1.8 C
Prizren
E diel, 17 Nëntor, 2024

Nerjovaj thotë se rrënimi i objekteve pa leje s’ishte kompetencë e tij, por e inspektorëve të ndërtimtarisë

Ish-drejtori i Inspektoratit në Komunën e Prizrenit, aktualisht zëvendësministër i Administratës Publike në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Bujar Nerjovaj, ka thënë se ai nuk ka qenë personi përgjegjës për rrënimin e objekteve pa leje në këtë qytet.

Një deklarim të tillë, Nerjovaj e ka bërë në seancën e së mërkurës në Gjykatën Themelore të Prizrenit, ku para se ai ta jepte mbrojtjen e tij, ka dëshmuar edhe ish-kryetari i Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, si dhe në cilësinë e dëshmitares, dëshminë e saj, e ka dhënë edhe ekspertja Drita Grazhda, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Për më tepër, zëvendësministri Nerjovaj, akuzohet se e ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare, se derisa ishte drejtor i Inspektoratit në Komunën e Prizrenit, nuk i ka siguruar kushtet për t’i ekzekutuar konkluzionet e lëshuara nga inspektorët e ndërtimtarisë, për rrënimin e detyrueshëm të mbindërtimeve dhe ndërtimeve të katër objekteve hoteliere në afërsi të sheshit “Shatërvan” në Prizren.

Në pyetjen e mbrojtësit të tij, se kush ka qenë kompetent për krijimin e kushteve për ekzekutim të konkluzioneve për rrënim të dhunshëm, Nerjovaj ka thënë personi kompetent i cili është emëruar apo zgjedhur në pozitën e koordinatorit të inspektoratit ndërtimor, ka qenë Fail Hoxha.

Në pyetjen e avokatit, se për objektin “Shadërvan”, a ka pas tejkalim të lejes nga ana e investitorit, dhe çfarë veprime janë marr nga ana e inspektorëve.

“Me sa më kujtohet, të gjitha veprimet që i ka bërë inspektori në atë kohë, i ka paraqit në formë të shkruar përmes shkresave zyrtare, të cilat dokumente i kam nënshkruar në mënyrën sa ma të shpejtë, në mënyrë që rastet mos të zvarritem, ose kur kam munguar unë, ato i ka nënshkruar edhe koordinatori për të vetmen arsye që lënda mos të zvarritet dhe mos të bëhen shpenzime të mëdha, por e keqja të ndalet që në fillim”, ka thënë Nerjovaj.

Përveç kësaj, Nerjovaj ka thënë se për të gjitha rastet ka nënshkruar, edhe pse pas sugjerimit të juristëve, siç ka thënë ai, nuk ka pasur nevojë të i nënshkruan këto dokumente, pasi që ka qenë detyrë ekskluzive e inspektorit e jo e drejtorit.

Në pyetjen e mbrojtësit Mazreku, se a ka pasur ai ndonjë obligim apo përgjegjësi pas nënshkrimit të konkluzioneve, Nerjovaj ka thënë se që nga momenti kur ai e ka nënshkruar një dokument si formë zyrtare, sipas tij, përgjegjësia ka qenë komplet e inspektorit të ndërtimit, që deri në fund të ndjek rrugën që ka nënkuptuar rrënimin ose mënjanimin e asaj që ai e ka propozuar vet si profesionist dhe zbatues i ligjit, në bashkëpunim me koordinatat e inspektoratit.

Në pyetjen e prokurorit, se pas nënshkrimit të këtyre konkluzioneve për këto katër objekte, a ka kërkuar ai nga inspektorët e ndërtimit, Ruzhdi Daka dhe Nexhmedin Musliu, që të shtyhet ekzekutimi i këtyre konluzioneve derisa të konsultohet me kryetarin e komunës, Ramadan Muja, Nerjovaj, ka thënë se nuk e ka bërë, pasi që ata e mbrojnë ligjërisht, e kanë hartuar dhe janë përgjegjës deri në zbatim, ose në të kundërtën kanë mundur të kërkojnë nga organet tjera relevante për me shty ekzekutimin.

Duke u përgjigjur në pyetjen e prokurorit Biraj, se nisur nga fakti se i akuzuari ka qenë drejtor i Inspektoratit, a konsideron ai se të gjithë inspektorët e kësaj drejtorie e kanë pasur statutin e vartësit në raport me drejtorin.

