11.8 C
Prizren
E premte, 26 Prill, 2024

Marrëveshja largoi ndikimin e Beogradit në Kosovë

Edita Tahiri“Integrimi i katër komunave veriore, shuarja e strukturave paralele, funksionalizimi i doganave dhe heqja e barrikadave”, janë disa nga pikat e marrëveshjes së Brukselit, që sipas zv/kryeministres Edita Tahiri, janë përmbushur brenda 12 muajve nga momenti i nënshkrimi të këtij dokumenti. Në një intervistë për gazetën Tribuna, ajo ka thënë se edhe dy barrikadat e mbetura do të hiqen shpejt, ndërsa çështja e të pagjeturve, dëmet e luftës dhe disa pika tjera pritet të diskutohen në fazën e ardhshme me Beogradin

Marrëveshja e 19 prillit mes Prishtinë dhe Beogradit që të shtunën ka mbushur një vjet, nga momenti i nënshkrimit, po vlerësohet si e suksesshme nga zyrtarë që kanë qenë të përfshirë në këtë proces. Zv/kryeministrja Edita Tahiri, gjatë një interviste për gazetën Tribuna, ka thënë se dokumenti në fjalë për 12 muaj ka arritur në shumë plane t’i integrojë serbët e veriut, dhe ta largojë përfundimisht ndikimin e Beogradit mbi këtë pjesë të qytetarëve të Kosovës.

“Unë mendoj se Serbia është duke e hequr gradualisht ndikimin dhe ndikimi përfundimtar i Serbisë në këtë pjesë do të varet nga ajo se sa Serbia dëshiron të përparojë drejt Bashkimit Evropian. Në qoftë se Beogradi heq dorë nga politika e ndërhyrjes në shtetet fqinje, përfshirë edhe Kosovën, do të ketë ardhmëri më të mirë Evropiane”, ka thënë Tahiri. Ajo ka përmendur se si marrëveshja, ka hequr elementet ilegale nga komunat veriore me anë të zgjedhjeve të fundit, por edhe integrimin e ish-pjesëtarëve të MUP-it në Policinë e Kosovës.

Por zyrtarja e lartë e Qeverisë pranon se ende ka elemente që në veri po e pengojnë jetën normale, “Në këtë kontekst janë edhe disa çështje që duhet të realizohen dhe është në proces, shpërbërja e strukturave paramilitare të ashtuquajtura “Mbrojtja Civile” dhe ne kemi ofruar një plan integrimi për pjesëtarët e kësaj strukture, ata do të bëhen pjesë e institucioneve të Kosovës por vetëm e institucioneve civile dhe jo atyre të sigurisë”, ka deklaruar zëvendëskryeministrja.

Tahiri bëri të ditur se dialogu me Beogradin do të vazhdojë, ndërsa janë edhe disa çështje të ndjeshme që, sipas saj, duhet të trajtohen gjithsesi. Në këtë mes hyjnë të pagjeturit por edhe dëmet e luftës që Serbia ia ka shkaktuar Kosovës.

“Një prej temave kryesore që duhet të diskutohet janë reparacionet e luftës që përfshin jo vetëm kompensimit e dëmeve të luftës që Serbia ia ka bërë Kosovës por edhe të gjitha aspektet që lidhen me reparacionet përfshirë edhe zgjidhjen çështjes së të pagjeturve, pastaj dhunimi i grave si mjet i luftës, çështje të cilën nuk e ka trajtuar Tribunali i Hagës. Duhet të bëhet një Tribunal tjetër për ish-kriminelët e regjimit të Serbisë në mënyrë që të trajtohen çështjet e dhunimit të grave, sepse Serbia ka përdorur këtë mjet jo vetëm në Kosovë por edhe në Bosnjë e Kroaci” ka thënë mes tjerash Tahiri.

