“Është e padiskutueshme, madje e pamohueshme që akoma ka në të gjitha shtyllat e shtetit figura që jo vetëm kanë qenë, por edhe janë akoma në shërbimin e spiunimit. Pyetjes se kush janë ata, përgjigjja duhet të vijë pa vonesë nga Shërbimi i Inteligjencës i Kosovës, që është institucioni më i thirrur, madje edhe më i besueshmi, i cili do të duhej të merrej me dekonspirimin e listave të UDB-së dhe historikun e së kaluarës së njerëzve, që gjenden në mesin e këtyre listave”, u shpreh analisti Ali Hertica, raporton Gazeta Kosova Sot
Kosova, si realitet i ri, shtet me identitet ndërkombëtar, pavarësisht sfidave që ka në rrugëtimin e vet plot pengesa, akoma mbi vete bart barrën e së kaluarës nga regjimi totalitar komunist dhe pasja në brendi të institucioneve të shtetit, madje edhe në disa parti politike, të disa figurave që nuk janë të pakta në numër, e që në të kaluarën kanë qenë në shërbim të UDB-së dhe të bërave të këtij shërbimi serbosllav në dëm të interesit shqiptar. Sado që hapja e dosjeve dhe krijimi i kushteve ligjore për distancim nga mbeturinat e tilla kërkohet vazhdimisht nga politikanë brenda subjekteve politike, edhe nga njohës të fushës së ligjit e analistë të pavarur, politika kosovare akoma nuk po merr guximin të ballafaqohet me një realitet të tillë.
Deputeti nga radhët e LDK-së, Adem Salihaj, sado që e sheh me interes zbardhjen e këtyre dosjeve, ai thotë për hapjen e tyre nuk ka vullnet te asnjë subjekt politik kosovar, ndonëse është një pikëpyetje e madhe, nëse vërtet ka dosje të tilla që ka lënë regjimi serb në Kosovë, ose nëse të tillat do t’i dorëzoheshin me vërtetësinë e tyre besnike palës kosovare në rast se ato kërkohen. “Klasa politike e Kosovës nuk është e interesuar që të kërkohen dosjet e UDB-së e as të bëhen publike ato, sepse mund të ketë tillë, që nuk e kanë një të kaluar të pastër madje, duke marrë parasysh se mund të kenë qenë bashkëpunë- torë të dikurshëm, mund të jenë të tillë edhe sot”, u shpreh Salihaj për “Kosova Sot”.
Smaka: Lidhja e njerëzve të inkriminuar të UDB-së me politikën zyrtare mund të jetë marramendëse
Salihaj është i sigurt që edhe po u kërkuan ato dosje, Serbia nuk do t’i dorëzojë ato, por do t’i mbajë për vete që ta ruajë akoma më gjatë komunikimin dhe spiunimin nga njerëzit që ka brenda politikës dhe institucioneve të Kosovës.
“Unë nuk besoj aspak që edhe UDB-ja serbe do t’ia dorëzojë Kosovës këto dosje, sepse, në këtë mënyrë do t’i diskreditojë e bashkëpunëtorët e saj dhe do t’i dëmtonte interesat e saj në Kosovë. Serbia përmes këtyre dosjeve i shantazhon spiunët e saj në Kosovë dhe i realizon interesat e saj. Nuk është e rastit që të gjitha propozimet e saj në Bruksel janë pranuar dhe nënshkruar pa asnjë hezitim, duke dëmtuar rëndë interesat shtetërore të Kosovës”, tha Salihaj për “Kosova Sot”.
Edhe eksperti i së drejtës, Riza Smaka, është më së i sigurt që klasës së tanishme politike kosovare kurrsesi nuk i përshtatet hapja e listave të keqbërësve, ngase ka drojë serioze se jo pak eksponentë të saj do të dilnin kolaboracionistë të punëve të liga, të inkriminuara e të pista. Ai pohon se lidhjet e njerëzve të inkriminuar të UDB-së me politikën zyrtare madje mund të jenë marramendëse.
“Vetëm në këto gjashtëmbëdhjetë vjetët e fundit, tani kryesisht nga individë, përkatësisht grupe individësh, të sponsorizuar nga nëntoka e errtë kriminale, bën shumë krime e mjerisht pak për të mos thënë aspak sish nuk janë proceduar penalisht sipas Kodit të Procedurës Penale dhe nuk janë ndëshkuar sipas Kodit Penal. Në vendin tonë edhe sipas raporteve e vlerësimeve të institucioneve përkatëse të BE-së, krimi i organizuar, korrupsioni dhe trafikimi me qeniet humane, pothuajse ushtrohet organizueshëm dhe padënueshëm! Pos qendrave komunale në kryeqendër, në Prishtinë, në këto dhjetë vitet e fundit janë ndërtuar objekte shumëkatëshe në kundërshtim me aktet juridike për ndërtimet dhe me planifikimin hapësinor, dhe ashtu ndër të tjera është shkatërruar edhe ambienti, është dëmtuar estetika elementare e eksterierëve të objekteve banesore e komerciale. Në anën tjetër, ndërtimet ilegale janë bërë në bashkëveprime të ngushta me individët udhëheqës me influencë gjithnjë për kompensime korruptive nëpërmjet parasë së pistë, lokaleve e apartamenteve luksoze. Në këtë kontekst, grupet kriminale, zakonisht, nuk njohin kufij kombëtarë as shtetërorë dhe për aq janë të ndërlidhura me interesa të pista e kriminale”, u shpreh profesor Smaka për “Kosova Sot”. /Kosova Sot/