13.8 C
Prizren
E premte, 26 Prill, 2024

Korab Sejdiu: Gjykata Kushtetuese po keqpërdoret nga klasa politike

Korab_Sejdiu-avokatJuristi Korab Sejdiu, i cili me kompaninë e tij të avokatëve ka fituar disa raste në Gjykatën Kushtetuese, ka analizuar në një intervistë për Express situatën e fundit politike të krijuar pas nisjes së rastit të Krye-parlamentarit Isa Mustafa nga ana e PDK’së në këtë Gjykatë. Ai vlerëson se ka pasur bazë të mjaftueshme që Mustafa të mos pezullohej nga posti i Kryeparlamentarit, derisa bënë vërejtje që Kushtetueses në këtë vendim i mungon edhe arsyetimi. Korab Sejdiu, një ish-këshilltar i Presidentit Fatmir Sjediu dhe më vonë pjesë e ekipit që përgatiti lëndën e cila rrëzoi Behgjet Pacollin nga posti i Presidentit, thotë se ky institucion po keqpërdoret nga klasa politike, duke e shfrytëzuar këtë institucion për zgjidhjen e problemeve politike. Sejdiu vlerëson se Kushtetuesja nuk duhet të përgjigjet për pjesën më të madhe të pyetjeve që ia ka bërë PDK’ja, pasi që nuk janë kompetencë e saj.
Express: Si e komentoni vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e Isa Mustafës si Kryetar i Kuvendit?

K. Sejdiu: Vendimi i Gjykatës në rastin KO 119/14 është një vendim procedural dhe jo i pazakontë në raste si ky, ku Gjykata vlerëson se në mungesë të një mase të tillë, do të krijoheshin dëme, apo thënë më mirë për rastin konkret, rrethana të pariparueshme, të pakthyeshme. Vlen të potencohet se kjo masë e përkohshme në asnjë mënyrë nuk e paragjykon epilogun e rastit, mirëpo deri diku e përcakton që rasti ka kaluar testin e pranueshmërisë.

Express: A ka pasur mundësi ligjore që ai të mos pezullohet- pra, t’a vazhdojë këtë detyrë deri në një vendim të Gjykatës?

K. Sejdiu: Natyrisht. Vendosja e masës së përkohshme është në diskrecion të plotë të Gjykatës, gjithmonë duke u bazuar në dhe respektuar kriteret e përcaktuara me Rregullin 55 të Rregullores së Punës të Gjykatës Kushtetuese. Prandaj, Gjykata ligjërisht ka mundur të refuzojë kërkesën për masë të përkohshme, siç edhe bënë në shumë raste të tjera, mirëpo besoj se duke pasur parasysh rrethanat konkrete, Gjykata ka vepruar në mënyrë të duhur duke vrojtuar nevojën për një masë të tillë si parandalim për një mori veprimesh të tjera nga institucionet tona që do të duhej zhbërë sikur epilogu të ishte në favor të parashtrueseve të kërkesës. Prandaj, masa e përkohshme mbanë çdo gjë pezull, deri sa të vendoset përfundimisht rasti.

Express: Si duhet të veprojë në këtë rast Mustafa- a bënë shkelje nëse ai vazhdon të rri në zyrën e Kryetarit të Kuvendit?

K. Sejdiu: Z. Mustafa, sikur edhe të gjitha institucionet dhe personat e tjerë në Kosovë, duhet ti bindet vendimeve të Gjykatës Kushtetuese pasi që ato vendime janë të obligueshme për të gjithë ne. Prandaj, për të evituar çfarëdo keqkuptimi, në këtë rast, të gjithë duhet të përmbahen nga të gjitha veprimet që mund të cilësohen si shkelje e vendimit në fjalë.

Express: Tash, sipas këtij vendimi, a ka Kosova kryetar të Kuvendit dhe nëse po, kush i bie të jetë ai?

K. Sejdiu: A ka Kosova kryetar të Kuvendit apo jo do të dihet përfundimisht kur Gjykata Kushtetuese shpallë Aktgjykimin në rastin KO 119/14, ku edhe në mënyrë përmbajtjesore do të jep qëndrimin e saj përkitazi me të gjitha pretendimet e palës parashtruese dhe atyre përgjegjëse. Çfarëdo përgjigje tjetër nga unë, do të ishte e parakohshme dhe do të paragjykonte epilogun.

Express: Si këshilltar i ish-Presidentit Fatmir Sjediu, ju ishit pjesë e ekipit që bëri ankesën ku u rrëzua nga posti i Presidentit Behgjet Pacolli. A ishte pezulluar ai nga posti i Presidentit deri në nxjerrjen e vendimit për rastin e tij?

