3.8 C
Prizren
E premte, 26 Prill, 2024

Baba Mondi: Skënderbeu, misionari i parë i bektashizmit

Baba MondiKemi fatin që vendi ynë të jetë qendra e fesë bektash iane në botë, një fe që përcjell paqe e dashuri. Kryegjyshi botëror i bektashizmit, Baba Edmond Brahimaj (Baba Mondi) i ka shërbyer këtij misioni që në vegjëli, pa e ditur se një ditë do të mbante një post kaq të lartë. I rritur në Tiranë, në familjen e tij bektashiane ishin pjesë edhe Dede Ahmeti, e njëherësh Dede Reshati, klerikët më të lartë të kësaj feje. Duke jetuar pranë tyre e duke u bërë shërbim, Baba Mondi zhvilloi dashurinë për fenë e tij. Sot Kryegjyshi jeton për bektashizmin. Nuk ka familje, por thotë se familja e tij janë besimtarët, të cilët shkojnë çdo ditë për t’i marrë uratën. Po si është historia? Pse u zgjodh ai në këtë post dhe pse u zgjodh Shqipëria qendër e botës bektashiane? Cilat janë rregullat e kësaj feje dhe cili është misioni i Kryegjyshit botëror? Përgjigjet i mësuam gjatë një takimi me Baba Mondin, i cili, ulur në kolltukun e tij, me uniformën e çallmën që nuk i heq asnjë çast, pranë librit të shenjtë, Kur’anit (të cilin e gjetëm të hapur, që do të thotë se dikush po e lexonte), na rrëfen një histori që i ka rrënjët të thella, që në kohën e Skënderbeut…
Sapo jeni kthyer nga Amerika, ku morët pjesë në iftarin e shtruar nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Kush jua bëri ftesën?
Si fillim më duhet të them që u ndjeva i vlerësuar kur pashë se isha i vetmi klerik i ftuar nga e gjithë bota. Aty ishin të pranishëm vetëm përfaqësues të fesë nga SHBA dhe si klerik nga bota isha vetëm unë. Ftesa më ka ardhur nëpërmjet ambasadës nga Departamenti Amerikan i Shtetit. John Kerry organizon çdo vit një iftar me rastin e Muajit të Madhërueshëm të Ramazanit.
Si ishte takimi me John Kerry-n? Çfarë ju tha për Shqipërinë?
U takuam e u përshëndetëm, dhamë vlerësimet për njëri-tjetrin; ai më uroi për detyrën e re që kam marrë, dhe sigurisht edhe unë e urova atë. Po ashtu edhe e falenderova për sofrën bujare që kishte shtruar, duke mbledhur njerëz pa dallim feje, në të mirë të fesë.

A është impenjative të jesh Kryegjyshi botëror i Bektashizmit? Si është një ditë e juaja?

Në të gjitha fushat, sa më lart të ngrihesh në detyrë, aq më e vështirë është. Mirëpo në besimin fetar është akoma dhe më e vështirë, sepse je në kontakt të vazhdueshëm dhe të drejtpërdrejtë me njerëzit prej mëngjesit e deri në orët e vona. Unë çdo ditë kryej takime me këdo që vjen për të ndarë problemet e tij. Më pas i jap uratën secilit. Veç kësaj, një pjesë e mirë e kohës kalon në lutje e në falje, duke lexuar apo hulumtuar mbi fenë. Ndërkohë, më duhet edhe të drejtoj administratën e Kryegjyshatës, që kërkon një impenjim më vete, në mënyrë që gjërat të funksionojnë siç duhet, jo vetëm në Shqipëri, po në të gjithë botën bektashiane. Qëllimi kryesor është të jepet kudo mesazhi i paqes, dashurisë edhe mirësisë.
Njerëzit vijnë tek ju për t’ju treguar problemet e veta personale. Çfarë problemesh kanë kryesisht shqiptarët?
Zakonisht vijnë për probleme familjare. Problemet burojnë kryesisht nga varfëria dhe ekonomia e dobët. Duke pasur një ekonomi të mirë, edhe gjendja shpirtërore është më e mirë.

