Me të bukurin vend e ka quajtur kryetari Visar Ymeri Prizrenin, në tubimin zgjedhor përmbyllës të Vetëvendosjes në këtë komunë. Ndërsa, ka shtuar se kjo komunë e ka më të shëmtuarin pushtet në krye, njofton kumtesa partiake, transmeton Koha.net.
“Prizreni është vendi i bujqësisë së zhvilluar, zejtarisë e industrisë prodhuese, por edhe komuna e papunësisë e varfërisë. Prizreni është vendi i historisë së lavdishme, por edhe komuna e së tashmes së degraduar, Prizreni është vendi i filleve të arsimit shqip, i intelektualëve e dijes, por edhe komuna e sistemit arsimor të shkatërruar”, tha Ymeri në këtë tubim.
Më tej, ai tha se Prizreni është ndarë në dysh. Aktualisht, ai tha se po e shohim Prizrenin e PDK-së, të shndërruar në vend të korrupsionit, të krimit, të degradimit, të mos arsimimit, të akulturizimit, të papunësisë e urisë, Prizrenin e deindutrializimit, Prizrenin e përçarjes. Kurse, për Prizrenin e nesërm, atë të qytetarëve të barabartë, atë të komuniteteve bashkëpunuese e bashkëjetuese, atë të zhvillimit të zejes, të prodhimit bujqësor e industrisë prodhuese, Prizrenin e arsimit, e të kulturës, të trashëgimisë e historisë, Prizrenin e shëndetit e mjedisit, tha se është ai i qeverisjes së Mytaher Haskukës.
“Megjithatë, ka vetëm një Prizren, ai i Lidhjes së Prizrenit. Lidhja e Prizrenit është mbajtur më 10 qershor. Qershori ishte muaji i kthesës së madhe. Prizreni ishte qyteti i fitores së Lëvizjes. Zgjedhjet lokale do të mbahen më 22 tetor. Tetori është muaji i 10 i vitit. Numri 10 është numri i VETËVENDOSJE!-s. Në Prizrenin e Lidhje”, tha ai.
Ymeri u zotua që Prizreni do të iu kthehet qytetarëve. Ai tha se korrupsioni do të zëvendësohet me zhvillim, nepotizmi me punësim e injoranca me arsim cilësor, duke ua marrë Prizrenin sundimtarëve e duke zgjedhur për kryetar Haskukën.
Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Drita Millaku, tha para bashkëqytetarëve të saj se Prizreni po çlirohet, dhe se në krye të tij po vjen Mytaher Haskuka.
Deputetja Millaku ka thënë se eksponentët e PDK-së, e në veçanti kryetari i kësaj partie, Kadri Veseli, po qëndrojnë shumë kohë në Prizren nga paniku i humbjes, por ajo u shpreh e bindur se qytetarët do t’i ndëshkojnë.
“Jemi dëshmitarë të një fushate me shantazhe dhe kërcënime, pra ashtu qysh di SHIK-u. Por le ta dinë, se ka kaluar koha e frikës, qytetarët po kërkojnë ndryshime dhe ky ndryshim ka vetëm një numër dhe vetëm një emër: numrin 10 dhe emrin Mytaher Haskuka”, tha Millaku, e cila tha se PDK ka fituar në Prizren me kërcënime dhe se më kërcënime edhe po e humb pushtetin.
Ajo ka akuzuar kundërshtarët politikë edhe për gjuhën e urrejtjes, ndaj ftoi qytetarët që t’i ndëshkojnë me votë me 22 tetor, duke votuar për VV-në dhe kandidatin për kryetar, Mytaher Haskuka./Koha.net/