Analistët dhe njohësit e fushës së drejtësisë, por edhe opozitarët e vendit kanë sugjeruar se procedura e tanishme e emërimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve duhet të ndryshojë, në mënyrë që kësisoj të shmangen ndikimet aktuale të politikës në drejtësi.
Ata kanë thënë po ashtu se duhet të korrigjohen ligjet në mënyrë që t’i jepet edhe më shumë pavarësi gjykatësve dhe prokurorëve, e më pastaj të futet në zbatim edhe hulumtimi i biografive të atyre të cilët konkurrojnë për këto pozita dhe atje në institucionet e drejtësisë të dërgohen vetëm njerëz të pastër e pa biografi të keqe. Analisti Shefqet Dibrani, në një prononcim për gazetën “Kosova Sot”, ka thënë se në Kosovë duhet të ndodhin ndryshime të thella dhe rrënjësore, sepse praktika e gjertanishme e emërimeve dhe përzgjedhjeve nuk është dëshmuar efikase dhe e suksesshme, përkundrazi, sipas tij, në drejtësinë kosovare politika i ka futur thellë duart. Prandaj, Dibrani ka konsideruar se për të përftuar sa ma shumë grupet e interesit, ato fillimisht kanë okupuar sistemin e drejtësisë, i cili tashmë po vepron sikur t’i kishte vetë prangat në duar.
Modeli i Shqipërisë
Sa u përket modeleve të tjerë të emërimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve për të shmangur kësisoj ndikimet aktuale të politikës në drejtësi, Dibrani mendon se modele ka mjaft, porse ka ngritur dilemën se nëse ato mund të zbatohen.
” Ne jemi dëshmitarë se Kosova ka ligje të mira që i ka miratuar Parlamenti, madje jo pak është thënë e trumbetuar se Kosova ka një paketë të ligjeve konkurruese për vendet e rajonit dhe më larg, por realiteti e dëshmon të kundërtën. Nuk ka edhe aq rëndësi për modele, nëse prokurorët dhe gjyqtarët janë të pandërgjegjshëm në punën e tyre, përballë nevojave urgjente që i ka vendi dhe institucionet që drejtohen nga drejtësia e korruptuar”, ka thënë ai.
“Por, sa i përket pavarësimit të gjyqë- sorit, mendoj se ai niset nga individi, i cili nuk pranon të bëhet viktimë e pazareve që vijnë nga politika dhe nga grupet e interesit, të cilat i kanë ngulfatur të gjitha zhvillimet politike, kulturore e ekonomike në Kosovë”, ka shtuar Dibrani. Ai ka nënvizuar se të paktën sistemi i drejtësisë, i cili është miratuar kohëve të fundit në Shqipëri, do të duhej të merrej model edhe për Kosovën. “Nëse duam që sa më shpejt të nisin integrimet në strukturat evropiane dhe më gjerë, përndryshe duhet të durojmë, sepse në Kosovë është instaluar një kastë politike, e cila është e implikuar në krim dhe kriminalitet, prandaj ato grupe bëjnë pengesa dhe i zvarritin të gjitha nismat e mundshme që mund të ndodhin në Kosovë, sidomos ato që kanë të bëjnë me pavarësimin dhe reformimin e sistemit të drejtësisë”, është shprehur analisti Shefqet Dibrani.
Duhet një gjeneratë e re
Deputeti nga Lëvizja ‘Vetëvendosje’, Ismajl Kurteshi thotë se është shumë me rëndësi ligji se sa e mbron pavarësinë e një institucioni. ” Mirëpo, nganjëherë te ne pavarësia profesionale kuptohet si e drejtë që dikush të bëjë çfarë të dojë, derisa kështu po më duket se e kanë kuptuar edhe një numër i gjyqtarëve e prokurorëve, por edhe të tjerëve se ata munden të bëjnë çfarë të duan, por pavarësia është vetëm e drejta që të veprojë së bazuari në ligj pa ndikimin nga jashtë dhe kjo duhet të kuptohet”, ka thënë ai. “Ndërsa, edhe ajo që po quhet ‘Vetting’ dhe tash po fillon të zbatohet në Shqipëri, mendoj se një ligj i tillë duhet të iniciohet dhe zbatohet edhe te ne, pasi është shumë me rëndësi dhe kujt t’i besohet kjo detyrë, pasi një numër i madh i gjyqtarëve dhe prokurorëve që tani janë barazuar në Kosovë, d.m.th të njëjtët gjatë viteve të 80- ta kanë dërguar përplot të rinj shqiptarë nëpër burgje, të cilët kanë kërkuar Kosovën Republikë. Andaj, ata kanë edhe një mentalitet tjetër dhe mënyrën e të menduarit, por edhe kanë qenë nën ndikim të politikës dhe nuk dinë të punojnë si të pavarur”, ka shtuar Kurteshi. Ai më tej ka nënvizuar se duhet të korrigjohen ligjet në mënyrë që t’i jepet edhe më shumë pavarësi gjykatësve dhe prokurorëve, pastaj të futet në zbatim edhe hulumtimi i biografive të atyre të cilët konkurrojnë për këto pozita dhe atje në institucionet e drejtësisë të dërgohen njerëz të pastër që janë të gatshëm t’i mbrojnë interesat e këtij vendit bazuar në ligje dhe të veprojnë vetëm drejtë. “Për ta krijuar një sistem të drejtësisë të mirëfilltë, mendoj që një numër i madh i prokurorëve dhe gjyqtarëve do të duhej të vinte nëpër pozita nga një gjeneratë e re, e cila nuk e ka përvojën e një periudhe kur vërtet edhe gjykatësit dhe prokurorët tërë punë e tyre e kanë bërë bazuar në ndikimet politike”, tha Kurteshi.