14.8 C
Prizren
E hënë, 16 Shtator, 2024

Vëmendje më e madhe e institucioneve për kulturën në vitet e fundit

MemKrasniqi-MKRSNë teatrin Oda, në Prishtinë, u mbajt sot Konferenca Vjetore e Forumit Kulturor, e cila është rrjet i organizatave të pavarura të kulturës në Kosovë, ku për temë të kësaj konference me theks është diskutuar për politikat kulturore dhe qasjen strategjike ndaj zhvillimit të kulturës së institucioneve qendrore dhe lokale.

Në konferencë në panelin kryesor morën pjesë Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, Shefi i operacioneve në Zyrën e Komisionit Evropian në Kosovë, Christof Stock dhe Florent Mehmeti, Kryetar i Forumit Kulturor.

Ministri Krasniqi tha se në këto vitet e fundit vëmendja e institucioneve qendrore dhe lokale është më e madhe për kulturën. Këtë fakt e kanë pohuar edhe drejtuesit e Forumit dhe pjesëmarrësit në konferencë. Po ashtu, ministri përmendi se është një lajmi i mirë për të gjithë kulturën në Kosovë që gjatë javës do merret vendimi për themelimin e grupit punues për hartimin e Strategjisë nacionale në Kosovë.

“Në harmoni edhe me temën në këtë panel do të thosha që kjo strategji do të jetë baza kryesore e bashkëpunimit dhe dialogut tonë. Strategjia padyshim se nuk do t’i zgjidh si me shkop magjik gjërat. Ajo çka duhet të bëjmë të gjithë është që strategjia të hartohet në mënyrë sa më konkrete, bazuar në praktikat më të mira, rrethanat në të cilat jetojmë dhe e zbatueshme në terren”, tha ministri, duke e konsideruar se në këtë mënyrë edhe do të kontribuohej edhe më shumë në depolitizimin e kulturës.

Ministri tha se në këto vjet MKRS ka punuar që të rrisë buxhetin në të gjitha drejtimet dhe të luajë rolin e një lehtësuesi për komunitetin e kulturës.

“Me mirëkuptimin e qeverisë ne arritëm të rrisim buxhetin për kulturë, sidomos në fushën e subvencioneve e cila është dyfishuar. Buxheti për këtë vit në subvencionimin e projekteve të kulturës së pavarur ka qenë mbi 900 mijë euro. Me rritjen e buxhetit u krijuan më shumë mundësi që artistët e pavarur të shfaqin krijimtarinë e tyre në teatër, prodhim filmash, ekspozita etj,” theksoi ministri.

Një aspekt tjetër që përmendi ministri Krasniqi ishe edhe diplomacia kulturore që në këto tre vjet ka qenë një ndër angazhimet kryesore dhe prioritet i vazhdueshëm. Ai përmendi se skena kulturore është prezantuar në aktivitete të rëndësishme ndërkombëtare si në Berlinale, Cannes, Bienalen e Venedikut, etj. Ai po ashtu tha se me rritjen e buxhetit në MKRS është shtuar edhe mbështetja për aktivitete kulturore që zhvillohen në Kosovë.

Ministri u shpreh i hapur që të bashkëpunojë ngushtë me komunitetin kulturor në mënyrë që ata të jenë vërtetë motori i zhvillimit edhe më të madh të kulturës, të afirmimit të vlerave dhe promovim të skenës sonë kulturore në botë.
Ai premtoi se edhe në vitin e ardhshëm do të ketë rritje të buxhetit në të gjitha aspektet që lidhen me kulturën dhe është inkurajuese, shtoi ai, që rritja e buxhetit po vazhdon në çdo vit.

Si një nga sfidat në bashkëpunim mes institucioneve qendrore dhe operatorëve kulturor privat, ministri konsideroi se është vet ndërkomunikimi dhe dialogu përbrenda grupeve të përfshira dhe që merren me kulturë, mos përfshirja e madhe e vet artistëve në nisma të ndryshme, si dhe hapësira e vogël që kultura dhe artistët kanë në media. Po ashtu ai tha se sfidë mbetet edhe mbështetja nga biznesi për aktivitete kulturore. Ai shtoi se organizata kulturore duhet të tregojnë më shumë atraktivitet dhe përkushtim që të bashkëpunojmë me biznesin, në mënyrë që mbështetja të jetë më e madhe. Ministri tha se ka shumë vende që nuk e kanë fare Ligjin për sponosirizme por mbështetja e biznesit për kulturën nuk mungon asnjëherë.

Ndërkaq Christof Stock, Shef i Operacioneve në Zyrën e BE-së në Kosovë, shprehu falënderimin dhe kënaqësinë që pati që të adresohet në këtë konferencë të Forumit Kulturor, i cili si aktivitet kontribuon në ndërtimin e politikave më të mira që kanë të bëjnë me kulturën dhe vendimmarrjen për të.

“Çdo politikë duhet të gjejë inspirimin në vetë kulturë”, tha Stock, duke e inkurajuar ministrin dhe institucionet qendrore e lokale të ndërtojnë politika sa më të mira kulturore përmes debatit në qarqe profesional e të fushës.

E kryesuesi i konferencës dhe i Forumit Kulturor, Florent Mehmeti, tha se kjo është një përmbyllje e aktiviteteve për këtë vit, i cili si Forum, punën e tij e ka fokusuar në dy shtylla, në ngritjen e kapaciteteve dhe në të edukimit për zhvillim të politikave kulturore për përmirësim të kulturës së pavarur./PrizrenPress.com/

Më Shumë

Familja e profesorit Gani Rudaj akuzon QKUK-në për lirim të parregullt dhe humbje të dokumenteve pas trajtimit

Nga data 27 gusht, profesori nga Prizreni, Gani Rudaj, është raportuar i zhdukur. Ai u pa për herë të fundit ndërsa po trajtohej në...

Muharremaj përkujton Demë Ndrecajn

Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, sot e ka përkujtuar Demë Ndrecajn, përcjell PrizrenPress. Ai e ka cilësuar Ndrecajn si shembull të përkushtimit për...

Lajmet e Fundit