3.4 C
Prizren
E shtunë, 15 Nëntor, 2025

Zbutet Lëvizja

Vendimi i subjektit të parë politik opozitar në Kuvendin e Kosovës, Lëvizjes “Vetëvendosje!”, që ta ndërpresë bojkotimin e seancave dhe të vazhdojë me kundërshtimin e të gjitha vendimeve dhe ligjeve që provon t’i kalojë Qeveria e Kosovës nëpërmes shumicës parlamentare, mund të risjellë në veprim skenat e dhunshme, që jemi mësuar t’i shohim në shumë seanca të vitit të kaluar. Përjashtim kësaj radhe, sipas “Vetëvendosje!!”-s bën vetëm përdorimi i gazit lotsjellës, një formë, veprimi që ka irrituar qytetarët, por edhe shumë diplomatë të huaj, brenda dhe jashtë vendit.

Sekretari për Media dhe Komunikim në Lëvizjen “Vetëvendosje!” , Frashër Krasniqi tha për “Kosova Sot” se qëllimi i rikthimit në Kuvend ka për objekt pengimin dhe parandalimin e realizimit të secilit veprim të dëmshëm për shtetin, me veprime brenda dhe jashtë Kuvendit.

“Lëvizja VETËVENDOSJE! e konsideron të rëndësishëm kthimin në Kuvend, pasi roli ynë opozitar brenda këtij institucioni ndikon shumë në moslejimin e kalimit të ligjeve që janë të dëmshme për qytetarët e Republikës. Lëvizja VETËVENDOSJE! vazhdon aktivitetin e saj për parandalimin e ringjalljes së “Zajednicës” dhe demarkacionit me Malin të Zi dhe në këtë kauzë do të shfrytëzojë edhe rrugët institucionale, edhe protestat jashtë institucioneve”, tha Krasniqi për “Kosova Sot”.

Mungesa e opozitës, me pasoja

Analistët politikë e shohin rikthimin e subjektit të parë politik në Parlament si një kthesë pozitive që do ta dinamizojë jetën parlamentare, mbikëqyrjen më efikase të Ekzekutivit dhe bindjen e një numri të madh të deputetëve, edhe të pozitës, që për interesat nacionale të mos u binden shefave të tyre, sado që mund të jenë në presion jodemokratik.

“Unë mendoj që paralajmërimi për kthim i Lëvizjes ‘Vetëvendosje!’ në Kuvend gjithsesi duhet të kuptohet si diçka mjaft pozitive, por vetëm duke vepruar brenda mandatit të tyre kushtetues e ligjor, si deputetë, përfaqësues të zgjedhur të qytetarëve në Kuvendin e Kosovës, mirëpo ato skenat me gazin lotsjellës duhet të mbeten në harresë, në arkivin e historisë së kaluar”, theksoi Ilir Fetahu.

Sa i takon arritjes së qëllimit për të penguar kalimin e marrëveshjeve të dëmshme për vendin, Demarkacionit dhe Asociacionit, kjo mund të arrihet me debat në Kuvend dhe me sqarime.

“Unë besoj që në Kuvendin e Kosovës ka shumë deputetë të ndërgjegjshëm, patriotë, që e kuptojnë shumë qartë çështjen dhe nuk do t’i votojnë ato vendime që janë të dëmshme për shtetin. Pra, këtu mendoj jo vetëm për deputetët e opozitës, por edhe për deputetë të subjekteve të tjera politike, atyre në pushtet”, tha analisti Fetahu.

Hap pozitiv e sheh rikthimin e VV-së në Kuvend edhe analisti Islam Krasniqi, i cili beson se tani e tutje kundërshtimet në Kuvend do të jenë shumë më të matura.

“Rikthimi i tyre duhet të shihet në mënyrë pozitive, sepse duhet ta japin edhe ata kontributin e tyre në aspektin e përmirësimit të mirëqenies së qytetarëve të vendit, sepse mungesa e opozitës po iu mundëson që edhe deputetët e pozitës të jenë të pasjellshëm, nuk po mund të krijojë kuorum për seanca, ngase shumë prej tyre vetëm hynë nga njëra derë, e shkruajnë emrin e tyre (për vete, e ndoshta edhe për ndonjë koleg të tyre, sa për mëditje dhe dalin), dhe nuk po mund të bëjnë as miratimin e ligjeve më të nevojshme që janë në interes të vendit”, tha Krasniqi për “Kosova Sot”.

Krasniqi thotë se skenat mund të acarohen në cilindo rast që koalicioni PDK-LDK do të provojë t’i fusë në rend dite Demarkacionin dhe Asociacioni.

Më Shumë

Votoi Shaqir Totaj

Pak minuta më parë ka hedhur votën kandidati për kryetar të Prizrenit nga PDK-ja, Shaqir Totaj. Totaj tha se qytetarët e Prizrenit do të dinë...

Mallra të fshehura përfundojnë në duart e Doganës së Vërmicës

Zyrtarët doganorë në pikëkalimin kufitar Vërmicë kanë identifikuar së fundi tri raste të tentimeve për futje të mallrave të padeklaruara në territorin e Republikës...

Lajmet e Fundit