1.9 C
Prizren
E hënë, 22 Dhjetor, 2025

Washington Post: Kisha mbi njëmijë vjeçare në Gjonaj të Prizrenit, dëshmi për rrënjët katolike të shqiptarëve të Kosovës

E përditshmja amerikane The Washington Post, ka bërë një hulumtim për rrënjët e shqiptarëve të Kosovës në aspektin religjioz.

Sipas hulumtimit të kësaj gazete, del se rrënjët e hershme të myslimanëve kosovarë i përkasin pikërisht religjionit katoliko-roman.

Në fshatin Gjonaj të rajonit të Prizrenit, ekziston një kishë e vjetër më shumë se njëmijë vjeçare e cila është njëra nga dëshmitë për rrënjët katolike të shqiptarëve.

Çelësat e kësaj kishe i mbajnë serbët të cilët edhe thonë se u përket atyre, mirëpo banorët e atyshëm thonë se kjo kishë u përket shqiptarëve dhe ka qenë e tyre deri në konvertimin e fshatit në Islam.

Një banor i këtij fshati, i cili njëkohësisht është edhe prift ka thënë se beson që i gjithë Ballkani ka qenë me religjioz katolik, dhe sipas tij, janë pikërisht objekte të tilla fetare, si kjo kishë në Gjonaj që e dëshmojnë përkatësinë fetare të shqiptarëve dhe ballkanasve në kohën e dominimit dymijë vjeçar të Perandorisë Romake.

Pasi që Kosova kaloi nën regjimin otoman, nga pjesa e parë e shekullit 15 e deri në vitin 1912, pjesa më e madhe e shqiptarëve të Kosovës u konvertuan në Islam.

Mirëpo, përkundër asaj që pjesa më e madhe e rajonit të Brodit tashmë janë myslimanë, shumica e banorëve të këtij rajoni e përkrahin këtë hulumtim dhe kanë shprehur interesim për zbulimin e rrënjëve të tyre të kamotshme e pothuajse të harruara.

“Kjo është historia e kombit tonë”, ka thënë Ademi.

“Paraardhësit tanë kanë qenë katolikë dhe këta janë hapat tanë të parë për zbulimin e rrënjëve tona”, ka shtuar ai.

Zyrtarisht 90% e popullatës së Kosovës i takon besimit islam, ndërsa vetëm 3% e tyre atij katolik.

Mirëpo, përkundër këtyre të dhënave, prifti katolik Dodë Gjergji mendon se këto shifra fshehin afinitetin e vërtetë shpirtëror të kosovarëve. Sipas Gjergjit, vetëm 10% e popullatës kosovare e praktikojnë besimin mysliman, ndërsa pjesa tjetër janë sekularë.

“Besimi islam nuk është diçka që shqiptarët e kanë marrë vullnetarisht, por ka qenë diçka që ju është imponuar”, ka thënë Gjergji.

“Historia kristiane është më e fortë se historia otomane”, ka shtuar ai, duke folur për Washington Post.

Gjergji ka thënë se është mjaft i kënaqur me rritjen që ka shënuar religjioni katolik në vitet e fundit.

“Jemi shumë të kënaqur për shkak se në këtë kohë pasigurie duhet guxim i madh që dikush të deklarohet se dëshiron të kthehet në rrënjët e veta”, ka thënë ai.

Po ashtu, në Kosovë nuk mungojnë as familjet ku bashkëjetojnë dy fetë, ajo myslimane dhe katolike.

Agron Bytyqi, ish-ushtar i UÇK’së, tani piktor dhe profesor i artit në Universitetin e Prishtinës, tregon se është rritur me babain katolik dhe nënën myslimane.

“Si fëmijë nuk e kam ditur se çfarë religjioni i përkas, por pasi jam rritur kam pasur lirinë për të zgjedhur njërën nga të dyja fetë”, thotë Agroni, i cili është pagëzuar tek në vitin 1995.

Në anën tjetër, feja katolike njeh edhe “Laramanë”, të cilët e fshehin besimin e tyre të vërtetë. Epiqendra e këtij komuniteti është në lindje të Kosovës. Gjysma e shtëpive të fshatit Zhegër janë laramanë, për shembull. Ata nuk kanë kishë në fshat, por janë të njohur për ndezjen e qirinjve dhe lutjes në shtëpi sipas traditave katolike.

Një “Laraman”, Rexhep Sejdiu, jeton në Zhegër që 38 vite dhe është pronar i një pompe të benzinës.

“Ndjehem katolik”, ka thënë ai, duke shtuar se shumë rrallë e diskuton çështjen e religjionit jashtë familjes së tij. Ai e viziton kishën në Jakaj fshehurazi gjatë natës ndërsa ditën bëhet mysliman.

“Laramanët frikësohen të deklarohen si katolikë”, ka thënë prifti.

Sipas priftit, kjo ndodh sepse nëse e bën publik që i takon besimit katolik mund të shkaktojë probleme, një ndër të cilat është privimi nga martesa i fëmijëve të tyre.

“Laramanët” nuk deklarohen si katolikë për shkak se mendojnë se nuk do të mund të jetonin në stilin e jetës që dëshirojnë.

Më Shumë

Probleme me furnizimin me ujë në disa zona të Prizrenit për shkak të ndërprerjes së energjisë

KRU Hidroregjioni Jugor njofton konsumatorët se për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike nga mbrëmja e djeshme, më 17 dhjetor 2025, në ora 21:00,...

Abrashi: Presim të fitojmë mbi 50 për qind

Kandidati për deputet nga LVV-ja, Artan Abrashi, tha për RTV21 se ky subjekt politik po hyn në zgjedhje me një program të qartë dhe...

Lajmet e Fundit