Arben Veselaj
Kosovën e zunë sërish ethet e fushatës zgjedhore këtë fundvit, kapluar nga mjegullat dhe rrethuar nga të panjohurat. Edhe kësaj here, si prej disa vitesh, tashmë, skenën politike e ka pushtuar fryma militariste e Vetëvendosjes, me atë gjuhën e parullave, mbetur në margjinat e patriotizmit të vonuar. Lideri i Vetëvendosjes, A.K., në fjalimet e tij plot potere, sërish ka zënë ta n’trashë zërin. Kur e dëgjon – të kall datën; të duket sikur po kërkon bindje dhe nënshtrim, sikur nuk po kërkon votues por rekrutë … për kushedi çfarë lufte. Me atë zërin kërcënues militarist ai sikur po i paralajmëron kundërshtarët politikë, por edhe qytetarët që guxojnë të mos e votojnë, se ndëshkimi do të bjerë mbi ta, herët ose vonë! Në këtë maskaradë, gjuha e bukur shqipe nuk i volit për të shprehur mendim dhe bindje, por veç kërcënim dhe frikë.
Zot, ruana nga kuraja e frikacakëve!
Çfarë po kërkon ky njeri?
Pak iu duk që ia çoi kot një vit këtij vendi e kësaj shoqërie?
Në historinë politike të kombit shqiptar, por jo vetëm, vitet e humbura asnjëherë nuk janë shpallur me dekrete, por ato janë njohur vetëm kur dëmi është bërë dhe kur koha të ketë shkuar në pakthim. Viti 2025 i ka të gjitha shenjat e një viti të humbur, apo siç e ka quajtur shkrimtari ynë, Ismail Kadare, vitin e Haxhi Qamilit (1914) “Viti i mbrapshtë”. Për dhjetë muaj rresht, Kosova nuk arriti të krijojë një qeveri të shkretë, jo për mungesë votash, as për mungesë vullneti të një pjese të konsiderueshme të të zgjedhurve të 9 shkurtit, por për shkak të hipotekave politike dhe komplekseve “patriotike” – pasojë e deficitit moral, etik dhe patriotik të një njeriu. Hipotekat e së kaluarës, të cilat lideri i patriotizmit të vonuar, që prej vitesh, me lojë fjalësh, po na i shet si “parime”, në praktikë po funksionojnë si bllokada, humbje dhe dështime për Kosovën. Në emër të disa kauzave të sajuara, kompromisi dhe bashkëpunimi politik – themele të çdo demokracie liberale, sot konsiderohen tradhti. Fati i Kosovës u bë zap për gati një vit nga dora e hekurt e A.K. Sikur të ishte një dosje, fati i Kosovës u mbyll mbi tavolinë derisa realiteti politik u ndryshua dhe u përputh me egon ideologjike të një njeriu dhe të një organizate politike nga rënëvakti.
Tregimi me vitin e humbur bëhet edhe më ironik kur kujton se bllokada nuk erdhi nga “opozita destruktive”, por nga “fituesi absolut”, i cili u soll sikur pushteti pesëvjeçar iu bë barrë e rëndë, dhe, në kohën e vendimeve historike, refuzonte përgjegjësitë që duhej ushtruar. Ndërkohë që institucionet mbetën pa drejtim, Kosova pësoi humbje të mëdha: izolim ndërkombëtar – politik dhe ekonomik, pezullim të të gjitha proceseve integruese, embargo, thellim të krizës ekonomike; në rastin më të mirë keqmenaxhim i krizave institucionale, e në rastin më të keq – mungesë totale në menaxhimin e krizave. Gjatë vitit të humbur, Kushtetuta e Republikës së Kosovës u shkel nga “qeveritarët në detyrë” sikur të ishte kushtetutë e një shteti kolonial. Vazhduan të pasojnë njëra pas tjetrës aferat korruptive nga më të rëndat që ka njohur Kosova ndonjëherë. Puna shkoi deri aty sa edhe vet A.K. “guxoi” të mos paraqitej në Prokurori kur u kërkua të dëshmonte për vjedhje të Rezervave shtetërore.
Por, të gjitha këto janë asgjë në krahasim me dëmin e madh që u bë në rrafshin propagandistik: fryma militariste e Vetëvendosjes, vazhdoi ta “tharbë” shoqërinë kosovare edhe më, me parullat e nacionalizmit të vonuar.
Çfarë kërkon sot A.K.?
Të votohet përsëri!?
Pse të votohet?
Për çfarë?
Për “punët e mira” që ka nisur por nuk po e lë opozita t’i mbarojë? Për zhvillimin ekonomik që njohu Kosova në këto gjashtë vite? Për sigurimet shëndetësore? Për rritjen e pagave? Për uljen e çmimit të energjisë elektrike dhe të shërbimeve publike? Për uljen e çmimit të bukës? Për ndërtimin e rrugëve dhe autostradave? Për ndaljen e privatizimit? Për ndaljen e migrimit të të rinjve? Për kapjen dhe burgosjen e hajnave? Për luftimin e korrupsionit? Për forcimin e drejtësisë dhe sundimin e ligjit? Për hapjen e perspektivës dhe punësimin e të rinjve?
Pse të votohet?
Për çfarë?
Për ndryshimin e nenit të Kushtetutës që ndalon bashkimin kombëtar? Për kthimin e kufirit të Kosovës në Çakorr? Për ndalimin e bisedimeve me Serbinë? Për shfuqizimin e marrëveshjeve të dëmshme me Serbinë? Për ndalimin e mallrave serbe në Kosovë?
