Sa i përket zgjedhjeve të jashtëzakonshme në vend, partitë opozitare janë ato që po i kërkojnë me ngulëm këto zgjedhje, për arsye se kjo Qeveri e ka futur vendin në një humnerë të madhe sipas tyre. Mirëpo, pozita, përkatësisht LDK-ja, thotë që opozita duhet të rishikojë qëndrimin e saj, sepse këto zgjedhje po i konvenojnë vetëm PDK-së, ku pas formimit të Gjykatës Special, kjo parti do të jetë pa lidership. Kurse, partia e Ballit Kombëtar, e cila po synon të merr pjesë në këto zgjedhje të ardhshme dhe me bindje që do të fitojë një numër të madh votuesish, thotë që zgjedhjet do të bëhen në vitin e ardhshëm, përkatësisht në maj të vitit të ardhshëm.
Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, në një prononcim për gazetën InfoPress, tha që zgjedhjet janë të pashmangshme, sepse kjo Qeveri nuk ka dije për të qeverisë.
“Për shkak të rrethanave të krijuara në vend, zgjedhjet janë të pashmangshme dhe janë të domosdoshme dhe për këtë do të angazhohemi në vazhdimësi. Kjo Qeveri ka treguar që nuk ka as vullnet, as dije për të qeverisur me vendin, përkundrazi vendi po shkon drejt humnerës, në secilin drejtim”, u shpreh ai.
Ajo më tej tha që subjekti i saj politik ka një shtrirje aq të madhe saqë këtë herë do të del fitimtare.
“Ne si subjekt politik, asnjëherë nuk kemi qenë më të shtrirë dhe më të fuqishëm se tani. Këtë po e konfirmojnë edhe sondazhet, por edhe gjendja ne terren, si dhe nevoja që po e ndjejnë qytetarët për ndryshim. Gjitha këto janë tregues se Lëvizja është e vetmja alternativë dhe do të dalë e para”, deklaroi Haxhiu.
Që të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme thotë edhe kryetarja e grupit parlamentar të Nismës, Valdete Dushica- Bajrami.
Ajo në një prononcim për gazetën InfoPress, tha që zgjedhjet është deshtë të bëhen në dhjetor të vitit të kaluar, pas vendimit për asociacionin e komunave me shumicë serbe.
“Vendi do të duhej të shkonte në zgjedhje në dhjetorin e vitit të kaluar, kur Gjykata Kushtetuese nxori vendimin në lidhje me Asociacioni e Komunave me Shumicë serbe, ku kjo marrëveshje doli të mos jetë në frymën e Kushtetutës në 23 nene të saj, prandaj ne Nisma, pra që nga ai moment kemi kërkuar që vendit dhe qytetarëve duhet t’ju ofrohen zgjedhjet e parakohshme pasi që nga ajo ditë e deri më sot ne qeverisemi nga shkelës të Kushtetutës dhe praktikisht kjo Qeveri është jolegjitime”, mendon Dushica-Bajrami.
Bajrami mendon se Nisma mund ti ofrojë qytetarëve të Kosovës një qeverisje më të mirë, së bashku me AAK-në dhe ka shpresë se do të dalim fitimtare në këto zgjedhje.
“Nisma për Kosovën tashmë është një parti politike, e cila mund t’ju ofrojë qytetareve një qeverisje, e cila do të jetë në të mirë të vendit dhe në të mirë të qytetarëve, dhe ne jemi në koalicion parazgjedhore me AAK-në dhe po që se do mbahen zgjedhjet Nisma dhe AAK do të dalin fituese, sepse ky koalicion është më i dëmshmi që është bërë ndonjëherë që nga pas lufta dhe si i tillë ka bërë shumë gabime që do t’i kushtojnë edhe PDK-së e edhe LKD-se”, tha ajo.
Pro zgjedhjeve u shpreh edhe kryetari i Grupit Parlamentar të AAK-së Pal Lekaj.
Ai në një prononcim për gazetën InfoPress, tha që zgjedhjet janë të nevojshme, sepse çdo ditë e më shumë qytetarët po varfërohen edhe më shumë nga kjo Qeverisje.
“Zgjedhjet janë të nevojshme që të zhvillohen në kohën sa më të shpejt. Kjo është e nevojshme, sepse Kosova ka ngecur në të gjithë segmentet e jetës. Qytetarët e Kosovës po varfërohen çdo ditë e më shumë, sepse qeveria e sotme të vetmen gjë qe ka bërë, është vazhdimi i kapjes së shtetit, duke e vazhduar kështu traditën e ish-qeverisë. Nuk dua të lëshohem në spekulime e të përmend data, sepse këto gjëra bëhen më dakordim të spektrit politik, porse, a janë të nevojshme? Po gjithsesi! Sa ma shumë vonesa në këtë drejtim, nisja për një Kosovë të zhvilluar do të jetë më e vështirë”, deklaroi Lekaj.
