Lëvizja Vetëvendosje! në Malishevë, ka reaguar edhe sot kundër kryetarit të Komunës, Ragip Begajt. Sipas VV-së prononcimi i djeshëm i Begajt lidhur me komunikatën “Çka po fsheh Kryetari i Komunës së Malishevës Ragip Begaj është i pa vërtetë dhe kundërthënëse.
“Dëshirojmë që t’ia sqarojmë Begajt dhe publikut se ai dhe qeveria lokale të cilën e udhëheqë është i obliguar ligjërisht t’u përgjigjet kërkesave tona dhe të gjithë qytetarëve të interesuar për qasje ne dokumente zyrtare brenda afateve ligjore. Kryetari Begaj nuk mund të fshihet prapa faktit se Komuna ka punë të tjera. Së pari sepse përgjigja në kërkesa për informim është, punë dhe detyrim ligjor, së dyti çdo asamblisti i duhen krijuar kushtet për punë duke ia kompletuar informacionin që kërkon. E së treti, që nuk lidhet me detyrimin ligjor është sjellja konkrete me punën e përgjegjshmërinë, fakt të cilin e dimë të gjithë në Malishevë, e di dhe Kryetari se sot drejtorët Komunal më shumë rrinë në lokale me biznesmenë se sa në vendin e tyre të punës ku do të duhej t’i shërbehej publikut”, thuhet në reagimin e VV-së në Malishevë.
“Po ashtu nga 7 kërkesat që nuk kanë marrë përgjigje, vetëm një është projekt që ka kaluar para disa viteve, të tjerat janë shumë aktuale dhe ky është fakt që e demanton Ragip Begajn”.
“Ndërkohë në lidhje me deklarimin e tij se ku paskemi qenë ne më herët, po ia sqarojmë edhe njëherë Kryetarit Begaj se ishte ai që edhe më herët kishte penguar qasjen në dokumentet zyrtare, në kohën kur ishte nën petkun e PDK-së si Kryesues i Kuvendit Komunal të Malishevës dhe këtë vendim antiligjor që mban nënshkrimin e tij e keni të bashkëngjitur”.
“Kryetari Begaj bashkë me ish-bashkëpartiakun i tij Isni Kilaj në dy vendime njërin të nënshkruar nga vet Ragip Begaj me datë: 08.10.2012 dhe tjetrin të nënshkruar nga ish-Kryetari Isni Kilaj me datë: 09.10.2012 kishin penguar Lëvizjen VETËVENDOSJE! në angazhimin për transparencë”.
“Këto dy vendime që mbajnë dy data tregojnë se si Ragip Begaj iu paraprinte me vendime antiligjore për jo transparencë vendimeve të Isni Kilajt po ashtu për jo transparencë ndaj Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe publikut “
“Këto vendime janë fakte për Ragip Begajn dhe e demantojnë atë se ku paskemi qenë më herët ne si VETËVENDOSJE! Dhe po ashtu e demenatojnë pastertinë e tij të cilën e ka vetëm teorike. Kjo sjellje e Kryetarit e forcon edhe më shumë bindjen tonë të shprehur edhe me fakte se prapa këtyre projekteve fshihen keqpërdorime të parasë publike në të cilat Kryetari i tanishëm dhe bashkëpunëtorët rreth tij kanë qenë dhe janë të përfshirë dhe tregojnë qartë se Begaj është një Kryetar i kapur dhe nuk e do transparencën”./PrizrenPress.com/