Kurse, Nerjovaj ka thënë se ata kanë qenë nën menaxhimin e tij në aspektin e menaxhimit, por në aspektin e marrjes së vendimit kanë qenë të obliguar ta zbatojnë ligjin.

Tutje, në pyetjen e prokurorit Biraj, lidhur me mos ekzekutimin e këtyre konkluzioneve për rrënimin e objekteve pa leje, a ka marr i akuzuari masa ndaj këtyre inspektorëve, Dakaj dhe Musliu, Nerjovaj ka thënë se lidhur me këto raste, që të dy kanë qenë në komision disiplinor, por siç tha ai, se çfarë masa janë ndërmarr ndaj tyre, ai tha se nuk e din.

Ndërkohë, në këtë seancë ish-kryetari i Prizrenit, Ramadan Muja është marr në pyetje për kohën derisa ai ka qenë kryetar i kësaj komune, që ndërlidhet me kohën, kur i akuzuari Nerjovaj, ka qenë drejtor.

Ish-kryetari Muja, është përgjigjur në pyetjen e prokurorit të këtij rasti, Metush Biraj, lidhur me atë se derisa ishte kryetar i Komunës së Prizrenit, a ka pasur ai ndonjë takim të veçantë me të akuzuarin dhe a e ka diskutuar çështjen e rrënimit të objekteve të ndërtuara pa leje, “Kaçinari, Shadërvan, Centrum dhe Klasik”, të vendosura në qendrën historike të Prizrenit.

“Një herë në javë kam mbajtur mbledhje me drejtorët e ekzekutivit të komunës, dhe aty secili drejtor që ka pas nevojë për zgjidhje të ndonjë problemi, e ka marr fjalën dhe është deklaruar. Sa i përket ndërtimit të këtyre objekteve që i përmendi prokurori, unë as që jam përzier, e as që ka qenë kompetencë e imja, dhe kjo ka qenë kompetencë e Drejtorisë së Inspektorateve”, ka thënë dëshmitari Muja.

Më pas, duke u përgjigjur në pyetjen e prokurorit Biraj, se a ka kërkuar i akuzuari Nerjovaj nga ai përkrahje për rrënimin e këtyre objekteve në qendrën historike të Prizrenit, Muja ka thënë se kjo nuk ka qenë në kompetencat e tij, pasi që siç tha ai, ai nuk ka qenë drejtor, por kryetar i komunës.

Në pyetjen e prokurorit, se gjatë takimeve që i ka pasur dëshmitari me drejtorët, a i ka përmendur i akuzuari ndonjëherë që ka pasur probleme me rrënimin e objekteve në qendrën historike të Prizrenit, Muja ka thënë se një gjë e tillë, nuk i kujtohet.

Përfaqësuesi i Komunës së Prizrenit, e ka pyetur ish-kryetarin, se a ka qenë ai i njoftuar se në vendimet e rrënimit, ekziston edhe emri i tij, apo a është kërkuar nga ana e tij që në ato vendime të jetë edhe emri i tij, dëshmitari ka thënë se nuk i kujtohet që ka nënshkruar në ndonjë vendim të tillë, pasi që sipas tij, ajo ka qenë kompetencë e drejtorisë së Inspektorateve.

Më pas, Ramadan Muja, u është përgjigjur edhe pyetjeve nga ana e mbrojtësit të të akuzuarit Nerjovaj, avokatit Blerim Mazreku.

“Deklaruat se ju nuk keni nënshkruar asnjë konkluzion për rrënimin e detyrueshëm të objekteve pa leje, a ju kujtohet a është kërkuar nga ju që në ndonjë rast kur drejtoria e inspektorateve nuk ka pasur buxhet të mjaftueshëm për rrënim, të ketë kërkuar ndonjë vendim nga ju ose të ketë kërkuar nënshkrimin tuaj për shkak të mungesës së buxhetit në drejtorin e tyre”, ka thënë avokati Mazreku, drejtuar dëshmitarit.

Kurse, dëshmitari Muja, ka thënë se nuk ka pasur as fuqi ligjore, as të drejtë që të marr buxhet nga buxhetet e drejtorive, për të plotësuar nevojat e Drejtorisë së Inspektorateve, si dhe siç ka thënë ai, nuk i kujtohet se a ka nënshkruar ndonjë konkluzion për destinim të tillë apo jo.

