20.8 C
Prizren
E enjte, 2 Maj, 2024

Thithma gjuhën, shtypmi k*qet

Artikulli fillimisht është botuar në Project-Syndicate.

SLAVOJ ŽIŽEK

Në një video të fundit që u bë virale, Dalai Lama mund të shihet duke i kërkuar një djali shtatë-vjeçar që t’i japë një përqafim dhe më pas t’ia “thithë gjuhën.” Reagimi i menjëhershëm nga shumë njerëz në Perëndim ishte ta dënonin Dalai Lamën që ishte sillur papërshtatshëm, duke bërë edhe spekulime se ai ishte rrokatur, se ishte pedofil apo të dyja bashkë. Të tjerë, më miqësorë, vërejtën se të nxjerrësh gjuhën jashtë është traditë në kulturën tibetiane – shenjë e dashamirësisë (që demonstron se gjuha e tjetrit s’është e zezë, që simbolizon të keqen). Sidoqoftë, t’i kërkoje dikujt që ta thithte gjuhën s’ishte pjesë e asaj tradite.

Në fakt, fraza korrekte tibetiane është “Che le sa,” që mund ta përkthejmë si “hama gjuhën.” Gjyshërit shpesh e përdorin me dashuri për t’i ngucur nipërit, si për t’ju thënë: “Të kam dhënë gjithçka, prandaj e vetmja gjë që më ka mbetur është të ma hash edhe gjuhën.” S’është nevoja të thuhet, që kuptimi ishte humbur në përkthim. (Ani që anglishtja është gjuha e dytë e Dalai Lamës, ai nuk e njeh aq mirë sa gjuhën amtare.)

Natyrisht, fakti që dikush është pjesë e një tradite nuk nënkupton domosdo që ai nuk mund të kritikohet. Klitoridektomia është po ashtu pjesë e traditës antike tibetiane, por sigurisht se nuk do ta mbronim sot. Dhe edhe nxjerrja e gjuhës jashtë i është nënshtruar një evolucioni të çuditshëm në gjysmë-shekullin e fundit. Siç kanë shkruar Wang Lixiong dhe Tsering Shayka në Luftën për Tibetin”:

“Gjatë revolucionit kulturor, nëse një bujkrob zateste robër të çliruar në rrugë dilte skaj rruge e mbante një distancë, pastaj vinte mëngën në supe, përkulej dhe nxirrte gjuhën jashtë – një mirësjellje që iu bëhej atyre që kishin pasur status më të ulët– dhe guxonin që ta vazhdonin rrugën vetëm pasi ish-robërit të kalonin. Tash (pas reformave të Deng Xiaopingut) gjërat kanë ndryshuar: ish-skllavët rrinë në skaj të rrugës, përkulen dhe nxjerrin jashtë gjuhën, duke i liruar rrugën ish-pronarëve të tyre. Ky ka qenë një proces delikat, krejtësisht i vullnetshëm, as i imponuar nga ndokush por as i shpjeguar.”

Kësisoji, nxjerrja e gjuhës jashtë nga dikush shenjon vetëpërulësinë, jo kujdesin dashamirës. Pas “reformave” të Dengut, ish-robërit kuptuan se përsëri ishin në fund të shkallës shoqërore. Edhe më interesant është fakti që i njëjti ritual iu mbijetoi transformime kaq të mëdha shoqërore.

Të kthehemi te Dalai Lama. Është e mundshme – dhe natyrisht bindëse – që autoritetet kineze e kanë orkestruar apo lehtësuar përhapjen e gjerë të këtij klipi që do të përlyente figurën që mishëron më së shumti rezistencën tibetiane ndaj dominimit kinez.

Të gjithë tashmë kemi marrë një pamje të paktë të Dalai Lamës si “fqinj” yni në kuptimin lakanian të fjalës: Tjetri që s’mund të reduktohet në dikë si ne, tjetërsia e të cilit paraqet një greminë të padepërtueshme. Interpretimet tepër të seksualizuara të komentuesve perëndimorë për gjestet e tij reflektojnë hendekun e pakalueshëm në të kuptuarit mes kulturave.

Por raste të ngjashme të tjetërsisë së padepërtueshme janë të lehta për t’u gjetur brenda kulturës perëndimore. Vite më parë, kur po lexoja se si nazistët torturonin të burgosurit, u traumatizova goxha kur mësova se ata bile edhe kishin prodhuar shtypës industrial testikujsh për të shkaktuar dhimbje të padurueshme.