Tribuna: Më 19 prill janë bërë një vit nga nënshkrimi i marrëveshjes mes Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel. Që nga ajo kohë deri më sot çka është realizuar dhe çka mbetet të zbatohet nga ky dokument?
Tahiri: Më lejoni t’i vlerësoi rezultatet e kësaj marrëveshjeje në disa plane. Në planin e parë kjo marrëveshje ka mundësuar shtrirjen e sovranitetit të shtetit të Kosovës në pjesën veriore të vendit si dhe ka nisur mbarë procesi i integrimit të serbëve të asaj pjese në institucionet e shtetit dhe në jetën e përgjithshme në Kosovë sepse kjo marrëveshje ka mundësuar funksionalizimin e komunave legale si rezultat i zgjedhjeve lokale të vitit të kaluar, ku për herë të parë pas pavarësisë, këto katër komuna kanë marrë pjesë në zgjedhjet lokale të shtetit të Kosovës.
Me këtë rast, janë shuar strukturat ilegale dhe ato tani funksionojnë mbi baza legale të ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës. Normalizimi dhe shtrirja e sovranitetit ka ndodhur edhe në fushën e sigurisë sepse janë shuar strukturat ilegale të policisë përkatësisht janë mbyllur zyrat e MUP-it dhe pjesëtarët serbë të policisë tashmë janë pjesë e Policisë së Kosovës. Sa i takon fushës së drejtësisë janë mbyllur gjykatat paralele, ndërkohë është arritur marrëveshja për zbatimin e çështjeve të drejtësisë ku së shpejti pritet krijimi i një gjykate themelore dhe një zyre prokurorie në bazë të sistemi unitar të drejtësisë në Kosovë dhe gjykatësit e prokurorët serbë me një plan integrues do të bëhen pjesë e institucioneve të drejtësisë së Kosovës.

Tribuna: Kur folët për aspektin e sigurisë, thatë që ka shuarje të strukturave të MUP-it, ndërsa ka ankesa nga qytetarë dhe organizata të ndryshme se këto struktura ende veprojnë në veri, pavarësisht marrëveshjes?
Tahiri: Kjo nuk është e vërtetë sepse Policia e Kosovës vepron tashmë në pjesën veriore të vendit me të gjitha strukturat e saj si dhe kemi një bashkëpunim me EULEX-in i cili vazhdimisht monitoron zbatimin e kësaj marrëveshjeje. Mund të ju them se ka pasur raste individuale ku deri tash janë regjistruar dy raste ku individë që kanë punuar përpara në struktura ilegale, kanë reaguar por ata janë ndëshkuar.
Me fjalë tjera ka një zbatim të plotë dhe gjendja e sigurisë atje është gjithnjë më e mirë.
Po ashtu si rezultat i marrëveshjes së Brukselit tashmë janë hequr 18 barrikada, kanë mbetur vetëm edhe dy të cilat pritet të hiqen, ndërsa është funksionalizuar sistemi i doganave, ka filluar pagesa e taksës doganore dhe të gjitha procedurave tjera, ndërkohë nga dialogu teknik është vendosur kufiri shtetëror mes dy shteteve me marrëveshjen e IBM-së. Në planin e integrimeve Evropiane marrëveshja e Brukselit ka mundësuar që Kosova të bëhet pjesë zyrtare e procesit të integrimit në BE dhe së shpejti do të nënshkruajmë marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit dhe natyrisht kjo arritje është e ndërlidhur me dialogun e Brukselit me qëndrimin tonë si palë serioze në bisedime por edhe me forma evropiane që Qeveria e Kosovës i ka ndërmarrë këto vite. Ndërkohë në planin e marrëdhënieve mes dy shteteve mendoj se ka pasur përparime sado që historia mes Kosovës dhe Serbisë si dy shtete të pavarura dhe sovrane është një histori negative, megjithatë marrëveshjet e arritura kanë bërë që Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës në të gjitha fushat ku është arritur marrëveshja. Me lejoni ta analizoj edhe në një plan tjetër në këtë marrëveshje, ai është plani në kuptimin që marrëveshjet si një proces paqësor ka kontribuar dhe po kontribuon për paqen dhe stabilitetin në rajon. Unë mendoj se Serbia është duke e hequr gradualisht ndikimin dhe ndikimi përfundimtar i Serbisë në këtë pjesë do të varet nga ajo se sa Serbia dëshiron të përparojë drejt Bashkimit Evropian. Në qoftë se Beogradi heq dorë nga politika e ndërhyrjes në shtetet fqinje, përfshirë edhe Kosovën, do të ketë ardhmëri më të mirë evropiane, por nëse vazhdon me standarde të dyfishta, pra në Ballkan të jetë jo evropiane dhe në Bruksel evropiane, mendoj që do ta cenojë rrugën e vet drejt BE-së.

