6.9 C
Prizren
E mërkurë, 4 Dhjetor, 2024

“Unaza e Katit” për Nevila Nikën që zbuloi Abetaren e Zymit

Nevila Nika-takimet e GjecovitNë fshatin Zym të Hasit, për të 42-tën herë është mbajt manifestimi tradicional “Takimet e Gjeçovit”. Në këtë manifestim morën pjesë dashamirë të fjalës së shkruar, politikanë e të tjerë, raportoi klultplus. Ky edicion iu kushtua 90 vjetorit të lindjes së aktores Katarina Josipi. Josipi u shqua për veprimtarinë e saj të pasur në fushën e artit skenik. Laureate e çmimit vjetor “Unaza e Katit”, është drejtoresha e Arkivit Shtetëror të Shqipërisë, Nevila Nika. Nevila Nika, drejtoreshë e Arkivit Qendror Shtetëror të Shqipërisë është shpallur laureate e Çmimit “Unaza e Katit” nga Këshilli organizativ i manifestimit tradicional “Takimet e Gjeçovit”, i cili u mbajt në Zym të Hasit.

Në këtë ngjarje kulturore, letrare e shkencore morën pjesë një numër i madh krijuesish.

Organizatorët e falënderuan drejtoreshën Nika për zbulimin dhe sigurimin e materialit për botimin e “Abetares së Zymit 1900” së bashku me famulltarin Don Ndue Ballabanin.

Nevila Nika, tha se ndihet e nderuar me këtë çmim, pasi siç u shpreh, ka arritur që sado pak të kontribuojë, për botimin e Abetarës së Zymit.

“Unë gjysmë jam nga Kosova dhe gjysmë nga Shqipëria. Prindërit e mi në kryeqytetin e Shqipërisë, në Tiranë, arritën ta realizojnë urën e bashkimit të cilën shumë individë u munduan ta rrënojnë. Unë jam rritur duke dëgjuar histori për Kosovën. Kjo tokë e lashtë ka dhënë shumë. Shpesh na është thënë se ne kemi luftuar vetëm me armë. Jo. Ne kemi ditur të luftojmë edhe me libër. Këtu u përmend Nënë Tereza dhe At Shtjefën Gjeçovi, miku më i ngushtë i At Gjergj Fishtës që i këndoi aq bukur këtij vendi arbëror. Vërtet më keni bërë nder që më keni dhuruar këtë çmim kaq madhështor”, pohoi Nika, transmeton Koha.

Në edicionin e 42-të të këtij manifestimi, një tribunë e veçantë iu kushtua shënimit të 90-vjetorit të lindjes së artistës së madhe shqiptare Katarina Josipi, e cila gjatë 21 vjetëve sa punoi në Teatrin profesional të Prishtinës luajti përkrah artistëve të mëdhenj si, Bekim Fehmiu, Nexhmije Pagarusha, Muharrem Qena Hyrie Hana, Isref Begolli etj.

Me nga një kumtesë për këtë jubile u paraqitën Frrok Kristaj si dhe Antoneta Dulaj. Kristaj me kumtesën e tij “Promadonë e teatrit dhe atdhetare”, theksoi se Katarina Josipi ishte kampione dhe bartëse e roleve më komplekse të reportorit të Teatrove.

“Bukuria e brendshme e Katit shpërthente vetëm kur fikeshin dritat në sallë e ndizeshin të tjerët në skenë. Atëherë temperamenti i saj artistik i magjepste dhe i çonte shikuesit në një tjetër botë. Të gjitha rolet i interpretone me passion, me përkushtim duke e shkrirë vetën në role dhe duke përjetuar, krijuar fytyra të reja. Katarina Josipi me talentin e saj të një artisteje të parë dhe të madhe, ngriti një galeri të tërë tipesh që e përjetoi jetën pa kufi, kohë e hapësirë.”, theksoi Kristaj.

Ndërsa, kushërira e aktorës Katarina Josipi, Antoneta Dulaj me kumtesën e saj “Të shkojmë shembujve të figurave tona komëtare” ka theksuar se anipse thuhet se të gjitha femrat në botë e flasin gjuhën e heshtjes, Kati dhe Marie Shllaku nuk kanë heshtur kurrë. Ajo bëri thirrje që të çmohen figurat e ndritura kombëtare.

“Dua të theksoj edhe një gjë se, derisa ishte në jetë Katarina Josipi, Teatri Kombëtar njëherë në vit e shfaqte një pjesë teatrale të Zymit tonë. Kjo traditë pat vazhduar për një kohë, edhe pas saj, por me angazhimin e veprimtarit tonë, Frrok Kristaj , por ja se tash e sa kohë një amanet i tillë i Katit më nuk po repektohet. Sot edhe shumëçka nuk po repektohet në mesin tonë. Ndaj edhe i madhi Ibrahim Rugova nuk e ka thënë kotë se, popullit me mentalitet robërie, i nevojiten njerëz me mentalitet lirie. Ndaj, ju thërras që të kthjellemi pak se nuk kemi të drejt t’i nëpërkembim figurat tona të mëdha, me të cilët krenohet bota.”, tha ajo.

Ndërkaq, aktorja e njohur Leze Qena ka evokuar kujtime të mira me Katarina Josipin.

“Unë kam ardhë në Zym edhe si fëmijë dhe prej asaj kohe kam dëgjuar për historinë e At Shtjefën Gjeçovit dhe gjithnjë jam mburrë që jam shqiptare. Me Katin kemi jetuar një kohë të gjatë, por ja që për mua ajo kohë ishte shumë e shkurtër. Katin e kam pas si nanë, motër, mësuese, shoqe, kolege. Në çdo rol që kam luajtur me të e kam pasur diçka. Unë shumë gjëra kam mësuar prej saj. Sa i përket interpretimit të Katarina Josipit, deri në mëngjez do të flisja. Ajo ishte dhe do te mbetet fenomen i skenës.”, ka thënë Qena.

Në pjesën e dytë të manifestimit “Ora e Anton Pashkut”, kanë lexuar poezi poetët nga Shqipëria dhe Kosova si Etleva Tafa, Pashtrik Braha, Jozefina Traboini, Prend Buzhala, Fatime Ahmeti, Skënder Zogaj, Çerkin Bytyçi dhe disa të tjerë.

Në fund, të panishmit kanë pasur mundësi të shohin edhe ekspozitën me disa fotografi kushtuar përvjetorit të lindjes së aktorës shqiptare, Katarina Josipi.

Më Shumë

Malisheva shkëlqen dhe kalon në 1/8 e Kupës së Kosovës

FC Malisheva ka treguar formë të jashtëzakonshme në ndeshjen e 1/16 të Kupës së Kosovës, duke mposhtur FC Fushë Kosovë me rezultat të thellë...

Blloku `B1` në KEK dy ditë do të jetë jashtë funksionit

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) njofton se sonte para pas mesnate është ndalur njësia B1, sipas një planifikimi të mëhershëm. “Gjatë kësaj ndalese të shkurtër...

Lajmet e Fundit