“Në shkresat e lëndës gjendet një konluzion, mbi lejimin e ekzekutimit ku përveç nënshkrimit të inspektorit të ndërtimtarisë Nexhmedin Musliu dhe drejtorit të inspektorateve Bujar Nerjovaj, gjendet edhe nënshkrimi i juaj”, ka qenë ballafaqimi i avokatit Mazreku, drejt dëshmitarit, duke e pyetur se a është nënshkrimi i tij.

Muja, ka thënë se nënshkrimi qenka i tij, duke shtuar se kjo ka qenë kompetencë e Drejtorisë së Inspektorateve, dhe ka mundur që të mos e nënshkruaj.

Pas dëgjimit të dëshmitarit Muja, ka dëshmuar edhe ekspertja Drita Grazhda.

Në pyetjen e prokurorit Biraj, lidhur me ekspertizën e saj për këtë rast, të sqaron se sa është lartësia e dëmit që i është shkaktuar komunës së Prizrenit, për katër objektet e ndërtuara pa leje në zonën historike të qytetit.

Ajo ka thënë se vlera e dëmit të shkaktuar për këto katër objekte “Hotel Kaçinari, Centrum, Shadërvan dhe Klasik”, shuma e dëmeve të shkaktuara buxhetit të Komunës së Prizrenit është 36 mijë 143 euro.

Tutje, në pyetjen e avokatit Mazreku, se a ka pasur në dispozicion ekspertja gjatë përpilimit të ekspertizës, raportet detale të ekspertit të gjeodezisë për tri objektet të cilat kanë bërë tejkalimin e lejeve ndërtimore, ajo ka thënë se nuk i ka pasur ato raporte.

A do të thotë kjo se në mungesë të këtyre raporteve, sipas avokatit Mazreku, ka qenë e pamundur që matjet e tejkalimit të lejeve të jenë të sakta, dëshmitarja ka thënë se nëse do t’i kishte raportet e gjeodezisë, sipas saj, dimensionet do të ishin më të sakta.

Për më tepër, në pyetjen e mbrojtësit, ajo ka thënë se në rast se këto dimensione do të ishin më të sakta, atëherë edhe vlera e dëmit do të ndryshonte, por në përqindje shumë të vogël.

Seanca e radhës në të cilën pritet të jepet fjala përfundimtare për këtë çështje penale, sipas gjykatësit Xheladin Osmani, është e caktuar më 10 maj 2019, prej orës 10:00.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, e ngritur më 30 tetor 2018, i pandehuri Bujar Nerjovaj, si drejtor i Inspektoratit në Komunën e Prizrenit, akuzohet se si person zyrtar me mosveprim duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, nuk e ka përmbushur detyrën zyrtare, me qëllim të përfitimit të dobisë për personin tjetër apo që t’i shkaktojë dëm personit tjetër.

Në aktakuzë thuhet se Nerjovaj, në cilësinë e ish-drejtorit të Drejtorisë Komunale të Inspektorateve në Prizren, gjatë periudhës 2011-2013, nuk i ka siguruar kushtet për t’i ekzekutuar konkluzionet e lëshuara nga inspektorët e ndërtimtarisë, për rrënimin e detyrueshëm të mbindërtimeve dhe ndërtimeve të katër objekteve hoteliere në afërsi të sheshit “Shatërvan” në Prizren.

Sipas aktakuzës, objektet janë ndërtuar pa leje apo në kundërshtim me lejet e dhëna, të gjitha këto të ndërtuara në Zonën e Parë të Qendrës Historike në Prizren, me ç‘rast është dëmtuar trashëgimia kulturore e arkitektonike e Qendrës Historike të Prizrenit si dhe për shkak të mos pagesës së detyrimeve, është dëmtuar buxheti i Komunës së Prizrenit për 36,143.00 euro.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /Betimipërdrejtësi

Më Shumë

Zhegrova, Muriq e Muslija surprizuan SOS Fshatin e Fëmijëve – dhuruan 4 mijë euro

Edon Zhegrova, Aro Muriq dhe Florent Muslija bashkë me kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademin, kanë surprizuar fëmijët në SOS Fshatrat...

Kryetari i Rahovecit me padi kërkon 100 mijë euro kompensim dëmi nga inspektori i Arsimit

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi  përmes përfaqësuesit të tij ka kërkuar të aprovohet padia e tij për kompensim dëmi kundër inspektorit të...

Lajmet e Fundit