Kurse sa i përket asja, se a do të del fitimtare AAK-ja në zgjedhjet e ardhshme, ai tha që AAK-ja në bashkpunim me Nismën po zgjerohet çdo ditë e më shumë, kështu që qytetarët do t’ua besojnë votën atyre.
“Boshti opozitar AAK-NISMA po zhvillohet e po zgjerohet çdo ditë, jemi në rrugën që të bëhemi një adresë e qëndrueshme që nesër të jemi në gjendje më udhëheq një qeveri të fortë, që do të jetë në gjendje të marrë vendime të guximshme që do të shkojnë në favor të zhvillimit dhe rritjes së kualitetit të jetës së qytetarëve. Kemi besimin e plotë që ne do të arrijmë të bëjmë ndryshimin e vërtetë për Kosovën, ketë do ta bëjmë bashkë me qytetarët, ata do të na e besojnë këtë”, përfundoi ai.
Se zgjedhje duhet të mbahen është i mendimit edhe kryetari i Ballit Kombëtar, Gazmend Islami, vetëm se ai mendon se këto zgjedhje nuk do të mbahen deri në mars të vitit të ardhshëm.
“Unë mendoj që zgjedhje të jashtëzakonshme do të kemi në vitin e ardhshëm, që nga fillimi i i marsit do të fillojnë, sepse ky koalicion përveç që është i panatyrshëm është edhe i paqëndrueshëm për shkak të situatës, e cila është e krijuar tash e dy vite, që nga ky fakt kemi një shtet të paralizuar. Kjo qeverisje është e dëmshme, jo vetëm për vendin, por edhe për të gjithë rajonin”, u shpreh Islami.
Islami më tej tha që Balli Kombëtar do të kalojë pragun dhe do të bëhet pjesë e Parlamentit të Kosovës, dhe për herë të parë do të konkurrojë një parti e djathtë konservatore, që për synim ka Bashkimin Kombëtar.
“Balli Kombëtar Demokrat do të jetë fuqi, e cila do të kalojë në parlamentin e Kosovës dhe do të dëgjohet për herë të parë zëri i të djathtës konservatore brenda Institucioneve të Kosovës dhe kjo besoj që do të jetë fitorja, jo vetëm e partisë tonë Balli Kombëtar, por do të jetë fitore e gjithë shqiptarëve për ballistët të cilët kanë sakrifikuar me dekada e shekuj për çlirim e bashkim kombëtar”, përfundoi ai.
Po, për zgjedhje të jashtëzakonshme shihet që nuk është gati LDK-ja.
Deputeti i kësaj partie Adem Salihaj në një prononcim për gazetën InfoPress, tha që këto zgjedhje më së shumti po i konvenojnë PDK-së, për shkak se nëse zgjedhjet shtyhen më vonë kësaj të fundit nuk do ti konvenojnë, për arsye se do të mbesin pa lidership me formimin e Gjykatës Speciale.
“Zgjedhje të jashtëzakonshme mund të ketë, meqë PDK po e kërkon këtë dhe partitë opozitare po pajtohen. Shkuarja në zgjedhje në këtë periudhë është interes vetëm i PDK-së, kjo parti po ngutet që t’i mbajë zgjedhjet para arrestimeve nga Gjykata Speciale, në mënyrë që të mos mbetet pa lidershipi gjatë zgjedhjeve. Mendoj se opozita duhet ta rishikojë qëndrimin e saj, sepse shkuarja në zgjedhje në këtë moment është strategji e PDK-së. PDK po synon që në zgjedhje të shkohet në fillim të pranverës, por unë mendoj se kohë më e përshtatshme për zgjedhje është korriku ose shtatori, në mënyrë që të mund të mbahen edhe zgjedhjet lokale”, u shpreh Salihaj.
Ai më tej tha që LDK-ja do të del partia e parë në zgjedhje nëse ato do të mbahen në shtator apo korrik të vitit të ardhshëm.
“Nëse zgjedhjet mbahen në korrik ose shtator,mendoj se gjasat e LDK-së që të dalë partia e parë janë shumë të mëdha. Kuptohet, nëse bëhet një riorganizim” mendon ai .
Kurse sa i përket përgatitjeve për zgjedhje, KQZ-ja është gati kurdo që ato të ndodhin.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmiri Elezi, tha për gazetën InfoPress, se çdo vendim që del nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës e mirëpret KQZ-ja.
“Organizimi dhe mbajtja e zgjedhjeve në Republikën e Kosovës është detyrë kryesore e fushëveprimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Kjo është përcaktuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Prandaj, KQZ-ja, siç e kemi thënë edhe më parë, mbetet e përkushtuar për përmbushjen e detyrimeve që burojnë nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës” tha Elezi.