Familjarët e Elvis Pistës e kanë përjetuar rëndë vrasjen e anëtarit të tyre, saqë nuk mund t’i mbledhin forcat për të deklaruar se si ndodhi vrasja. Pronari i restorantit “Jaha” dhe kamerieri që i ka shërbyer Elvisit me shoqëri, rrëfejnë se si ndodhi vrasja. Shokët e Elvisit shprehin karakterin e tij të mirë dhe huma
Ndonëse u bë një javë nga vrasja e kandidatit për deputet nga radhët e PDK-së, Elvis Pista nga Rahoveci, familja e tij ende nuk është e gatshme të flasë dhe të komentojë lidhur me këtë vrasje. Pas një vizite që i bëmë kësaj familje, ata ndiejnë dhembje të thellë për humbjen e tij dhe nuk dëshirojnë të deklarohen për medie pas asaj që i ka ndodhur kësaj familjeje. Për këtë familje humbja e Elvisit la një plagë të thellë. “Elvis Pista ishte njeri i shoqërueshëm, djalë i sjellshëm, i aftë, e mbi të gjitha zemërmirë” ka thënë pronari i restorantit, në të cilin kishte qenë natën kur u vra. “Elvisi ka qenë mysafir i rregullt në këtë restorant. Edhe pse atë natë kur ka ndodhur vrasja e tij unë nuk isha këtu, mund të them se kjo më ka prekur rëndë, sepse e njoh Elvisin. Ai ishte shok shumë i afërt me djalin e motrës time, Ali Shehun, dhe që të dy ishin të pandarë”, ka thënë për gazetën Gani Jaha, pronar i restorantit “Jaha” në qytetin e Rahovecit. Sipas tij, ishte edhe një gjë që e lidhte Elvisin me këtë restorant, të cilin e vizitonte shumë shpesh. “Vitin e kaluar, më 1 qershor, Elvisi e ka bërë këtu dasmën dhe asnjëherë nuk kemi pasur problem me të. Ai e ka ndier veten sikur në shtëpinë e tij këtu”, ka thënë Jaha, duke shtuar se ky lokal i ka dy roje, njëra që e vëzhgon lokalin dhe një që rri natën te pompa e benzinës.
“Nuk e dinim se ishte i plagosur”
E kush mund ta njohë më mirë Elvisin se sa ai i cili i ka shërbyer çdoherë në këtë restorant, kamerieri Artan Sokoli. “Unë i kam shërbyer më shumë Elvisit, jo vetëm atë natë, por gjithnjë. Ka qenë tip shumë i hapur, i qetë, dhe humorist. Atë natë, kur kanë ardhur ta festojnë ditëlindjen e gruas, ka qenë çdo gjë në rregull. U kemi shërbyer shumë mirë, sepse i kemi mysafirë të përhershëm. Ata kanë qenë të fundit që kanë dalë nga lokali dhe unë kam qenë ai që i ka përcjellë deri te dera e nuk kemi ndier asnjë zhurmë”, ka thënë Sokoli, duke e kujtuar mjaft mirë atë natë, që ishte bërë edhe më e errët se sa që është nata. Sipas tij, kur e kishte mbyllur derën kishte vazhduar të pastronte, mirëpo papritur kishte dëgjuar një zë teksa kërkonte ujë.
“Pasi i përcolla, vazhdova ta pastroj restorantin kur kanë ardhur dhe më kanë kërkuar ujë, pastaj kam dalë për t’i ndihmuar gruas dhe shokëve të tij, e ne nuk e kemi ditur se është i plagosur, vetëm mendonim se i ka rënë të fikët dhe e kemi thirrur ambulancën e pastaj ambulanca e ka thirrur Policinë”, ka theksuar ai.
Shpresojnë të zbardhet rasti sa më shpejt
I pyetur se a e njeh familjen e Elvisit, ai pa hezitim flet për të. “Familjen e Elvisit e njoh, janë një familje shumë e sjellshme, të shkolluar, ku edhe motra është shpallur si arsimtarja më e mirë. Përmenden si familje për gjëra të mira”, ka potencuar Artani, duke shtuar se e kanë përjetuar shumë rëndë vrasjen e tij dhe ende nuk janë këndellur mirë.
Vrasjen e Elvisit nuk e kishin përjetuar rëndë vetëm të afërmit e tij, por edhe qytetarë të komunës së Rahovecit. Sipas tyre, kjo është një tragjedi tejet e madhe që i ka ndodhur kësaj Komune.
“Ka qenë një njeri që ka kontribuar shumë për Rahovecin dhe ka qenë shumë shpirtmirë. Kjo që ka ndodhur është një tragjedi për Rahovecin dhe nuk e ndiejmë veten të sigurt tani e tutje, sepse nuk ka pasur vrasje më herët, kjo është e para”, ka thënë për gazetën Dashamir Morina, qytetar nga rrethina e Rahovecit.
Edhe Safet Bajrami ka thënë se pavarësisht që nuk e kishte njohur kurrë për së afërmi Elvisin, ka dëgjuar se është njeri i mirë. Ndërsa, Vajdin Berisha ka thënë se pret që sa më shpejt të zbardhet ky rast. “Ka qenë njeri shumë i mirë, i shoqërueshëm, e kjo që i ka ndodhur është një gjë e tmerrshme dhe shpresojmë që sa më shpejt të zbardhet ky rast e të mos ndodhin më këso rastesh”, u shpreh ai.
E, sipas Adem Sharkut, Elvisi çdokujt i ka gjetur zgjidhje. “Vdekja e tij ka shkaktuar dhimbje të mëdha te ne. Ai ishte shumë i hapur me të gjithë dhe kush ka shkuar të ankohet tek ai, Elvisi i ka gjetur zgjidhje”, ka shtuar Sharku.
Hetimet zhvillohen në disa drejtime
Edhe pse u bënë një javë nga vrasja e kandidatit për deputet të PDK-së, Elvis Pistes, i cili u ekzekutua në Rahovec, në orët e hershme të së dielës së kaluar, ende nuk ka asgjë konkrete sa u përket hetimeve që janë duke u zhvilluar për këtë vrasje. Këtë, e ka pohuar edhe kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, Shpresa Bakija. “Nuk ka asgjë të re në këtë rast. Jemi duke e vazhduar punën tonë me intensitet maksimal”, ka thënë Bakija. Ajo ka konfirmuar se hetimet janë duke u zhvilluar në të gjitha drejtimet e mundshme që mund të çojnë deri te zbardhja e kësaj vrasjeje.
“Hetimet jemi duke i zhvilluar në të gjithë drejtimet dhe pistat e mundshme. Duhet ta keni të qartë se veprimet e ndërmarra kërkojnë kohë”, është shprehur Shpresa Bakija, duke shtuar se nuk është eliminuar asnjë pistë e mundshme e këtij akti kriminal. Kryeprokurorja Bakija nuk ka dashur të flasë për ndonjë afat se kur mund të pritet të dilet me ndonjë rezultat konkret lidhur me hetimet e deritashme të këtij rasti.
“Nuk është e preferuar, bile as e qëlluar të jepet ndonjë afat për këtë punë. Një gjë mund t’iu garantoj se jemi duke punuar me seriozitetin dhe intensitetin maksimal”, është shprehur Shpresa Bakija.
(Kosova So