K. Sejdiu: Për të evituar ndonjë keqkuptim, dua të them se unë kam qenë pjesë e ekipit që ka përgatitur kërkesën në rastin KO 29/11, që tash veç njihet si Rasti Pacolli. Kërkesa në fjalë është paraqitur disa muaj pasi që kam përfunduar shërbimin si këshilltar juridik i Presidentit Sejdiu, dhe në rastin në fjalë jam angazhuar nga subjekti politik që ka sfiduar zgjedhjen e z. Pacolli, në cilësinë time si avokat i licencuar në SHBA (NeË York, NeË Jersey dhe Pennsylvania) dhe njeri që ka përvojë në të drejtën kushtetuese.

Në atë rast, me sa më kujtohet, dhe me falni për ndonjë gabim eventual pasi që po flas nga kujtesa që është zbehur pak me kalimin e kohës, Gjykata nuk pati lëshuar masë të përkohshme për pezullim, mirëpo, prapë, nëse me kujtohet saktësisht, kjo nuk iu pat kërkuar Gjykatës Kushtetuese nga parashtruesi.

Express: Vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese, a jep indikacione që Gjykata Kushtetuese po përdor standarde të dyfishta në raste të ndryshme?

K. Sejdiu: Të gjithë ne që kemi përvojë me kërkesa të parashtruara në Gjykatën Kushtetuese, besoj se kemi vrojtuar se ka deri diku një mungesë konsistence në vendimet dhe aktgjykimet që lëshon kjo gjykatë. Kjo besoj që është pasojë e fazës foshnjore në të cilën gjendet ky institucion, ku edhe mungon një jurisprudencë e gjerë kushtetuese mbi të cilën Gjykata mund të bazohet kur i merr vendimet e saj.

Për mua, sa i përket rastit të fundit, është vështirë të cilësohet nëse Gjykata po përdorë standarde të dyfishta sepse fillimisht, siç thashë me herët, me sa më kujtohet, në Rastin Pacolli, masa e përkohshme nuk u patë kërkuar nga parashtruesi. Po ashtu, ndër të tjera, rrethanat janë të ndryshme sa i përket dy rasteve, por njëkohësisht, edhe pjesa arsyetuese e Vendimit për Masë të Përkohshme në rastin në fjalë, pra pjesa që e arsyeton pse pezullimi është i nevojshëm, thjeshtë mungon. Rrjedhimisht, është vështirë të bëhen krahasime.

Express: Duke pasur parasysh që keni fituar raste në Gjykatën Kushtetuese, cili prisni që do të jetë vendimi i Gjykatës Kushtetuese në ankesën e PDK’së për procesin e zgjedhjes së Kryetarit të Kuvendit?

K. Sejdiu: Në kuadër të firmës Sejdiu & Qerkini, neve na u janë besuar një numër i madh i rasteve, ndoshta edhe më së shumti nga të gjithë, dhe jemi mirënjohës që kemi fituar një pjesë të konsiderueshme të tyre, disa prej të cilave janë raste që të tjerët po i quajnë “landmark” për jurisprudencën kushtetuese kosovare.

Pavarësisht nga kjo, duke pasur parasysh kompleksitetin e lëndës dhe duke mos dëshiruar që të ndërhyjë në punën e Gjykatës, unë kisha hezituar të bëjë parashikime sa i përket epilogut. Por çka mund të bëjë është t’i jep disa sugjerime dhe komente, që besoj janë të nevojshme për t’iu dhënë kredencë.

Fillimisht, kam drojën se Gjykata Kushtetuese po keqpërdoret nga klasa politike, duke e shfrytëzuar këtë institucion jo sikur autoritetin përfundimtar për interpretimin e Kushtetutës, mirëpo sikur një institucion për zgjidhjen e problemeve politike. E ky rol nuk i lejohet kësaj gjykate, dhe asnjë gjykate tjetër, sepse ekziston një doktrinë e mirënjohur në tërë botën, doktrina e çështjes politike, që mund të gjendet edhe në jurisprudencën evropiane por edhe amerikane, ku theksohet, dhe po e thjeshtëzoj pak, se gjykatat nuk trajtojnë çështje të natyrës politike.

Dhe kërkesa në rastin KO 119/14 ka shumë aspekte që janë çështje politike, e jo domosdoshmërisht kushtetuese. Kjo është vënë re edhe në raste të tjera që iu kanë kontrabanduar Gjykatës Kushtetuese nga klasa politike, natyrisht duke mos pasur kurajo që të marrin vet vendime të vështira politike, siç ishte edhe rasti KO 103/14 i parashtruar nga Presidentja, rasti për imunitetin e deputetëve, e kështu me radhë.

