Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi iu ka bërë thirrje serbëve të Kosovës që të dielën në zgjedhjet e përsëritura në veri të Mitrovicës të dalin në numër sa më të madh, duke thënë se me pjesëmarrjen e tyre humbës të vetëm do të jenë ekstremistët nga veriu i Kosovës.
Në një intervistë për të përditshmen britanike “Guardian”, Thaçi po ashtu ka thënë se nëse edhe të dielën do të ketë incidente në veri të Mitrovicës atëherë përgjegjëse do ta bëjë Serbinë.
“Pengimi i votimeve në tri vendvotime në Mitrovicës Veriore më 3 nëntor është si rezultat i presionit, kërcënimit dhe metodave tjera”, ka thënë kryeministri kosovar, citon Orainfo.
Sipas tij, zgjedhjet e suksesshme janë vendimtare për implementimin e marrëveshjes së Brukselit.
“E di çfarë ka ndodhur, si dhe pse e kanë bërë”, ka thënë Thaci, duke shtuar se po të lejoheshin votime të qeta dalja atje do të ishte mbi 25 për qind.
“Ajo çfarë na duhet neve tash është stabiliteti politik në veri në mënyrë që të krijojmë institucione legjitime dhe të thithen investimet, kështu që gjerat do të ndërrojnë”.
Kryeministri Thaçi ka thënë se Kosova nuk kërcënohet nga interesimi i serbëve. “Kosova është e kërcënuar nëse ata nuk integrohen”.
Ai ka hedhur poshtë kritikat se marrëveshja e Brukselit është treguar kontroverse edhe në Kosovë edhe në Serbi.
“Si duhet ta zgjidhim situatën me Serbinë? A duhet sërish ta fillojmë luftën? Ta vrasim njëri-tjetrin”, ka pyetur kryeministri kosovar.
“Kjo është marrëveshja më e mirë e mundshme për të dy vendet”. “Ne nuk kemi luftuar kundër serbëve, por kemi luftuar ta largojmë Serbinë nga Kosova dhe mekanizmat e saj të represionit”, ka shtuar ai.