6.8 C
Prizren
E shtunë, 20 Prill, 2024

Thaçi: Prishtina më e sigurtë se Beogradi

Thaci14-12Krerët e partive politike në Kosovë janë liderë të zgjedhur në mënyrë demokratike, jo kriminelë. Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte në mesin e ushtrive më të suksesshme guerile në historinë bashkëkohore të Evropës dhe si ish-udhëheqës politik i UÇK-së, jam shumë krenar që fituam lirinë pas luftës kundër regjimit famëkeq të Slobodan Millosheviçit, tha për “Danas” Hashim Thaçi, kryeministër i Kosovës.
Thaçi theksoi se lufta mbrojtëse e Kosovës përfundimisht e ndihmoi Serbinë që ta hiqte qafe atë diktator.

Danas: Si po vijojnë bisedimet e partisë tuaj rreth formimit të një qeverie të re dhe me kë po bisedoni së këndejmi? A ekziston mundësia për krijimin e të ashtuquajturit “koalicion të madh” të Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës?

Thaçi: Më lejoni që fillimisht të them se këto ishin zgjedhje krejtësisht demokratike, të organizuara për herë të parë në mbarë territorin e republikës, duke përfshirë edhe veriun. Të gjitha partitë i pranuan rezultatet, kurse PDK-ja fitoj zgjedhjet me një diferencë shumë të rehatshme.

Ne madje e kemi rritur numrin e deputetëve tanë, gjë që shënon një arritje të pëlqyeshme për mandatin e tretë. Tani ne po presim konfirmimin përfundimtar të mandateve dhe formimin zyrtar të parlamentit të Kosovës.

Pas marrjes së të gjithë hapave të nevojshëm ligjor, presim që presidentja të na japë mandatin për bisedime mbi formimin e koalicionit dhe të qeverisë së re.

Ne jemi të hapur për diskutime më të gjitha partitë që dëshirojnë vazhdimin e jetësimit të programit ekonomik, krijimit të vendeve të reja të punës dhe integrimet evropiane.

Danas: Në rast se nuk do të jeni pjesë e qeverisë, a do të ndryshojë qëndrimi ndaj negociatave me Serbinë?

Thaçi:Si fitues të qartë të zgjedhjeve, presim ta drejtojmë qeverinë në katër vitet e ardhshme. Çështja e mandatarit tani është në duart e Gjykatës Kushtetuese dhe ne do ta respektojnë çdo vendim të gjykatës.

Pavarësisht nga formati i qeverisë, dialogu me fqinjët tanë është një kusht thelbësor për integrimin evropian.

Kosova ka arritur të krijojë kufirin e qartë me Serbinë dhe nuk ka asnjë dyshim se Serbia është dashur të pranojë kornizën kushtetuese dhe ligjore të Kosovës si ligjvënësen e vetme në veri të Kosovës.

Kjo është rrugë njëkahëshe, e cila do të vijojë si shtyllë e vendosjes së marrëdhënieve normale në Ballkan.

Unë si kryeministër, por edhe çdo kryeministër i ardhshëm në vitet që vijnë do të ndjekim rrugën evropiane, e cila është e kushtëzuar me vazhdimin e dialogut me fqinjët.

Danas: Cilët resorë do të mund t’u takojnë serbëve në qeverinë e re të Kosovës?

Thaçi:Pakica serbe ka vende të garantuara në Qeverinë e Republikës së Kosovës. Rreth pjesëmarrjes së saktë të pjesëmarrjes së tyre në qeverinë e ardhshme do të bisedohet pas konfirmimit të rezultateve dhe fillimit të negociatave për formimin e një qeverie të re.

Danas: Cilat do të jenë qëllimet kryesore të qeverisë së re të Kosovës nëse do ta merrni sërish postin e kryeministrit?

Thaçi: Fokusi kryesor i qeverisë sime do të jenë vendet e reja të punës, vendet e reja të punës dhe vendet e reja të punës. Çdo gjë tjetër rrjedh nga plani ynë për nisjen e Misionit të Ri të zhvillimit ekonomik.

Misioni ynë i parë ishte që ta largonim regjimin famëkeq serb. Misioni ynë i dytë ishte të shpallnim pavarësinë dhe të siguronim një pozicion të njohur ndërkombëtarisht, kurse misioni i ri do të jetë zhvillimi i hovshëm ekonomik i mbështetur në rezultatet e qarta të punës sonë në vitet e fundit. Ne kemi ndërtuar 1500 kilometra rrugë dhe autostrada në shtatë vitet e fundit, kemi ndërtuar 140 shkolla dhe kemi pasur një rritje mesatare të bruto prodhimit vendor prej 4.5 për qind në gjashtë vitet e fundit.

