7.5 C
Prizren
E premte, 6 Dhjetor, 2024

“Zogu fle në çinar” – një libër i rrallë për fëmijë

Nexhat HalimiI shpërblyer me Çmimin “Ymer Elshani” për këtë vit nga Karvani i Shkrimtarëve për Fëmijë “Agim Deva”, libri “Zogu fle në çinar”i Nexhat Halimit është i rrallë në shumë aspekte; për nga forma e realizimit, për mjeshtërinë e vargnimit, tematikën mozaik të përditshmërisë e vlerën e pamohueshme artistike.

Shkrimtari Nexhat Halimi, i njohur në letrat shqipe me botime librash që nga viti 1969, kur botoi librin e parë, “Parakalimi i etjeve” ka arritur të pasurojë letërsinë shqipe me një fond librash të zhanreve të ndryshme, si për të rritur, ashtu edhe për fëmijë.

Fillimisht ishte i përqendruar në fushën e krijimeve për të rritur, me kontribute të çmueshme në poezi dhe në prozë, ndërkaq viteve të fundit i është përkushtuar edhe letërsisë për fëmijë, dashurisë së tij të hershme, duke e pasuruar atë me titujt e librave: “Molla e fshehur”, “Lulja që qan”, “Fyelli i gjallë”, “Kotelja e artë”, “trëndafili me zemër”, “Vetëtima e shpatës”etj.

Kohë më parë Halimi u prezantua para lexuesve me librin më të ri dedikuar fëmijëve, me titull “Zogu fle në çinar”. Dedikimi i përmendur në këtë rast nuk mund të ketë dedikim absolut, për shkak se ky libër ia vlen të lexohet edhe nga të rriturit, të lexohet dhe të analizohet, me ç`rast lexuesi do të përballet ja vetëm me përvojën krijuese dhe mjeshtërinë në vargnim, por edhe me përmbajtjen e veprës, me tërësinë e saj e cila bart më vete mesazhe kuptimplota jo vetëm për mundësitë receptuese dhe për imagjinatën e fëmijëve, shkruan shkrimtari dhe poeti Ibrahim Kadriu.

Përmendja e mjeshtërisë në vargnim ka të bëjë me skalitjen e vargjeve që i bën autori në formën e sonetit, formë kjo e cila kërkon njohuri estetike dhe disiplinë rrokjesh, rimash dhe vargjesh. Si i tillë, ky libër është i rrallë, që zakonisht shkruhet nga krijues të rrallë, nga të tillë të cilët letërsisë ia kushtojnë tërë qenien. Nexhat Halimi e dëshmon këtë me librin “Zogu fle në çinar” pra me zogun e tij, që me vlerën artistike arrin të fluturoj lart dhe të të jap mundësi që, gjatë leximit, të relaksosh shpirtin me imazhe që dalin herë drejtpërdrejt, herë përmes kuptimeve aforistike dhe metaforave të qëlluara, siç janë vargjet, psh: “Udha nga shtatori në qershor të përket dhe ty/ Udha nëpër pyll të errët, por e ylbertë…” apo vargjet mbi konceptin e lirisë, etj,transemton Koha.net

“Zogu fle në çinar”, kurorë sonetike – katërmbëdhjetë vjersha dhe me magjistralin përmbyllës, por edhe me vjershat e tjera të sistemuara në ciklin “Udha deri në zemër” na vjen me ngjyrime kuptimesh që grishin fantazinë e fëmijës për ta kuptuar botën me të gjitha nuancat, botën që e rrethon dhe shpesh nuk e kupton. Autori e ka gjetur mënyrën më të përshtatshme për grishjen e kureshtjes së lexuesit, duke ia ofruar përditshmërinë si një lloj mozaiku, ku gjejnë vend edhe bleta, edhe geri, edhe mësuesi, edhe plaku, edhe postieri, edhe Skënderbeu; ku në mënyrë të përshtatshme spikaten edhe atmosfera njerëzore, dashuria për të bukurën, lirinë, madje edhe pavarësinë. Në këtë mozaik preokupimesh, të shndërruara në ritme vargjesh, Nexhat Halimi krijon optimizëm, dashuri për jetë pas ditëve të ethshme të përjetuara nga trysnitë e luftës.

Libri, në çdo poezi e kësaj kurore sonetike është ilustruar nga Salih Lutolli –AGI.

Më Shumë

Gratë e UÇK-së në qendër të ekspozitës në Prizren

Për të nderuar kujtimin për gratë që kontribuuan për lirinë e Kosovës, në ndërtesën e Komunës së Prizrenit është hapur ekspozita “Gratë në rrugën...

Policia shqiptoi 1.510 gjoba trafiku për 24 orë

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se brenda 24 orëve të kaluara ka shqiptuar 1.510 gjoba në trafik. Sipas raportit të policisë, gjatë 24...

Lajmet e Fundit