Zëvendëskryetar i PDK-së, Kadri Veseli ka reaguar ndaj marrëveshjes së djeshme në mes të LAN me VV, duke thënë se grupimi i ri politik VLAN, me veprimin e tyre politik të papërgjegjshëm, është duke e sfiduar jo vetëm kushtetutshmërinë dhe Kushtetutën, institucionet e shtetit, demokracinë, por është duke krijuar frikë, jostabilitet dhe anarki te qytetarët e Kosovës.
Ja deklarata e plotë e Veselit
Akti i marrëveshjes së djeshme është një veprim që dëshmon se në vend është duke u qartësuar formimi i një grupimi të vetëm politik, i cili do të ishte në gjendje t’i konkurrojë partisë më të madhe në vend, siç është, Partisë Demokratike të Kosovës.
Në parim i përshëndes dhe i përgëzoj katër subjektet politike parlamentare, Lidhjen Demokratike të Kosovës, Vetëvendosjen, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma-n (VLAN), për arritjen e një marrëveshjeje politike.
Përgëzimi dhe respekti u dedikohet krerëve dhe ekipeve të këtyre subjekteve politike parlamentare, pa gjykuar fillimisht mbi marrëveshjen, sepse, konsideroj se vet akti i marrëveshjes është një veprim që dëshmon se në vend është duke u qartësuar formimi i një grupimi të vetëm politik, i cili do të ishte në gjendje t’i konkurrojë partisë më të madhe në vend, siç është, Partisë Demokratike të Kosovës.
Megjithatë, që në fillim, më duhet të shpreh konsideratën e grupimit më të ri politik VLAN në raport me qëndrimin, sjelljen dhe veprimin e tyre ndaj zgjedhjeve nacionale të 8 qershorit, prej të cilave, të gjitha subjektet brenda grupimit më të ri VLAN, dolën të humbura, ashtu siç patën garuar në ato zgjedhje.
Dhe, kur jemi të zgjedhjet e mbajtura të 8 qershorit, të cilat i fitoi koalicioni i drejtuar prej Partisë Demokratike të Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, i pati vlerësuar këto zgjedhje, së bashkë me dialogun, si dy të arriturat më të mëdha të viteve të fundit në Kosovë.
Mirëpo, përkundër uratave dhe përgëzimeve të shprehura për arritjen e Marrëveshjes politike ndërmjet grupimit më të ri politik VLAN, për hir të së vërtetës, më duhet të qartësohemi se synimi suprem i këtij grupimi në raport me fjalën e sovranit, në thelb, reflekton pozicionime të frikshme që dëmton jo vetëm themelet demokratike të Republikës, por i vë në mëdyshje edhe marrëdhëniet e saj me partnerët tanë ndërkombëtar në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sepse:
E para, mosreflektimi i VLAN-it, ndaj vendimeve të Gjykatës Kushtetuese si dhe ndaj shkeljes së Kushtetutës së Republikës, është akt i skajshëm i papërgjegjësisë ndaj lirisë, rendit dhe ligjit, ndaj demokracisë dhe perspektivës euroatlantike të Republikës;
E dyta, marrëveshja e grupimit më të ri politik VLAN, a priori, po i zhvleftëson vendimet e Gjykatës Kushtetuese, po e shkel Kushtetutën dhe kushtetutshmërinë e Republikës, nëpërmjet së cilës është saktësuar qartë se partia apo koalicioni fitues i garës zgjedhore e zgjedh kryeparlamentarin (nëpërmjet propozimit) dh askush tjetër;
E treta, marrëveshja e grupimit politik VLAN krejt hapur po tenton të krijojë precedent, për të mohuar vullnetin e qytetarëve, rendin dhe garën demokratike zgjedhore të Republikës;
E katërta, përpjekjet e kryetarit të LDK për ta ‘fshehur’ thelbin e marrëveshjes së VLAN-it, sa i përket dialogut, janë shqetësuese;
E pesta, është e frikshme loja e Parimeve që vjen prej subjektit të VV-së, e cila nga parimi i vetëvendosjes, nëpërmjet së cilës strategji i ka marrë edhe votat, kalon te parimi i negociatave. Çfarë mund të pritet nesër prej këtij subjekti politik kur të udhëheqë dialogun, fjala vjen, në qoftë se VV-ja e mohon ekzistencën e vetvetes në emër të një pushteti politik;
E gjashta, si është e mundur të qeveriset nesër vendi me një kryeministër prej partisë së katërt parlamentare, për të cilin vetë LDK-ja pohon botërisht se do të qeverisë në të vërtetë LDK-ja e kryeministri prej partisë së katërt parlamentare – AAK, është vetëm formal;
E shtata, Republika e Kosovës është shtet me përgjegjësi të vlerave dhe investimeve të përbashkëta me faktorin euroatlantik, në anën tjetër, pothuaj gjysmën e subjekteve brenda VLAN-it, nuk janë duke e pritur (pranuar), as Shtetet e Bashkuara të Amerikës e as Bashkimi Evropian; a nuk është duke e kërcënuar VLAN-i hapur arritjen e madhe të qytetërimit Perëndimor brenda Republikës së Kosovës;
E teta, grupimi i ri politik VLAN, me veprimin e tyre politik të papërgjegjshëm, është duke e sfiduar, jo vetëm kushtetutshmërinë dhe Kushtetutën, institucionet e shtetit, demokracinë, por është duke krijuar hapur frikë, jostabilitet e anarki te qytetarët e Republikës dhe në raport me vendet fqinje, rajonale e më gjerë, si dhe
E nënta, VLAN-i është dashur para zgjedhjeve të bëjë koalicione të tillë për ta siguruar fitoren në garën demokratike që po e kërkon me aq përkushtim; ata, me dashje apo pa të, kanë ngatërruar jo vetëm abc-në e demokracisë dhe procedurat e saj, por ata kanë ngatërruar edhe kohën e rendit dhe të garës demokratike njëkohësisht.