Ka vazhduar “lufta” në Facebook, e kreut të AKR-Së, Behgjet Pacolli e atij të LDK-së Isa Musftafa.
Fillimisht kishte qenë Pacolli që kishte thënë se e di fajin për vdekjen e një të riu, që dyshohet se helmua. Mustafa i tha që të tregojë ata. Nga një status e kanë shkëmbyer edhe me të 9-tin. Pacolli ka shkruar në orët e para të kësaj dite, e Mustafa me mëngjes.
E Pacolli ka thënë se kush e ka mizën pas veshit reagon.
Statusi i plotë i Pacolli në Facebook:
Z. Mustafa, partitë nuk inspektojnë asgjë, as cilësi, as nivel të higjienës, e as standarte për produktet jetësore. Janë institucionet që e bëjnë atë.
Z. Mustafa, cilësia e një produkti, që matet nga Agjensioni i Veterinës dhe Ushqimit, (I cili gjithashtu e ka përgjegjësinë e vetë) mund të jetë në nivel në momentin që futet në Kosovë. Por këto produkte, në mungesë të kontrollit insistues të inspekcionit sanitar natyrisht shndërrohen në materie të rrezikshme për shëndetin e qytetarit.
Zoti Mustafa, cili është roli i komunës në inspektimin e higjienës nëpër restorantet, supermarketet, dyqanet dhe vendet ku mbahen, shiten dhe konsumohen produktet ushqimore? Si trajtohen ato?
Cili është roli i inspektorëve komunalë pasi që ti personalisht ke qenë për vite me radhë kryetar komune? Apo më mirë, qe ta jap një shembull… A është komuna e Prishtinës, që kohë më parë ka ndërprerë kontratë për furnizim me naftë pikërisht pse inspektorët e saj kanë vërejtur se cilësia e naftës për ngrohje është kancerogjene? Situatën në Prishtinë e keni kontrolluar ju. Inspektorët kanë qenë nën autoritetin tuaj.
Prandaj miku im, nivelin dhe gjendjen e lidershipit politik kosovar shumë bukur e pasqyroi edhe ambasadorja Jacobson, nëpërmjet numërimit të aferave korruptive për të gjithë dhe në këtë drejtim besoj çdo fjalë është e tepërt të thuhet.
Siç po shihet korrupsioni në Kosovë po merr edhe jetëra të njerëzve dhe është mëkat se si ju, humbjen e jetës së Valonit, e konsideroni si diçka të rëndomtë.
Nëse ju keni vizion dhe pretendoni ta udhëhiqni Kosovën, një shëtitje do të ju mjaftonte të reflektoni.
Kundërpërgjigja e Isa Mustafës:
Me vjen keq që ne mëngjes duhet t’i përgjigjem z. Pacolli, për shkak të mungesës së dijeve të tij për përgjegjësitë e pushtetit qendror, ku është ai zëvendëskryeministër dhe ato të pushtetit lokal.
Unë kërkova nga z. Behxhet Pacolli që të marrë guximin dhe të tregojë se kush janë bosët e mafisë ekonomike në qeverinë e tij. E dita paraprakisht që ai nuk guxon të tregoj, edhe pse ai e din se kush lëshon licenca për importim të mishit në qeverinë e tij dhe kush janë pronarët e licencave.
Sa për inspeksionin, ai duhet ta kishte ditur se inspeksioni i tregut ka një kohë të gjatë që me ligj ka kaluar nga niveli lokal në përgjegjësinë e Ministrisë së Tregtisë dhe të Industrisë, kurse ministri është nga AKR. E njëjta gjë është edhe me inspeksionin sanitar, edhe ai udhëhiqet nga niveli qendror.
E tani është rendi që Behxhet Pacolli së pari të tregoj kush janë bosët e mafisë ekonomike, së dyti të kërkoj falje që është zëvendëskryeministër e nuk ka lidhje me punën që e bën.