Mbahuni sepse së fundi zbulova një produkt të ngjashëm në një reklamë online:

“Zgjidhni helmin tuaj për kënaqësi… SHTYPËS I ÇELIKTË KOQESH, PAJISJE SHTRËNGUESE KOQESH PËR TORTURË… Nëse jeni në shtrat me partnerin tuaj, melankolike dhe e lodhur nga jeta, kjo është koha e duhur për t’ia shtypur testikujt! Ky është momenti që e keni pritur gjatë – për të gjetur aletin e duhur për t’i brutalizuar koqet e tij!”

Merreni me mend sikur të shkoja në një dhomë ku dy burra po e shijonin këtë mjet. Duke e dëgjuar njërin prej tyre derisa çirrej në dhimbje, do ta keqkuptoja atë që po ndodhte. A duhet të trokisja në derë dhe me mirësjellje të pyesja, me rrezikun që të dukesha si idiot, “A po e bëni me miratim këtë gjë?” Tekembrama, nëse thjesht do të vazhdoja të ecja, do të shpërfillja mundësinë që përnjëmend ai të ishte një akt dhune.

Ose, merreni me mend skenarin kur një burrë po i bën diçka të ngjashme një gruaje – po e torturon me miratimin e saj. Në këtë epokë të korrektësisë politike, shumë njerëz do të mendonin menjëherë se ai veprim do të ishte i dhunshëm, ose do të përfundonin që gruaja e ka internalizuar represionin mashkullor dhe ka filluar ta identifikojë veten me armikun.

Është e pamundur ta marrim këtë situatë pa ambiguitet, pa pasiguri, apo konfuzion, sepse përnjëmend ka disa burra e gra që e shijojnë një sasi të caktuar dhune, veçanërisht nëse ushtrohet sikur të mos jetë i miratuar paraprakisht. Në këto rituale sadomazohiste, akti i ndëshkimit shenjon praninë e një dëshire ekzistuese që e justifikon atë. Për shembull, në kulturën ku përdhunimi ndëshkohet me kamzhik, një burrë mund t’i kërkojë fqinjit të tij që ta fshikullojë brutalisht, jo si ndonjë formë e shlyerjes së mëkateve, por sepse ushqen një dëshirë të thellë për të përdhunuar gra.

Në një kuptim, rruga prej mjeteve naziste për shtypje të koqeve e deri te mjetet erotike të përdorura në lojëra sadomazohiste mund të shihen si shenjë e progresit historik. Por ka një paralele ndaj “progresit” që çon disa njerëz të spastrojnë veprat klasike të artit nga çfarëdo përmbajtje që mund të lëndojë apo ofendojë dikë.

Ne jemi lënë me një kulturë në të cilën është në rregull të durosh dhimbje të miratuar për kënaqësi trupore, por jo edhe në fushën e fjalëve dhe ideve. Ironia, natyrisht, është që përpjekjet për të ndaluar apo shtypur fjalët apo idetë do t’i bëjë ato edhe më tërheqëse dhe të fuqishme si dëshira sekrete e profane. Fakti që një superego i ka shijuar ato u jep kënaqësinë – dhe kërkuesit e kënaqësisë – që përndryshe s’do ta kishin.

Pse rritja e lejueshmërisë duket sikur rrit impotencën dhe fragjilitetin. Dhe pse, nën kushte të caktuara, kënaqësia mund të shijohet vetëm përmes dhimbjes? Përkundër asaj që kanë pretenduar gjatë kritikët e Freudit, momenti i psikanalizës vetëm sa ka arritur, sepse është korniza e vetme që mund të zbërthejë rrëmujën e madhe inkonsistente që e quajmë “seksualitet”.

Më Shumë

Pamje nga aksidenti në Suharekë, dy personat e ndjerë shihen të mbuluar në rrugë (VIDEO)

Janë publikuar pamjet nga aksidenti i rëndë që u regjistrua pasditen e kësaj të diele (sot), në Shirokë të Suharekës, ku humbën jetën 2...

Totaj takon kryetarët e rinj të fshatrave dhe lagjeve të Prizrenit

Kryetari I Komunës, Shaqir Totaj u takua sot me kryetarët e rinj të fshatrave dhe lagjeve  të Prizrenit. Ai i ka përgëzuar ata për marrjen...

Lajmet e Fundit