11.8 C
Prizren
E mërkurë, 8 Maj, 2024

Thaçi për Die Presse: Rusia është një kërcënim për Ballkanin

Zëvendëskryeministri Hashim Thaçi, njëherësh ministër i Jashtëm i Kosovës, në një intervistë për të përditshmen më të madhe ditore në Austri “Die Presse” ka thënë se Kosova është viktimë e tërthortë e krizës së refugjatëve me të cilën po merret tash intensivisht BE-ja dhe se nuk duhet të përballemi me standarde të dyfishta të saj.

“Ne jemi një viktimë e tërthortë e kësaj krize. Në fillim të vitit ka pasur një periudhë të shkurtër të migrimit ilegal nga Kosova për në BE. Por, ne e kemi ndalur atë. Tani ne jemi duke punuar për të kthyer në Kosovë këta njerëz nga Gjermania dhe vendet e tjera. Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave. Ne nuk duhet të përballemi me standarde të dyfishta të Brukselit”, ka thënë Thaçi për Die Presse, ku ka sqaruar se ky ishte edhe një mashtrim i kontrabandistëve me interes financiar.

“Ne kemi arrestuar disa prej tyre. Dhe ne kemi nisur fushata informuese për të informuar qytetarët tanë që të kuptojnë, se ata nuk do të marrin azil në vendet e BE-së”, ka thënë Thaçi.

Zëvendëskryeministri Hashim Thaçi ka thënë se Kosova ka bërë progres, por ende ka nevojë për të bërë më shumë. Këtë vit, ka shtuar Thaçi për ditoren austriake, kanë siguruar investime të huaja që arrijnë në 1.5 miliard euro. Por se, nuk mund të mohohet që krijimi i vendeve të reja të punës mbetet problemi më i madh.

“Politikanët e të gjitha vendeve të rajonit i quajnë sfida të njëjta: ekonominë dhe vendet e punës. Për fat të mirë nuk ka pasur kurrë më shumë bashkëpunim në rajon se sa tani. Këtë e ka dëshmuar edhe Samiti Ballkanik i Vjenës në gusht. Çdo politikan në rajon duhet ta përmbyll shpejtë kapitullin e së kaluarës. Ngaqë ne ende paguajmë çmimin për luftërat në ish-Jugosllavi”, ka deklaruar Thaçi për austriaken Die Presse, raporton KosovaPress.

Thaçi është pyetur edhe për Gjykatën Speciale, për të cilën ka thënë se krijimi i saj ishte një çështje shumë e ndjeshme. “Vendimi nuk ishte i lehtë, por ne e kemi bërë atë. Ky ishte një detyrim ndërkombëtar i Kosovës. Edhe pse nuk ishte vendim popullor, megjithatë ishte një vendim i drejtë”, ka thënë Thaçi.

Ndërkaq, i pyetur nëse anëtarët e PDK-së mund të jenë në vëmendjen e Gjykatës Speciale, ai ka thënë se kjo nuk ka të bëjë me personat, por me procesin, i cili ofron një shans. “Ne duhet t’i kushtojmë vëmendje, çfarë me këtë vendi mund të fitojë. Ne nuk duhet të diskutojmë mbi emrat. Kosova ka dëshmuar pjekurinë ndërkombëtare me vendimin për themelimin e gjykatës”, ka deklaruar Thaçi.

Për Die Presse, Thaçi ka thënë se historia nuk mund të rishkruhet me padi dhe se Kosova ka udhëhequr një luftë mbrojtëse. “Unë nuk mund të jap asnjë garanci se nuk ka pasur në Kosovë sulme nga njerëz të pezmatuar nga ana e shqiptarëve të Kosovës. Por, kjo nuk mund të barazohet me përpjekjet e serbëve për gjenocid. Është e rëndësishme se tani çdo gjë është transparente. Kosova nuk ka asgjë për të fshehur”, ka thënë Thaçi.

I pyetur nëse ka mundur të imagjinojë gjatë luftës, që një ditë do t’i udhëheq negociatat karshi palës serbe, kryeministrit aktual Aleksandar Vuçiç, që asokohe ishte ministër i Informacionit në Beograd dhe me ministrin e Jashtëm, Ivica Daçiq, i cili ka qenë zëdhënës i partisë së diktatorit Sllobodan Millosheviq, Thaçi ka thënë se negociatat nuk ishin atëherë të pakonceptueshme, por se kurrë nuk do të kishte mundur të imagjinojë se do të luanin në të njëjtin ekip të futbollit, si në Samitin Ballkanik të Vjenës. “Aty në mbrëmje, ekipi i politikanëve të Ballkanit ka luajtur kundër ekipit të politikanëve të BE-së”, ka thënë Thaçi.

Për Die Presse, Thaçi ka thënë se Serbia de facto tashmë e ka pranuar se Kosova është shtet i pavarur. “Beogradi çdo ditë bën hapa që e shpien atë më afër një njohjeje zyrtare të Kosovës. Kryeministri Vuçiç ka luajtur një rol konstruktiv në përfundimin e marrëveshjeve të reja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës në Bruksel. Ato janë në interes të të dyja vend eve, që kontribuojë në normalizimin e marrëdhënieve dhe përshpejtojnë procesin tonë të integrimit për në BE”, ka thënë Thaçi.

Për t’u bërë anëtar i OKB-së, Kosovës i nevojitet pëlqimi i Moskës, kurse i pyetur nga Die Presse nëse sheh ndonjë shans, që aleati i Serbisë Rusia ta njeh Kosovën, Thaçi ka thënë se rusët nuk mund të jenë serbë më të mëdhenj se vetë serbët.

“Ne kemi lidhur marrëveshje me Beogradin, për t’i normalizuar marrëdhëniet. Prandaj, do duhej që edhe Rusia të ketë një pamje më pozitive për Kosovën dhe që ta njohin pavarësinë tonë. Ne duam marrëdhënie të mira me Rusinë. Por, ne e shohim atë si një kërcënim, pasi që Moska dëshiron të rrisë ndikimin në rajonin e Ballkanit se sa në të kaluarën. Sa më shumë që BE-ja lejon kohë për ta pranuar këtë rajon, aq më i madh do të jetë kërcënimi”, ka përfunduar Thaçi.

Më Shumë

Aksion pranveror në Prizren, nis mbledhja e mbeturinave të vëllimshme

Sektori i Mjedisit dhe Menaxhimit të mbeturinave në kuadër të Drejtorisë së Shërbimeve Publike në Komunën e Prizrenit, nga sot do të fillojë aksionin...

Osmani uron Ditën e Goranëve

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar Ditën e Goranëve. Ajo thotë se traditat dhe trashëgimia kulturore e komunitetit goran janë pasuri e Kosovës. ”Komuniteti goran...

Ballkani mban kreun

Lajmet e Fundit