka thënë se kryetarët e komunave nuk mund të ndërrohen pa u bërë certifikimi i rezultateve, sepse dihet që kryetarët do të bëjnë betimin para asambleve të reja. Ai u ka bërë me dije të gjithë kryetarëve të zgjedhur që para certifikimit të tyre si kryetar duhet të japin dorëheqje nga pozitat tjera.
“Neni 3.2 dhe neni 9.3 i Ligjit për Zgjedhjeve thotë që kandidatët për kryetar komune që mbajnë poste të heqin dorë para certifikimit të rezultateve. Neni 3.2 nuk i lejon kryetarit të mbajë pozita të tjera kurse 9.3 kur thotë që në momentin që ka kandiduar apo zgjedhur ai duhet ta zgjedhë vendin e kryetarit të komunës dhe të na japë neve dëshminë se ka dhënë dorëheqje”, ka thënë Gjoshi, duke shtuar se janë tre ose katër deputetë në Kuvendin e Kosovës që kanë obligim ligjor që të japin dorëheqje para certifikimit.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) e ka obliguar Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), që në një afat sa më të shkurtër të bëjë numërimin e votave në rreth tridhjetë vendvotime në tërë Republikën e Kosovës që është si vendim i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtesa (PZAP). Ky vendim është marrë të hënën në një mbledhje të KQZ-së.
Gjoshi ka kërkuar që KQZ-ja ta obligojë QNR që pas vendimeve të PZAP-it të bëjnë numërimin e atyre kutive. “Ne duhet të marrim vendim që të numërojmë kutitë e votimeve që na ka obliguar PZAP. Pasi që ka mundësi që të ndikojë në ndonjë rezultat sa i përket kandidatëve”, ka thënë Gjoshi.
Ndryshe, nga zgjedhjet e 3 nëntorit 2013 prej 38 komunave janë zgjedhur 20 kryetarë të rinj, të cilët do të qeverisin me komunat në mbarë Kosovën. Këtu përfshihen edhe 9 kryetarët e “Listës serbe” të themeluar nga kryeministri serb, Ivica Daçiq, të cilët do të udhëheqin komunat me shumicë serbe./Zëri/