13.8 C
Prizren
E premte, 3 Maj, 2024

Vera pa kthim e Besnik Mustafajt

vera-pa-kthim-210x300Për Dr. Marisa Kërbizi, “Vera pa kthim” është një roman, që duhet të lexohet duke mbajtur në mend sugjerimin e RenèMagritte se: Shumëçka nuk është ashtu siç duket (Thisis not a pipe). Leximi i këtij romani, i ngjan procesit të formimit të një puzzle; në fund fare, atëherë kur faqja e mbrame e librit mbaron, bëhet zbulesa e mrekullishme e “figurës mbi qilim”, magjia e së cilës të shtyn ta rinisësh leximin e tekstit nga e para.

Sa ka dalë në librari ribotimi i romanit “Vera pa kthim”, i autorit Besnik Mustafaj. Një roman për dashurinë e pamundur dhe vetminë e madhe…

“…Kaq e jashtëzakonshme është. Kaq unikale. E vetmja. E patjetërsueshmja. Mbajtësja e frymës, e jetës vetë. Është ëndrra e bukur në zhgjëndrrën e keqe. S’është “ekzotike”, as “groteske”. Malli i pashuar i Sanës është dashuria kurrënjëherë e pashlyeshme (ndaj Gorit), diç më e madhe dhe më e pazakontë madje se ajo e Penelopës për Uliksin e mbetur deteve dhe e joshur prej dashurive të grave të tjera…”. Kështu e komenton kritiku Josif Papagjoni romanin e Besnik Mustafajt “ Vera pa kthim”, i cili sapo ka dalë në versionin e tij të ribotuar nga Shtëpia botuese “Toena”. Një poemë për dashurinë e munguar është pikërisht malli i pashuar, harmonjës, i femrës ndaj mashkullit, i gruas ndaj burrit, i barkut që kërkon frytin e shumëdëshiruar prej një burri, të Vetmit dhe të Askujt tjetër. Vetëm dashuritë e mëdha janë të pazëvendësueshme…“Mua pikërisht kjo ide sublime, mëshirëmadhe, e tretur në këtë histori drithëruese dashurie të Vetme, të Pazëvendësueshme dhe të Pavdekshme më ka rrëmbyer në faqet e romanit sa të dhimbshëm, aq edhe të ashpër të Besnik Mustafajt”, – vijon Papagjoni.

Në romanin “Vera pa kthim”, dashuria përvijohet si sakrificë sublime, si besnikëri që shkon përtej ndarjes që sjell vdekja, këmbëngulje për t’i falur tjetrit që mungon, çdo çast të ditës tënde. Në këtë këndvështrim “Vera pa kthim” është njëherësh roman i dashurisë dhe i vetmisë së madhe, shkruan Marisa Kërbizi në një analizë për romanin “Vera pa kthim”, mbi paradigmën e dashurisë së ëndërrt…Ndjenja dhe mungesa janë ngushtësisht të lidhura me njëra-tjetrën, aq sa ndjenja provohet nëpërmjet detyrimit të vetes për vetmi, ndërsa vetmia kthehet në shenjë të besnikërisë së përjetshme ndaj partnerit. Kësisoj, romani “Vera pa kthim” mund të emërtohet ndryshe si roman i vetmisë së madhe, vetmi e cila zgjerohet në formë rrathësh ujorë.

Përvoja narrative nis me trajtësimin e vetmisë së ditës së gruas që i nënshtrohet fatit të saj; vazhdon me vetminë natore të femrës që ka nevojë të çlirojë energjitë libidike të ngërthyera keqaz në psikikën e saj, kulmon me vetminë e përbashkët të aktantëve, që nuk e mbushin dot “zbrazëtinë” që boshi i vdekjes sjell. Edhe pse “Vera pa kthim” është një roman për dashurinë e pamundur, ndjenja ndërpersonale nuk lidh vetëm dy aktantët, duke i shkëputur nga bota. Marrëdhënia ndjenjësore mes Gorit dhe Sanës vendoset në një kontekst të caktuar jashtëletrar, në kohën e diktaturës. Rrëfimi për sistemin totalitar, nuk kthehet në qëllim në vetvete, megjithatë shenjat e tij referenciale nuk janë të parëndësishme.