Më shumë vijnë besimtarë bektashinj, apo të feve të ndryshme? Cilat janë grupmoshat që ju frekuentojnë më shpesh?

Tek unë vijnë njerëz të të gjitha besimeve. Ata që kërkojnë ndihmë, janë të të gjitha moshave. Vijnë të vjetrit, por edhe rinia, që zakonisht kërkojnë uratë për jetën personale, lidhjet e dashurisë apo edhe për shkollën që ndjekin.

Si është bërë e mundur që një vend kaq i vogël si Shqipëria të jetë qendra botërore e bektashinjve? Cila është historia?

Tarikati islam i bektashizmit ka një prejardhje nga Haxhi Bektashi, i cili ngriti teqenë e parë në Turqi në vitin 1282. Ai ishte misionar në Ballkan dhe kishte si qëllim përhapjen e fesë islame me urtësi. Bektashinjtë janë të parët që kanë përhapur fenë islame në Perëndim, me urtësi, mirësi e dashuri, dhe kjo është baza e këtij tarikati. Më pas misionarët kanë ardhur me Perandorinë Osmane dhe bektashizmi u përhap në të gjithë Shqipërinë, me 113 teqe e 600 tyrbe. Po ashtu në Greqi ka pasur 40 objekte të kultit bektashian, në Maqedoni 53, në Kosovë 15, në Mal të Zi 3 dhe në Serbi 2 të tilla. Ndërsa në Turqi ka pasur 700 objekte të kultit bektashian.

Atëherë, pse nuk u bë Turqia qendra e bektashizmit, por u bë Shqipëria?

Turqia ishte qendra e bektashizmit, por duke qenë perandori, gjithçka kontrollohej. Bektashizmi është një tarikat i besimit islam i civilizuar, që përcillet me dashuri e paqe. Mirëpo sunduesit nuk duan dashuri, duan përçarje. Sulltan Mahmuti, duke e parë këtë besim si përparimtar, i vrau bektashianët dhe ndër ta edhe ushtrinë jeniçere, e cila zbatonte urdhrat e Haxhi Bektashit. Sulltani, duke qenë lakmitar, donte t’ia humbte gjurmët. Kjo ishte shkelja e parimeve të bektashizmit, që i dha fund bektashizmit turk. Misionari i parë bektashian ishte Skënderbeu, i cili u shkëput nga Turqia për të treguar se luftonte me parullën “Pa atdhe nuk ka fe”. Skënderbeu ishte misionar i sulltanit dhe për t’u bërë kryetar i ushtrisë, duhej të merrte dorën e të bëhej bektashi. Babai që i dha uratën dhe e bëri bektashi Skënderbeun, sulltan Mahmuti, i kërkoi ta kthente atë në Turqi. Ai refuzoi ta kthente, duke i thënë se Skënderbeu po luftonte për kombin e tij me parullën “Pa atdhe nuk ka fe”. Për këtë arsye sulltan Mahmuti e dogji në zjarr, dhe Skënderbeu vazhdoi luftën. Kjo është e vërteta, jo ajo që thonë historianët. Më pas, nga viti 1700 pati shumë baballarë bektashinj shqiptarë që i dhanë jetë këtij tarikati. Ishte Ali Pasha, i cili i mbështeti bektashinjtë dhe baballarët shqiptarë u bënë të dëgjuar dhe morën forcë. Kështu, në Kongresin e Tretë të Bektashinjve në Korçë, u vendos që qendra do të ishte Shqipëria. Bektashinjtë ishin të parët ata që u ndanë nga Perandoria turke. Në Kongresin e Lushnjës, bektashizmin për veprimtaritë patriotike e quajtën për herë të parë komunitet të veçantë. Më pas ishin vëllezërit Frashëri që i dhanë zhvillim kombëtar këtij tarikati paqësor e njëherësh patriotik. Të gjithë patriotët më të mëdhenj të Shqipërisë kanë qenë bektashinj, dhe kanë kryer një rol absolut në pavarësinë dhe rilindjen e vendit. Mbreti Zog kishte një lidhje të ngushtë me këtë tarikat dhe nëna e vet ka qenë ithtare e fortë e bektashizmit. Ishte ai që pranoi Kryegjyshatën Botërore, pas kërkesës që iu bë nga kleri bektashian dhe Kryegjyshi botëror. Madje në atë kohë, në parlament u luftua që bektashizmi të bëhej fe kombëtare, por mbreti Zog nuk e arriti dot. Papa Gjon Pali II ka thënë: “Po të mos ishin bektashinjtë, nuk do të kishte Shqipëri”.

