27 C
Prizren
E martë, 8 Korrik, 2025

Specialja, kërcënim për oligarkët

Priten procese gjyqësore komplekse

“Është thënë se në tetor do të fillojë punën kjo Gjykatë, mirëpo për shkaqe teknike mund të ndodhë se do të vonohet për një kohë të shkurtër, por pritet që sa më shpejt të funksionalizohet. Tanimë është ndarë edhe objekti dhe po e ripërsëris se politikanët kosovarë nuk kanë kurrfarë roli, e as ndikimi në punën e Gjykatës Speciale”, tha avokati Tomë Gashi, raporton Gazeta Kosova Sot

Me gjithë pëshpëritjet e opinionit se gjoja shtyrja e funksionalizimit të Gjykatës Speciale na paska ndodhur për shkaqe të interferencës së brendshme politike të krerëve më të lartë të shtetit, për njohësit e kësaj fushe ato vlerësime nuk qëndrojnë fare, ngase është vlerësuar se ndikimi dhe roli i politikanëve kosovarë në këtë drejtim është minor, apo thënë troç zero. Ndaj në këtë drejtim është hequr edhe mëdyshja më e vogël e ndikimit të elitës politike kosovare edhe përmes emërimit të kryeprokurorit David Schwendiman së fundmi në krye të kësaj Gjykate.

Analisti Shefqet Dibrani, në një prononcim për gazetën “Kosova Sot”, ka thënë se nëse shikohet misioni i Gjykatës Speciale dhe fuqia e saj vendimmarrëse, me të drejtë, siç tha, mund të dyshohet se i gjithë ky lëmsh politik është i orkestruar në mënyrë për ta shtyrë funksionimin e kësaj Gjykate, e cila do të merret kryesisht me oligarkët politikë dhe mjaft të tjerë që janë bërë oligarkë nëpër ndërmarrje të mëdha shoqërore e deri tek pozitat e udhëheqësve të bordeve, të cilat krijojnë një unazë, përkatësisht dëshmojnë shtrirjen zinxhirore të një sistemi, ku veprimet e nëntokës janë bazë themelore për të ruajtur ndikimin e tyre në të gjitha sferat dhe shtresat e shoqërisë qytetare.

“Natyrisht, Gjykata Speciale është vonuar dukshëm, por vendeve të Bashkimit Evropian dhe Amerikës nuk u bëhet vonë, prandaj edhe pse ne flasim për zvarritje të proceseve nuk shihet asnjë hezitim apo tërheqje, por pavarësisht asaj se punët po shkojnë ngadalë në këtë drejtim, nuk ka asnjë dyshim se oligarkët politikë dhe një garniturë e kësaj nëntoke do të kenë telashe me këtë Gjykatë”, tha ai.

Në PDK pritet tërmet

Më tej, Dibrani ka nënvizuar se tashmë emërimi i kryeprokurorit David Schwendiman në krye të kësaj Gjykate, jep sinjalin e qartë se Gjykata Speciale nuk ka hequr dorë nga misioni i saj për të vënë rend dhe ligj, por më shumë, siç tha, për ta disiplinuar një kastë politike, e cila po i rri pezull jetës publike në Kosovë.

“Pavarësisht abuzimeve të deritanishme dhe ndikimeve që kanë pasur në Gjykatën dhe Prokuroritë e Kosovës, ku ndikimi i tyre në vendimmarrje ka qenë evident, qeveritarët e korruptuar dhe ata mbi të cilët rëndojnë akuza të rënda nuk do të mund t’i shmangen Gjykatës Speciale. Nuk ishte rastësi e amerikanëve, por as e BE-së, që pikërisht njohësin e mirë të sistemit ligjor në Kosovë dhe atë që për vite është marrë me raste delikate, ta vendosin si kryeprokuror në Gjykatën Speciale, dhe nuk ishte krejt e rastësishme as publikimi i emrit të tij pikërisht një ditë pasi Qeveria e Kosovës e hoqi nga rendi i ditës rastin e Demarkacionit”, është shprehur Dibrani.

Eksperti i fushës së sundimit të Ligjit, Blerim Burjani thotë se Gjykata Speciale pritet që shumë shpejt të veprojë dhe se ky do të jetë një proces i vështirë për t’u dëshmuar nga Tribunali apo Gjykata Speciale, derisa, sipas tij, faktet dhe argumentet janë baza e vetme për të nxjerrë një aktgjykim të drejtë, të paanshëm dhe profesional.

“Pra, do të jetë një punë e gjatë dhe e mundimshme e Gjykatës dhe nuk i dihet fati se çfarë aktgjykime do të nxirren nga kjo Gjykatë, por edhe ana tjetër, ligji për kompensim material të personave që do t’i nënshtrohen Gjykatës është mjaft e vlefshme dhe e moralshme për këtë kategori njerëzish. Proceset e gjykimet do të jenë mjaft komplekse dhe se nuk dihet fundi i tyre. Sidoqoftë, pritet që të ndodhë një termet i fuqishëm për disa njerëz të PDK-së, por edhe njerëz të disa subjekteve të vogla opozitare, por shumë të zëshëm politikisht”, ka vijuar më tej ai.

Burjani ka shtuar se kjo mund të ketë pasoja për skenën politike dhe për disa njerëz, të cilët mbajnë poste të fuqishme nëpër parti, ngase, sipas tij, Gjykata do të godet edhe politikisht dhe do të sjellë ndryshime edhe politike në vend, por, siç tha, pritet të shihet se deri në cilën masë do të ketë ndryshime skena politike vendore pas veprimit të kësaj Gjykate. /Kosova Sot/

Më Shumë

Zgjedhjet lokale, me 23 korrik fillon regjistrim i votuesve jashtë vendit

Të gjithë shtetasit e Kosovës me të drejtë vote që jetojnë jashtë vendit, përveç zgjedhjeve për Kuvend, mund të votojnë edhe në zgjedhjet lokale...

Zogaj dhe Mehmeti vazhdojnë me Lirinë

Liria e Prizrenit ka konfirmuar vazhdimin e bashkëpunimit me dy prej lojtarëve më të rëndësishëm të skuadrës: mesfushorin me përvojë Silvio Zogaj dhe luftëtarin...

Lajmet e Fundit