11.8 C
Prizren
E premte, 3 Maj, 2024

Zëvendësministrat mbi baza politike, e jo profesionale

Po bëhen gati 10 muaj që kur Qeveria e Kosovës, në krye me Isa Mustafën, ka marrë pëlqimin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, por kabineti qeveritar i Mustafës ende po vazhdon në “heshtje” të kompletohet me zëvendësministra, të cilët emërohen herë pas here.

Duket se askush nga ky kabinet nuk e ka të qartë se a ka përfunduar emërimi i të gjithë zëvendësministrave që janë rezultat i pazarit politik të dy partive që bashkëqeverisin – Lidhejs Demokratike të Kosovës dhe Partisë Demokratike të Kosovës.

Partitë opozitare kanë kritikuar në vazhdimësi qeverinë për emërim kohë pas kohe të zëvendësministrave dhe mungesës së transparencës në këtë drejtim. Kritika të vazhdueshme nga ana e tyre ka pasur edhe për emërimin e anëtarëve të bordeve në ndërmarrje publike.

Edhe pse ishte paralajmëruar se do të ketë mbi 50 zëvendësministra, ky numër ende nuk është përcaktuar, ndonëse krerët e koalicionit Mustafa-Thaçi disi kanë vendosur që emërtimin e tyre ta bëjnë larg syve të opinionit.

Njohës të rrethanave politike në Kosovë dhe përfaqësues të shoqërisë civile vlerësojnë se emërimi i zëvendësministrave dhe anëtarëve të kabineteve të qeveritarëve, duke filluar nga këshilltarët politikë, që nga paslufta nuk është bërë asnjëherë në baza profesionale në mënyrë që të rrisin përformacën e dikastereve qeveritarë, por vetëm sa për t’i rehatuar njerëzit e partive në pushtet. Kështu po veprohet edhe tash.

Disa nga kritikuesit e kësaj praktike, jo rrallë thonë se kështu si veprohet, më mirë do të ishte të mos kishte fare as zëvendësministra e as këshilltarë, pasi siç thonë ata, kjo vetëm po e ngarkon buxhetin.

Por, për këtë nuk pajtohen edhe krerët e partive politike pasi ata duan që në këto poste t’i rehatojnë militantët partiakë.

Ashtu siç ka raportuar edhe më herët KosovaLive, Qeveria e Kosovës vlerësohet të ketë bërë gabime në strukturën e zëvendësministrave, pasi sipas njohësve të çështjeve politike, ata janë emëruar në bazë të preferencave politike e jo në bazë të profesionit.

Ndonëse në uebfaqet e ministrive mungojnë të dhënat se kush janë zëvendësministrat dhe këshilltarët politikë në ministri të ndryshme, KosovaLive është munduar të mbledh të dhëna rreth numrit dhe përgatitjes profesionale të zëvendësministrave, veçmas përputhjes së përgatitjes profesionale me postin që e ushtrojnë.

KosovaLive ka arritur të siguroi të dhëna vetëm për 28 zëvendësministra, emrat e të cilëve janë bërë publik nga Qeveria e Kosovës.

Më 11 mars, Lirak Çelaj është emëruar zëvendësministër i Drejtësisë, ndonëse ai ka të përfunduar Fakultetin e Arteve në Degën a Artit Dramatik, Drejtimi i Aktrimit më 1995. Çelaj i takon Partisë Demokratike të Kosovës. Ai është edhe anëtar i Këshillit Drejtues së PDK-së. Thuhet se Çelaj ka ndjekur disa shkolla dhe kurse politike në Kosovë dhe në rajon, por jo edhe në fushën e drejtësisë.

Ramadan Iliazi, i cili në kohën e parafushatës iu bashkua kabinetit të ish-kryeministrit Hashim Thaçi, duke vepruar si këshilltar i tij, nga ky post tashmë është emëruar zëvendësministër i Ministrisë së Integrimeve Evropiane. Ilazi ka përfunduar studimet master në fushën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare, me fokus në studime për paqe dhe konflikt në Universitetin e St.Andrews në Skoci, në kuadër të bursës Chevening të Ministrisë së Jashtme Britanike.

Në Ministrinë e Financave është emëruar zëvendësministër Agim Krasniqi, i cili ka qenë drejtor i buxhetit në këtë ministri. Pas Krasniqit në Ministrinë e Financave është emëruar zëvendësministër Isni Kilaj, i cili ishte kryetar i Malishevës për dy mandate dhe kryetar i Degës së PDK-së në këtë komunë. Ai ka të përfunduar Fakultetin Ekonomik, në drejtimin Ndërmarrje-Kontabilitet.