Në këto raste, për të zgjidhur këto probleme politike, Gjykata shpeshherë, po shkel edhe standarde kushtetuese të pranueshmërisë së kërkesave, dhe rrjedhimisht po krijon precedent shumë të rrezikshëm për të ardhmen.

Po ashtu, shihet në kërkesë, që pala parashtruese po kërkon në pjesën dërmuese të saj, interpretim të Rregullores së Kuvendit dhe procedurave në organe të Kuvendit, përkatësisht Kryesinë e legjislaturës së kaluar. Nëse bazohemi në atë që ka vendosë më parë kjo Gjykatë, dihet se Gjykata nuk lëshohet në interpretim të ligjeve, ose vendimeve të organeve të Kuvendit, siç është potencuar në rastin KO 115/13, rast i paraqitur nga AAK, ose Rregullores së Kuvendit, siç është potencuar në Rastin Pacolli.

Për më tepër, nëse Gjykata e trajton këtë kërkesë në mënyrë meritore, atëherë duhet të analizojë disa çështje, që po e theksoj sërish, pjesën dërmuese të të cilave edhe nuk duhet fare trajtuar në mënyrë meritore sepse nuk janë brenda kompetencave të Gjykatës.

Ato çështje, ndër të tjera, janë edhe nëse Kryesuesja ka pasur të drejtë t’i shmanget agjendës së përgatitur nga Kryesia e legjislaturës së kaluar, a ka pasur të drejtë Kryesuesja që të mos i jep mundësi diskutimi deputetëve prezent, a ka pasur të drejtë Kryesuesja të drejtë që të ndërpresë seancën konstituive, a kanë pasur të drejtë deputetët të mblidhen sërish dhe të vazhdojnë seancën konstituive, dhe si të tillë, a kanë mundur të marrin vendime.

Thënë thjeshtë, Gjykata këtu ka mundësinë shumë të mirë që të merr një qëndrim të qartë për klasën politike, se problemet e tyre politike duhet t’i zgjidhin vet, e jo të “mbajnë ymyt” gjithnjë e më shumë në Gjykatën Kushtetuese. Ose, në të kundërtën, Gjykata duhet ti hyjë kësaj lënde me themel, dhe të vendosë në çdo pike kontestuese, që në mendimin tim , do të ishte bastardim i kompetencave të Gjykatës.

Express: A prisni që Gjykata t’i japë të drejtë PDK’së edhe në rastin që ata kanë pyetur: Kush është grupi më i madh parlamentar dhe ta shpall koalicionin PDK-PD-LB-PSHDK si grupi më i madh parlamentar?

K. Sejdiu: Çështja e “grupit parlamentar” është një çështje që përmendet në Nenin 67(2) të Kushtetutës, dhe përkufizohet mjaftë mirë në Rregulloren e Kuvendit. Unë nuk mund të paragjykojë epilogun, mirëpo kjo është një çështje që kërkon interpretim të Rregullores së Kuvendit nga Gjykata, që nuk besoj që do duhej bërë.

Por nëse veç trajtohet nga gjykata, atëherë, do duhej marrë parasysh edhe praktikën e deritanishme sa i përket grupeve parlamentare, ku shpeshherë, ato janë formuar përtej bazave partiake, pra siç edhe është rasti i Grupit 6+. Grup 6+ ka garuar si subjekte të ndryshme në dy palë zgjedhjet e fundit parlamentare, mirëpo kanë formuar grupin e përbashkët parlamentar para konstituimit të kuvendit. Po ashtu, në mendimin tim, do të ishte shume e pabazuar juridikisht sikur termi “grup parlamentar” të përkufizohej si sinonim i termeve “parti politike” ose “subjekt politik”.

Në fund, bëjë një thirrje për të gjithë, që pavarësisht nga epilogu që mund ta sjellë Gjykata Kushtetuese, të respektohet ky aktgjykim në tërësi dhe me maturi të lartë. Për më tepër, është momenti i duhur të potencohet se ka ardhur koha që klasa politike më në fund të pavarësohet, dhe të merr vendime të vështira politike jo duke u bazuar në ndihmën e ndërkombëtarëve ose të Gjykatës Kushtetuese, por në përgjegjësinë që ne si qytetarë ua kemi besuar.

Më Shumë

Vjedhje në Suharekë

Një shtëpi  në Suharekë  është vjedhur  nga persona të pa njohur të cilët morën paratë e gatshme dhe stolin e ari, me vlerë të...

Policia në Prizren mbajti ligjëratë në shkolla mbi temën “Dhuna në Familje”

Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren, në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë në Bashkësi dhe Parandalim-DPP/Prishtinë, zbatuan Strategjinë e Inteligjencës dhe Policisë në Bashkësi. Në...

Lajmet e Fundit