24.8 C
Prizren
E mërkurë, 8 Maj, 2024

Rreth 63 mijë nënshkrime në peticionin kundër marrëveshjeve

Sipas organizatorëve të peticionit kundër marrëveshjeve të Brukselit dhe asaj për demarkacionin me Malin e Zi, deri sot atë e kanë nënshkruar rreth 63 mijë qytetarë.

Dita e pestë prej kur ka filluar nënshkrimi i peticionit kundër marrëveshjeve të fundit, veçmas asaj për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, të nënshkruar në mes të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, në kuadër të procesit të dialogut ndërmjet këtyre dy vendeve, si dhe marrëveshjes kundër demarkacionit të kufirit shtetëror të Kosovës me Malin e Zi, të nënshkruar në Vjenë, sipas zyrtarëve të opozitës që e kanë organizuar peticionin, siç raporton KosovaLive, ka rezultuar me rreth 63 mijë nënshkrime të qytetarëve.

Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Frashër Krasniqi, subjekt ky që bashkë me Aleancën për Ardhmërinë Kosovës dhe Nismën për Kosovën, si opozitë e bashkuar, e kanë organizuar nënshkrimin e peticionit, ka deklaruar për KosovaLive, se dita e martë ishte e veçantë për opozitën si për nga numri i qytetarëve që iu përgjigjën nënshkrimit të peticionit, si për nga veprimi i deputetëve opozitarë që penguan zhvillimin e seancës plenare të Kuvendit të Kosovës, ku siç vlerëson Lëvizja Vetëvendosje!, kryeministri Mustafa pa kurrfarë turpi tha se marrëveshjet me Serbinë dhe ajo e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi janë në harmoni me Kushtetutën e Kosovës.

“Afër 63 mijë qytetarë kanë nënshkruar kundër ndarjes etnike dhe defunksionalizimit të vendit dhe kundër faljes së territorit me marrëveshjen për demarkacion të kufirit me Malin e Zi. E gjithë kjo vetëm për 5 ditë peticion. Organizimi dhe mobilizimi qytetar po rritet dhe forcohet”, ka theksuar ai.

Sipas tij, ky peticion po tregon që organizimi dhe mobilizimi qytetar vetëm sa po vjen duke u rritur dhe forcuar.

Krasniqi bëri të ditur se qytetarët e interesuar, në Prishtinë i kanë 10 punkte ku mund të nënshkruhen, derisa siç tha ai, në të gjithë Kosovën janë 54 punkte fikse dhe disa të tilla mobile.

I pyetur se deri kur do të vazhdohet me mbledhjen e nënshkrimeve, Krasniqi tha se nuk e kanë përcaktuar se kur do të përfundon peticioni, por sipas tij, së paku edhe një javë do të vazhdoj patjetër.

“Duke qenë se interesimi i qytetarëve është shumë i madh, ne do t’ua japim mundësinë atyre që të nënshkruajnë, sado që të ketë nevojë”, ka përfunduar ai.

Që peticioni arriti të martën të mbledh qindra nënshkrime brenda pak orësh e dëshmojnë organizatorët që i takuam te tenda e vendosur në sheshin “Nëna Terezë”, para objektit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS). Sipas tyre, këtu vetëm për dy orë e gjysmë, të martën ishin mbledhur rreth 400 nënshkrime.

Valdrin Ahmeti, aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje!, ka thënë për KosovaLive se kjo tendë në Prishtinë ka mbledhur më së shumti nënshkrime, pasi që është në qendër.

“Për dy orë e gjysmë kemi mbledhur rreth 400 nënshkrime e që dëshmon për interesimin e madh të qytetarëve. Gjatë këtyre pesë ditëve ka pasur persona të të gjitha moshave që kanë shprehur dëshirën të nënshkruajnë kundër marrëveshjeve të arritura në Bruksel”, ka theksuar ai.

Opozita ka kundërshtuar marrëveshjet me Serbinë, e në veçanti atë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, pasi sipas saj, me ketë Kosova po e humb sovranitetin e saj dhe po krijohet një mini shtet serb në Kosovë.

Delegacioni kosovar dhe ai serb, të kryesuar nga dy kryeministrat, Isa Mustafa dhe Aleksandar Vuçiq, më 25 gusht në Bruksel, kanë nënshkruar në pako katër marrëveshje: Marrëveshjen për Asociacionin e komunave serbe, atë për telekomunikacionin, për energjetikën, si dhe marrëveshjen për heqjen e barrikadës mbi lumin Ibër.

Më Shumë

Plagoset aksidentalisht një person në Xërxë të Rahovecit

Një person është arrestuar pasi dyshohet se e ka plagosur aksidentalisht me armë zjarri një person tjetër. “SHKAKTIM I RREZIKUT TË PËRGJITHSHËM- Xërxë, Rahovec /...

Ngrihen çmimet e prodhimeve bujqësore

Në publikim e ASK-së, i bazuar në grumbullimin e çmimeve të prodhimeve bujqësore vendore në Kosovë, në TM1 2024, indeksi i çmimeve të prodhimeve...

Lajmet e Fundit