Nga posti i drejtorit të ndërmarrjes shoqërore “Trepça”, më 11 mars është emëruar zëvendësministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferat Shala. Ai ka të përfunduar Fakultetin e Xehetarisë dhe Metalurgjisë, ndërsa për 4 vitet e ardhshme do të jetë zëvendësministri i Ferid Aganit, i cili nga mjekësia synon “t’i shërojë mjedisin edhe ashtu të ndotur të Kosovës”.

Përveç Shalës, zëvendësministër në këtë ministri është edhe djali i madh i ish-presidentit Ibrahim Rugova, Mendim Rugova. Ai nuk ka qenë aktiv në politikë kurrë. Ai është fotograf, e së fundi është angazhuar në fushën e meteorologjisë. Ministri Agani në kabinetin e tij ministror ka edhe 6 këshilltarë.

E ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, duket se ka nevojë për më shumë zëvendësministra dhe këshilltarë. Ai në kabinetin e tij ka tre zëvendësministra dhe pesë këshilltarë. Kurtan Kajtazi, Kadir Huseini dhe Izet Sadiku janë zëvendësministra të Shëndetësisë.

Qeveria e Kosovës duket ta ketë parë të arsyeshme që në kabinetin e ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, të jetë një zëvendësministre, e cila nuk ka të bëjë asgjë me fushën e arsimit.

Anila Statovci-Demaj ka të përfunduar Fakultetin Ekonomik. Ajo ka punuar një kohë si asistente në këtë fakultet, e më pas ka vazhduar studimet e doktoratës në Vjenë pranë Universiteti për Ekonomi dhe Administrim Biznesi.

Ajo është pjesë e politikës nga maji i vitit 2014 me ç’rast i ishte bashkangjitur ekipit të ish-kryeministrit Thaçi si këshilltare politike.

Në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, që udhëhiqet nga Arban Abrashi, mungojnë të dhënat për zëvendësministra. Dihet se zëvendësministra në këtë ministri janë emëruar Qazim Rahmani dhe Rita Hajzeraj-Beqaj, por nuk ka të dhëna për përgatitjen profesionale të tyre. Dihet se Hajzeraj-Beqaj ka qenë deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës në mandatin e kaluar.

Këta janë vetëm disa nga emrat të cilët janë bërë publik nga ministri të ndryshme. Ka shumë nga ministritë që nuk kanë publikuar emrat e kabineteve ministrore dhe kjo nga analistët vlerësohet si fshehje nga ky kabinet qeveritar.

Kohë më parë, KosovaLive ka raportuar se sa pritet që të shpenzojë Qeveria e Kosovës për katër vitet e ardhshme, respektivisht sa do t’i kushtojë ajo taksapaguesit kosovar. Sipas një parallogaritje të thjeshtë një zëvendëskryeministër do t’u kushtojë qytetarëve të Kosovës rreth 215 mijë euro.

Duke u bazuar në këto parallogaritje pagat e 20 ministrave do të kushtojnë mbi 1.2 milion euro. Pagat e rreth 170 këshilltarëve në kabinetet e qeveritarëve do të krijojnë rreth 5.4 milionë euro shpenzime për katër vite; pagat e 190 nëpunësve të kabineteve do të kushtojnë 3.1 milionë euro; e pagat e 60 vozitësve mbi 489 mijë euro.

Kabinetet ministrore për telefoni fikse dhe mobile, dreka zyrtare dhe për karburante për vetura do të shpenzojnë rreth 4 milionë euro, shifër kjo që nxirret nëse merren për bazë shpenzimet e këtilla në vitin 2013.

Këto pak të dhëna për shpenzimet që mund t’i ketë kabineti i tashëm qeveritar tejet i madh flasin mjaft për faktin se shteti i varfër i Kosovës, do ta mbajë një qeveri shumë të shtrenjtë. /KosovaLive

Më Shumë

Moti sot i vranët dhe me intervale me diell

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, njofton se sot mban mot i vranët dhe me intervale me diell. Vranësirat vende-vende mund të sjellin riga shiu. “Temperaturat minimale...

Ylli shpallet kampion i Ligës U14 te meshkujt

Golden Eagle Ylli është shpallur kampion i Ligës U14 te meshkujt. Në finale ka mundur Grapeland me rezultat 77:60 dhe në edicionin e ardhshëm do...

Lajmet e Fundit