Kjo është një pikënisje shumë e mirë për vazhdimin e reformave tona dhe për përpjekjet tona për të krijuar vende të reja pune.

Danas: Si do të punojë qeveria juaj në përmirësimin e sigurisë së komunitetit serb dhe për kthimin e serbëve?

Thaçi:Komuniteti serb është i sigurt në Kosovën e re dhe të pavarur. Statistikisht, më e sigurt është të shëtitni nëpër Prishtinë se në Beograd.

Duhet të sigurojmë jetësimin e rezultateve të dialogut për të normalizuar gjendjen.

Njerëzit kanë nevojë për normalitet për t’u ndjerë të sigurt dhe kanë nevojë për normalitet për të vazhduar jetën e tyre.

Ne do të punojmë së bashku për të krijuar besimin në vendin tonë, por ne nuk duhet të harrojmë se Kosova është përballur me kërcënimin e gjenocidit vetëm 15 vjet më parë.

Ne ende gërmojmë trupat e viktimave të fshehura në varreza masive nëpër Serbi dhe duhet gjithsesi t’i mbyllim kapitujt e dhimbshëm për të lëvizur drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ku përfitues do të jenë shqiptarët, serbët, turqit, boshnjakët, romët dhe të gjithë kosovarët e tjerë.

Danas: Cilat janë pritjet tuaja për fazën e ardhshme të negociatave në Bruksel?

Thaçi: Në fund të të gjit hë procesit do të kemi shumë njohje të realitetit, duke përfshirë edhe pavarësinë e Kosovës, si një pjesë thelbësore të arkitekturës së Ballkanit. Nuk kam asnjë dyshim se ne po shkojmë në atë drejtim.

Danas: A mendoni se deklarata juaj se “vendosja e “Parkut të Paqes“ ishte një akt i turpshëm i krijimit të një barrikade të re“ i ka kontribuar trazirave të mëvonshme në Mitrovicë?

Thaçi: Po e përsëris edhe një herë, ngritja e barrikadës së re në mes të urës është një akt i turpshëm. Ky veprim nuk do të pranohet nga Bashkimi Evropian, nuk do të pranohet nga asnjë qytetarë i Mitrovicës, si në jug ashtu edhe në veri, sepse njerëzit janë ngopur me ndarje, ata duan një ekonomi të mirë dhe bashkëpunim.

Pres që barrikadat, edhe nëse disa i quajnë “parqe të paqes”, të hiqen në mënyrë që njerëzit të mund të lëvizin lirisht. U bëj thirrje udhëheqësve të komuniteteve komunale që të reflektojnë se si do t’i zgjidhin problemet e tyre lokale dhe jo t’i rrisin problemet.

Ne duket të jemi të vendosur. Asnjë park, fushë sportive apo kopsht nuk mund të ngritën në mes të rrugëve apo urave, qoftë në Prishtinë, Beograd, Nju Jork apo Mitrovicë.

Ky i ashtuquajturi park i paqes është një tallje ndaj përpjekjeve për paqe. Por, ne nuk guxojmë të biem pre e provokimeve të atyre që orvaten që ta shtyjnë zbatimin e marrëveshjes së Brukselit. Edhe më e rëndësishme është që të përqendrohemi në krijimin e një gjykate të Kosovës në veri dhe të mundësojmë integrimin e plotë të kësaj pjese në sistemin tonë ligjor.

Danas: A prisni që gjendja në Mitrovicë të stabilizohet?

Thaçi: Ndonjëherë, skenat që mund t’i shohim në televizion mund të na duken dramatike. Megjithatë, jeta e qytetarëve të zakonshëm është më pak dramatike dhe është e përqendruar në sigurimin e pages, luftën kundër korrupsionit, në lëvizjen e lirë. Mitrovica po rrugëton drejt zgjidhjes së problemeve të saj.

Serbët në Mitrovicë tani kanë përfaqësues ligjor në vend të strukturave paralele të Serbisë. Në kuadër të kontekstit demokratik do të forcojmë edhe më tej përparimin e shënuar vitin e shkuar. Duhet të jemi të qetë dhe të vazhdojmë ta përmirësojmë jetën e njerëzve të zakonshëm.

Më Shumë

Vodhi kuletën e një gruaje tjetër, policia shpall në kërkim të dyshuarën nga Prizreni

Policia e Kosovës ka kërkuar nga qytetarët ndihmë nga qytetarët për identifikimin e një të dyshuare për veprën “Shpërdorim i pasurisë së huaj”. Policia njofton...

Osmani: Pesë policë të Kosovës po mbahen peng nga Serbia

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se pesë policë të Kosovës “po mbahen peng” nga Serbia, shtet të cilin e cilësoi si “shovinist”. Në ceremoninë...

Lajmet e Fundit