Përmendja e një sërë të dhënash si frika e Gorit nga dëshmitarët e rremë, dyshimi në të vërtetat e institucionalizuara, shkrimi i rremë i historisë, gjykimi arbitrar i njerëzve, prishja e kishave dhe e xhamive etj., e vendosin rrëfimin në kohë totalitare. Shenjat e kësaj kohe zënë hapësirë minimale në tekst, megjithatë karakteristikat e saj i japin “shijen” hetero-kozmosit të B. Mustafajit. Gjithashtu, evokimi i Zotit, djallit etj., ndihet si një nevojë shpirtërore për t’i deleguar destinin e jetës së vet, fuqive omnipotente. Kjo do të thotë se metamorfoza apostazike e njeriut nën sistemin totalitar, preku në të vërtetë sipërfaqen e dukjes së tij.

Gjithashtu, nga realiteti kulturor shqiptar, ndërfuten në roman shenja të tilla si mitizimi i “institucionit” moral të virgjërisë, sakrificat e panevojshme në emër të reputacionit të mirë etj. Rrëfimi për neurozat erotike, për çlirimin libidik gjatë procesit të ëndërrimit, shënjojnë deformimet psikike që vijnë si pasojë e respektimit të kodeve të panevojshme morale.

Romani “Vera pa kthim” ngrihet mbi rrëfimin mbi procesin e ëndërrimit të personazhit. Ëndrra si proces i ndërlikuar psikologjik, gërsheton në roman një shumësi imazhesh dhe gjendjesh. Për më tepër, përvoja narrative pasurohet edhe me dilemat e halucinacioneve (të ndodhura në gjendje të thellë tronditjeje), apo me përvojën e zhvendosjes spirituale (që “ushqehet” si alternativë leximi nga ndryshimi i datës së vdekjes së Gorit, etj.) Rrëfimi mbi ëndërrimin i jep romanit frymë surrealiste, e cila ushqen relativizmin logjik.

Mbizotërimi i mendimit të brendshëm, shpesh i shkëputur nga kontrolli i arsyes, kthehet në njësi identifikuese për veprat surrealiste. Vepra të tilla shoqërohen nga teknika gjuhësore, që theksojnë paqëndrueshmërinë e arsyes. Qendërzimi i përvojës narrative në botën e ëndërrimit e pasuron veprën me defamiljarizimin e gjuhës dhe praninë kaotike të mendimeve.

Ngatërrimi i zërave të brendshëm është tipar karakterizues i romanit. Kalimi nga një zë në tjetrin pa shenja formale që dëshmojnë tranzitimin e mendimit, krijon ndjesinë e një mjegulle kuptimore. Romani karakterizohet nga thyerje të rregullave drejtshkrimore. Thyerjet më të shpeshta lidhen me përdorimin arbitrar të shkronjës së madhe. Përdorimi i saj ka si qëllim të potencojë kuptimin semantik. Romani “Vera pa kthim” ka në thelb rimarrjen intertekstuale të legjendave, përrallave nga letërsia orale shqiptare.

Që në nisje, kthimi i Gorit nga bota tjetër, e bën atë të përvijohet me tipare të ngjashme me Kostandin. Pasioni që nuk e lë të dashurin larg objektit dashuror, zëvendësohet me detyrimin që vjen nga fjalëdhënia. Ai nuk kthehet se do, por kthehet se duhet. Në të dyja rastet, vetmia mbushet me ardhjen e dashurisë…Romanet e Besnik Mustafajit ,është e mendimit Marisa Kërbizi, karakterizohen nga ndërtimi mbi kulmimin e rremë; përvoja narrative ofron disa klimaksë të vegjël, që shërbejnë për të mbajtur ndezur vëmendjen e marrësit, ndërkohë që piku i vërtetë semantik “shtyhet” drejt fund të tekstit. Kjo lloj skeme narrative i jep romanit të Besnik Mustafajt një frymëmarrje të gjerë polisemike.

“Vera pa kthim” është një roman, që duhet të lexohet duke mbajtur në mend sugjerimin e Renè Magritte se: Shumëçka nuk është ashtu si duket (Thisis not a pipe). Leximi i këtij romani, i ngjan procesit të formimit të një puzzle; në fund fare, atëherë kur faqja e mbrame e librit mbaron, bëhet zbulesa e mrekullishme e “figurës mbi qilim”, magjia e të cilës të shtyn ta rinisësh leximin e tekstit nga e para.

Më Shumë

Pasuria e kryetarit të Suharekës e deklaruar në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit

Në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionin po vazhdon deklarimi i pasurisë së zyrtarëve publikë. Pasurinë në këtë agjenci e ka deklaruar edhe kryetari i Komunës...

Rriten sërish çmimet e produkteve esenciale

Sipas Agjencisë së Statistikave inflacioni në Kosovë ka vazhduar të thellohet dhe çmimet e produkteve esenciale vazhdojnë të ngritën. Në anën tjetër qytetarët e...

Lajmet e Fundit