25.8 C
Prizren
E hënë, 20 Maj, 2024

Zhagiten dhe kryhen keq punët në Randobravë të Prizrenit

fshatrat-e-anadrinit-nga-ZatriqiBanorët e fshatit Randobravë ankohen se ka dy vjet që kanë filluar punimet në shtrimin e rrugëve dhe rrjetit të kanalizimit në këtë fshat dhe akoma nuk kanë përfunduar.

85 vjeçari Abedin Hasani që mbulonte gropat me shkopin me të cilin mbahet nga mosha e shtyrë, thotë se punimet po kryhen shkel e shko.

“Po punohet krej falls, qe a pe shohish unë po shkeli po shkon te poshtë qe… po kur hyp traktori me dru e me zallë, e kamionat me dhe?!”, shpreh shqetësimin ai.

Punët e lëna përgjysmë në Lagjen “Nazmi Hasani” ose “Lagjen e Poshtme” siç njihet, sipas banorëve kanë mbuluar kanalin e ujërave të shiut, duke vështirësuar qarkullimin.

“Për momentin disa shtëpi i kap kanalizimi disa jo dhe tash na nuk jemi të kënaqur, zgjerimi i rrugës është dasht me u bo 5 metra, as nuk e kan zgjeru rrugën, as nuk e kan ndërmend me e zgjeru dhe qe ka mbetë qysh ka mbetë. E kanë mbyllë edhe vijën e ujërave të shiut, krejt uji rrugës po del dhe këtu gjatë dimrit bëhet e pakalueshme rruga dhe as vetë nuk e di qysh do t’ja dalim në këtë dimër”, thotë Hamdi Hasani, banor i kësaj lagjeje.

Një banor tjetër i “Lagjes së Poshtme” akuzon kompaninë që fitoi tenderit për shtrim të rrugëve me kubëza dhe vendosje të rrjetit të kanalizimit.

“Qeto punime çka po i sheh syri i kamerës, këto kanë pasë me u shtru para dy vjetëve, projektin e kanë fitu ‘Vëllezërit e Bashkuar’, qysh po e shihni edhe vetë as në këmbë nuk dilet prej baltës e leje më me makinë. Unë nuk e di qysh do të hyjmë në dimër e kam plakun 84 vjeç me infuzion…këtu nuk qarkullohet”, shpjegon Nexhmedin Hasani.

Sefer Susuri, pronari i Kompanisë “Vëllezërit e Bashkuar” fajin për vonesat e kryerjes së punimeve ia lë Komunës së Prizrenit.

“Vonesat e deritashme janë për shkak se Komuna nuk na ka dhënë urdhëresë për alokim të mjeteve, madje kështu ka qenë e paraparë me kontratë nga fillimi, sepse Komuna nuk ka pasur mjete”, thotë Sefer Susuri nga “Vëllezërit e Bashkuar”.

Banorët e Randobravës nuk janë të kënaqur as me cilësinë e punëve të kryera gjatë shtrimit të rrugëve me kubëza .

Kompania “Vëllezërit e Bashkuar” zotohet se do t’i përmirësojë edhe punët e kryera, para përfundimit të projektit.

“Sa i përket vërejtjeve është organi mbikëqyrës që kur e përfundojmë projektin mundet me na dhënë vërejtje, mirëpo unë po ju them se të gjitha vërejtjet që janë thënë nga banorët në fund të projektit do të rregullohen”, premton Sefer Susuri.

Edhe Komuna e Prizrenit që është porositëse e këtij projekti në Randobravë, për punët që po zgjasin pafund nuk e heq përgjegjësinë nga vetja.

“Komuna sivjet ka pasur në planifikimin e vet vetëm 100 mijë euro. Kompania fituese ka punuar me një vlerë më të madhe se 100 mijë euro, kështu që i ka përfunduar punimet për sivjet, sepse në mungesë të fondeve kemi ardhur në konkludim që nuk mund të vazhdohet dhe ne nuk kemi dashur që kompaninë në një mënyrë ta shkelim”, thotë Fejsal Hoti, koordinator i Shërbimeve Publike të Komunës së Prizrenit.

Hoti e di që banorët e Randobravës po ankohen.

“Po, kemi pasë disa ankesa nga komuniteti i fshatit Randobravë, fjala është për projektin ndërtimi me elemente betoni i rrugëve në Randobravë që i ka kushtuar komunës 172 mijë e 424 euro.

KALLXO.com-i ka siguruar këtë kontratë, nga e cila ka marrë vesh se në vitin 2013 komuna e nisi këtë projekt me vetëm 5 mijë euro.

Përkundër kësaj, Fejsal Hoti thotë se nëse konstatohet që kompania “Vëllezërit e Bashkuar” i ka kryer punimet me cilësi të dobët, kjo punëkryese do të detyrohet të përmirësojë punimet e përfundura.

Normal që do të marrim masa, sepse ende kemi pagesa për të bërë diku mbi 70 mijë euro dhe do të dalë një komision profesional i drejtorisë dhe do ta vërtetojë gjendjen faktike dhe nëse ka diçka, kompania do të angazhohet rishtas për sajimin e dëmeve që janë në fjalë”, thotë koordinatori Hoti.

Por Besim Hasani, një banor tjetër i “Lagjes Së Poshtme” të Randobravës thotë se komuna nuk e ka përfshirë pjesën ku ai jeton në rrjetin e kanalizimit dhe atij i është dashur të shtrijë vetë gypat e kanalizimit në një sipërfaqe prej 60 metrash.

Hasani që thotë se është pagues i rregullt i të gjitha tatimeve komunale ankohet se këto punë të vetëkryera i kushtuan 500 euro.

“Kur po vjen koha e tatimeve po vin po i lypin tatimet, se nuk mundesh me e regjistru kerrin po nuk e dimë na se ku po shkojnë këto tatime, kurse nuk kontribuojnë për qytetarët. Na kemi dëshirë që të kompensohet ky kontribut, apo kjo pare që është shpenzuar prej xhepit tem, se unë i papunë jam”, thotë Hasani.

Ai tash ka drojën se pjesa e rrugës ku jeton mund të mos shtrohet me kubëza.

Koordinatori i Shërbimeve Publike në Prizren Fejsal Hoti që thotë se për projektin e Randobravës parashihen fonde komunale edhe në vitet 2015- 2016, tregon se punët do të kryhen në të gjitha pjesët e fshatit të parapara me projekt.

Sipas Hotit rrugët me kubëza të Randobravës pritet të shtrohen deri në prillin e 2015-ës.

“Na me presionin tonë do ta realizojmë sa më shpejt që është e mundur. Ne mendojmë se kah marsi eventualisht prilli i vitit të ardhshëm, nëse premtojnë kushtet klimatike”, premton Hoti.

Deri atëherë banorët e Randobravës do ta kalojnë edhe një dimër me rrugët plot baltë./Kallxo.com/

Më Shumë

Kërkohet ndihmë për shërimin e 18-vjeçarit, Argjend Jonuzaj nga Prizreni

Argjend Jonuzaj nga Komuna e Prizrenit ka nevojë për ndihmën tuaj. 18-vjeçari është diagostifikuar me Leukemi, trajtimi i kësaj sëmundje i cili bëhet vetëm jashtë...

25 vjet nga zhdukja e Ukshin Hotit

Më 16 maj 1999 në rrethana ende të pandriçuara është zhdukur Ukshin Hoti. Veprimtari i mirënjohur i Lëvizjes Kombëtare, profesori Ukshin Hoti u lind më...

Lajmet e Fundit