Tribuna: Përmendët të gjitha pikat e këtij dokumentit që thoni se kanë gjetur zbatim në praktikë. Nëse është kështu, Marrëveshja e Brukselit a ka larguar përfundimisht ndikimin e Beogradit në Kosovë?
Tahiri: Në këtë kontekst janë edhe disa çështje që duhet të realizohen dhe është në proces, shpërbërja e strukturave paramilitare të ashtuquajtura “Mbrojtja Civile”, dhe ne kemi ofruar një plan integrimi për pjesëtarët e kësaj strukture, ata do të bëhen pjesë e Institucioneve të Kosovës por vetëm e institucioneve civile dhe jo atyre të sigurisë.

Tribuna: Ka afat se deri kur duhet të kryhet ku proces?
Tahiri: Kjo është një sfidë për t’u arritur, ndërsa për sa i takon afatit, në bazë të procedurave në momentin që do të krijohen të gjitha mundësitë e integrimi të këtyre pjesëtarëve, do të fillojë procesi i integrimit të tyre. Në të njëjtën kohë paralelisht mbyllen këto struktura. Janë edhe sy sfida tjera që duhet të rrumbullakojmë planin për zbatim ato për marrëveshjen e telekomit dhe energjisë.

Tribuna: Ka ende nevojë të vazhdojë dialogu me Beogradin?
Tahiri: Dialogu duhet të vazhdojë sepse bashkëpunimi rajonal dhe dialogu janë vlera evropiane, mirëpo në raportet ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbisë ka edhe çështje tjera që duhet të diskutohen, një prej temave kryesore është reparacionet e luftës që përfshin jo vetëm kompensimit e dëmeve të luftës që Serbia ia ka bërë Kosovës por edhe të gjitha aspektet që lidhen me reparacionet, përfshirë edhe zgjidhjen e çështjes së të pagjeturve, pastaj dhunimi i grave si mjet i luftës, çështje të cilën nuk e ka trajtuar Tribunali i Hagës. Duhet të bëhet një Tribunal tjetër për ish-kriminelët e regjimit të Serbisë në mënyrë që të trajtohen çështjet e dhunimit të grave, sepse Serbia ka përdorur këtë mjet jo vetëm në Kosovë por edhe në Bosnjë e Kroaci, pra kjo është një çështje që duhet të ndodhë përmes një Tribunali të ri në Hagë. Përveç këtyre çështjeve, mendoj se një temë e rëndësishme që duhet të diskutohet është tema e sukcesionit. Serbia ende përdor pasuritë e Kosovës, ambasadat që janë jashtë dhe të tjera pasuri që i kanë taku ish-Jugosllavisë dhe që Kosova ka të drejtë në pjesën e vet, sepse ka qenë një prej tetë njësive federale.

Tribuna: Për zgjedhjet e fundit lokale, ka pasur dialog për këtë çështje në Bruksel mes Prishtinës dhe Beogradit. Konsideroni që çështja e zgjedhjeve nacionale që po afrojnë, po ashtu do të jetë pjesë e këtij procesi, për shkak të përfshirjes së serbëve në zgjedhje?

Tahiri: Zgjedhjet e Kosovës janë të shtetit tonë, i takojnë sovranitetit tonë dhe për këtë proces askush nuk mund të ketë kurrfarë roli apo ndikimi. Natyrisht që qytetarët e Kosovës i njohin mirë ligjet duke përfshirë edhe ligjin për zgjedhje. Ne jemi shtet demokratik dhe kërkojmë që gjithë qytetarët të jenë aktivë për pjesëmarrje në zgjedhje. Marrëveshja e Brukselit është marrë vetëm me zgjedhjet lokale, zgjedhjet nacionale organizohen nga shteti i Kosovës për të gjithë ata që dëshirojnë të marrin pjesë në këtë proces.

Më Shumë

“El Clasico” zhvillohet sot në basketbollin kosovar

Sigal Prishtina dhe Trepça do të ballafaqohen sot në kuadër të playoff-it të gjysmëfinaleve në Prince Caffe Superligën e Kosovës në basketboll. Duelin e parë...

Suksesi në vlerësimin e brendshëm të shkallës së V-të në gjimnazin “Gjon Buzuku” të Prizrenit

Në gjimnazin "Gjon Buzuku", të enjten u zhvillua vlerësimi i shkallës së pestë për nxënësit e klasave të XI-ta. Drejtoresha e gjimnazit, Gylaj Shipkovica-Karjagdiu, njoftoi...

Lajmet e Fundit