8.8 C
Prizren
E shtunë, 27 Prill, 2024

Dëshmitari thotë se nuk e ka parë që deputeti i Kuvendit të Kosovës t’i ketë sulmuar dy të dëmtuarit

Nënkryetari i Partisë së Bashkuar Gorane, Selman Osmani, ka deklaruar se nuk e ka parë që kryetari i kësaj partie, Adem Hoxha, njëherësh deputet në Kuvendin e Kosovës, t’i ketë sulmuar tani të dëmtuarit Fatir dhe Berzat Berzati.

Dëshmitari Osmani, është dëgjuar në seancën e së martës, në Gjykatën Themelore në Prizren, dega në Dragash, në rastin ku deputeti Hoxha, akuzohet për dy vepra penale, atë të sulmit dhe të kanosjes, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Paraprakisht, prokurori i rastit, Shehadin Destani, ka bërë rikualifikimin e veprës penale, duke e ngarkuar të akuzuarin Hoxha për veprat penale që parashihen me Kodin e ri Penal, e jo me atë të vjetrin, siç akuzohej deri tash, pasi sipas prokurorit, Kodi i ri, parasheh dënim me të lehtë për të akuzuarin, andaj në rrethanat e aplikimit të ligjit me të favorshëm, e bën ketë ricilësim.

Ndërkohë, gjatë dëshmisë së tij, dëshmitari Osmani, ka thënë se të akuzuarin Hoxha e ka mik dhe bashkëpunëtor për shumë vjet, derisa ka treguar lidhur me rastin kur pretendohet që tani i akuzuari i ka kryer veprat penale.

Dëshmitari ka thënë se si nënkryetar i partisë, të cilën e udhëheq tani i akuzuari, e kishte ftuar të dëmtuarin Berzati, në një mbledhje partiake.

Sipas tij, në këtë mbledhje ka pasur një bisedë të tensionuar ndërmjet të akuzuarit dhe të dëmtuarit, duke shtuar se ky tensionim më pas ka kaluar edhe me ngritje të zërit ndërmjet tyre.

Duke u përgjigjur në pyetjen e prokurorit Shehadin Destani, nëse ai e ka parë të akuzuarin Hoxha, ka sulmuar të dëmtuarit Fatir dhe Berzat Berzatin, dëshmitari Osmani, ka deklaruar se nuk ka parë diçka të tillë.

“Thashë edhe në fillim që Fatir Berzati dhe Adem Hoxha kanë diskutuar me një bisedë të tensionuar dhe gjatë kësaj bisede janë ngritur në këmbë dhe janë afruar njeri me tjetrin. Në këtë gjendje ne që ishim të pranishëm i kemi ndarë dhe në ato momente Fatiri ka dal nga zyra në mënyrë demonstrative. Përndryshe, unë nuk kam parë që Adem Hoxha ta ketë sulmuar Fatir dhe Berzat Berzatin. Unë nuk kam dëgjuar as fjalë kërcënuese të tipit “kam me ju zhduk” dhe as ndonjë fjalë tjetër kërcënuese”, ka deklaruar dëshmitari Osmani, njëherësh bashkëparitak i të akuzuarit Hoxha.

Mirëpo, ketë deklaratë e ka kundërshtuar në tërësi i dëmtuari Berzat Berzati, me arsyetimin se është e pavërtetë, e dhënë nën presion, si dhe sipas tij, dëshmitari është i anshëm për faktin se është shok dhe bashkëpunëtor shumë i afërt me të akuzuarin Hoxha.

Berzati ka thënë se lidhur me pohimet e tij, ai ka prova dhe dëshmi, të cilat ata si të dëmtuar do t’i paraqesin gjatë seancave të ardhshme.

Prezent në seancën e së martës, kanë qenë edhe dëshmitarët e tjerë, Abdullah Haliloviq, Neim Sahtiari, Nijazi Jashari, Berzat Sharr, Ersan Ali dhe Fejza Haliloviq, të cilët janë lënë të dëgjohen seancën e radhës.

Kurse, nuk ka prezantuar dëshmitari Ernes Sherifi, për të cilin gjykata ka lëshuar urdhërarrest për sjellje me dhunë, por deri në momentin e seancës, për të Stacioni  Policor në Dragash, nuk ka  dhënë asnjë njoftim.

Gjyqtari i çështjes Luan Berisha, për shkak të pushimit te drekës dhe agjendës së ngjeshur të së pasdites, seancën e radhës për ketë rast e ka caktuar më 27 janar 2020, në ora 10:00.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 20 shkurt 2018 nga Prokurori Themelore në Prizren, Adem Hoxha akuzohet se më 26 nëntor 2017, në selinë e Partisë së Bashkuar Gorane (JPG), në Dragash, me dashje përdor forcë ndaj personit tjetër, pa pëlqimin e atij personi.

Në aktakuzë thuhet se ngjarja ka ndodhur në atë mënyrë, që derisa të dëmtuarit Berzat Berzati dhe Fatir Berzati, kishin shkuar në selinë e partisë, ku fillimisht e kishin përshëndetur kryetarin e partisë, tani të pandehurin Adem Hoxha, ku ky i fundit i është drejtuar me fjalët “ti nuk meriton të më përshëndetësh mua”.

Gjithnjë sipas aktakuzës, gjatë bisedës i pandehuri Adem Hoxha është ngritur nga ulësja dhe i është drejtuar tashmë të dëmtuarit Berzat Berzati “ti del në rrugë, sepse nuk je anëtar i partisë dhe nuk ke të drejt të qëndrosh aty”.

Sipas aktakuzës, i dëmtuari Berzati duke dal jashtë, goditet me shqelma mbrapa nga i pandehuri dhe më pas ai e godet me grushte dhe shuplaka në fytyrë edhe të dëmtuarin Fatir Berzati.

Bazuar në aktakuzë, me datën, kohën dhe vendin e përshkruar si më lartë, i pandehuri Hoxha, seriozisht i kanos të dëmtuarit Fatir dhe Berzat Berzati, me fjalë, vepra apo gjeste se do t’i shkaktojë ndonjë të keqe.

Sipas aktakuzës, kanosja bëhet në atë mënyrë që u drejtohet me fjalët “ty dhe vëllain tënd kam me ju zhduk, ju keni me qenë shembull për të tjerët, familja ime është e rrezikshme” dhe kishte vazhduar me tutje me fjalët “ti dhe vëllau yt do ta mbani në mend se kush është Adem Hoxha, he ja u q***n***, r*** ”, gjë që, sipas prokurorisë, tek të dëmtuarit ka shkaktuar ndjenjën e frikës, ankthit dhe pasigurisë. /Betimipërdrejtësi

Më Shumë

Pse e ndërpreva seksin për një vit!

“Në mars të vitit 2018, ndalova seksin. Vendosa që për një vit të mos bëj seks apo ndonjë gjë që lidhet me të.” Francisco...

Festivali “Prizren Rock and Blues Festival” rikthehet edhe këtë vit me emra shumë të njohur — mbahet më 4-5-6 korrik

Festivali “Prizren Rock and Blues Festival” po rikthehet në edicionin e dytë me emra të njohur të muzikës shqiptare dhe ndërkombëtare. Edicioni i këtij viti...

Lajmet e Fundit