Për çfarë të votohet A.K.?
A nuk i mjaftoi 51 për qind e pushtetit në mandatin e parë për të realizuar së paku njërin prej këtyre premtimeve? A nuk i mjaftoi 42 për qind e pushtetit në mandatin e dytë për ta bërë një qeveri të keqe? Pse, pra, të votohet përsëri një njeri që shtetit të Kosovës ia çoi kot një vit duke mos qeverisur? Për ta dëgjuar dhe shikuar përsëri dhe çdo natë të njëjtën farsë justifikimesh: “Unë po i lus, por ata nuk po duan”!?
Në historinë politike të botës shqiptare, por jo vetëm, vështirë është të gjendet një skemë kaq e madhe mashtruese si ajo e A.K. me sovranitetin në veri të Kosovës. Si është e mundur që ky mashtrim të proklamohet në mënyrë kaq të gënjeshtërt? Nëse flasim për sovranitetin e Kosovës në pjesën veriore, ai është vendosur në kohën kur A.K. hapur i luftonte institucionet e Kosovës, me çfarë kishte në dispozicion: me gurë, me tym, me zjarr. Për fat të keq propaganda militariste dhe fanatizmi politik i Vetëvendosjes ia ka dëmtuar rëndë memorien kësaj shoqërie dhe sot ajo është katandisur në një mentalitet që gjykon shumë shpejt, kupton shumë ngadalë, dhe, në rastin më të shpeshtë, harron fare. Prandaj, duhet rikujtuar se sovraniteti në veri të Kosovës është vendosur më 26 korrik të vitit 2011, përmes aksionit të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, ku heroikisht u vra polici Enver Zymeri, dhe, që atë ditë e sot aty janë vendosur pikat doganore mes Kosovës dhe Serbisë, përkatësisht në Jarinë dhe Bërnjak. Ato pika doganore, që atë ditë kanë marrë njohje ndërkombëtare dhe e kryejnë punën sikur çdo pikë tjetër doganore e Kosovës.
Ajo që në fakt ka realizuar A.K. në komunat veriore të Kosovës është çlirimi i komunave (lexo: qytetarëve serbë) nga formacionet parashtetërore të Serbisë … dhe ky nuk është një kontribut që duhet mohuar, përkundrazi … por këtu mbaron “lufta” e A.K. për veriun, broçkullat tjera për sovranitet nuk pinë ujë.
Çfarë kërkon sot A.K.?
Të votohet përsëri!?
Pse të votohet?
Për çfarë?
Për premtimet e kota që i bënë sapo të hapet fushata elektorale: për rritje pagash e pensionesh, të lëmoshës për të varfrit … për rritje të dikastereve të qeverisë me “Ministrinë e Dashurisë”, “Ministrinë e së Vërtetës” (George Orwell “1984”) … për paratë që ua ndanë vetëm militantëve të turmës së tij, për çokat (përhajret) që ua bënë vetëm komunave të Vetëvendosjes dhe i përjashton të tjerat si të ishin armiqësore? Për privilegjet që ua ndanë farukmujkëve dhe xhimajlbashëve? Për pushtetin që ua jep mujsharëve si Sami Kurteshi?
Si të votohet një njeri që e injoron tërësisht procesin politik e historik që solli deri te pozita prej nga po qeveris? Si të votohet një njeri që mendon se e mirë është vetëm ajo që bën ai, se ligji dhe të drejta janë vetëm ato që thotë ai? Si të votohet një njeri që mendon se ardhmëria e këtij vendi është realizuar që në ditën që e mori të drejtën të qeveris? Si të votohet një njeri që mendon se të gjithë shqiptarët duhet t’i jenë mirënjohës atij që janë në jetë, se sot të jesh shqiptar ose jo, këtë e përcakton vetëm ai? Si të votohet një njeri që mendon se populli merr frymë vetëm pse këtë e lejon ai; se ky atdhe dhe kjo liri sot ekzistojnë pse këtë e mundëson ai? Si të votohet një njeri që e ka instaluar ideologjinë e tij personale të luftës pakompromis kundër shtetit që u krijua pa pjesëmarrjen dhe pa kontributet e tij? Si të votohet një njeri që me propagandën e tij militariste dhe fanatizmin politik i ka shkatërruar të gjitha idealet nacionale, qytetëruese dhe humaniste që ka i pasur populli ynë?
Kjo situatë vetëm normale nuk është.
Prandaj A.K. sërish ka zënë të bëjë “filma”, i dehur nga deliri i madhështisë. E keni parë se si i përjeton momentet kur të tjerët i gjunjëzohen dhe ia puthin dorën, kur turmat i thërrasin “Dum Babën”!, kur qëndron gatitu kokulur përpara përmendores së vet në Peran, ndërsa e dëgjon “deputeten” Llalloshi duke kënduar: “Jam Albini, pushkë me qitë”!?
Shkrimtari dhe satiristi legjendar austriak, Karl Kraus, ka një thënie të bukur për situata dhe personazhe të ngjashme: “Kur dielli i kulturës perëndon, shkurtabiqët duken gjigantë”.
Por, unë jam i bindur se kjo “epope” mashtruese, ashtu sikur edhe shumë të tjera që janë kënduar edhe më parë në pllajën e civilizimit bujqësor ballkanik, do të përfundojë si parodi.
(Autori është gazetar&shkrimtar dhe veteran i luftës së UÇK-së)