Kush e ndërtoi Kryegjyshatën Botërore në Shqipëri?

Sanjiz Dedej reformoi bektashizmin si qendër botërore, duke mbajtur ato parime që kishin në Turqi. Shqipërinë e ndau në gjashtë gjyshata, hapi shkolla e ngriti medrese për të mësuar klerikët bektashianë. Si patriot i madh që ishte, e vranë në 28 nëntor 1941 sepse nuk firmosi pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste.
Si ndodhi përfshirja juaj në gjithë këtë? Cila është origjina juaj?
Unë kam lindur në Tiranë. Filloren e kam kryer tek shkolla “Dëshmorët e Lirisë” tek stadiumi “Dinamo”. Edhe fëmijëria në atë zonë ka kaluar. Prejardhja e familjes sime është nga Fratari i Vlorës. Të dy prindërit i kam nga ai fshat; njëri nga fisi Brahimaj, ndërsa tjetri nga fisi Dervish Aliaj. Të dy gjyshërit kanë qenë patriotë. Njëri ka luftuar me Fan Nolin. Në dorë kishte një sahat me inicialet e Nolit, që e mbante gjithmonë mbuluar. Kushëri i dytë i gjyshërve ishte Kryegjyshi botëror Ahmet Myftar Dedej nga fshati Fratar. Kështu që besimin e kemi nga Dede Ahmeti. Edhe babi im ka marrë dorën prej tij, bashkë me Dede Reshatin. Babai im vazhdoi shkollën, ndërsa Dede Reshati besimin. Prej asaj kohe nuk jemi ndarë asnjëherë. Dede Ahmetin e kemi mbajtur në shtëpinë tonë. Po ashtu dhe Dede Reshati ishte gjithë kohën pranë nesh. Familja ime u ka shërbyer për vite me radhë këtyre dy Kryegjyshërve. Në atë kohë Dede Ahmetin e thërrisnim Baba Madhi, sepse nuk lejoheshin titujt fetarë. Pasi mbarova shkollën me nota të shkëlqyera, duke qenë se ishim tre fëmijë për të shkuar në shkollë, nuk mund të merrnim të tre bursë. Në atë kohë Dede Ahmeti rrinte në shtëpinë tonë dhe im atë e Baba Reshati i bënin shërbim. I thonë që donin të më çonin në ushtri. Ai u mendua pak dhe tha: “Çojeni se do të na duhet më vonë”.

Çfarë pune keni bërë pasi mbaruat ushtrinë?

Fillimisht më duhet të them se fjala e Dede Ahmetit u vërtetua, sepse unë, si ushtarak dhe topograf që isha, jam marrë me pronat në të gjithë Shqipërinë dhe bektashinjve u kam kthyer një pjesë të tyre. Në vitin 1983 u vendosa në Burrel si oficer për rreth 3 vjet. Më pas shkova, po si oficer, në Stërblev të Peshkopisë, ku Dede Ahmeti kishte kryer ushtrinë. Aty kam parë ëndrrën e parë, sikur ishte hapur feja dhe bëhej mbledhja tek reparti im. Këtë ëndërr ia tregova Baba Reshatit. Ishte viti 1989. Atëherë i thashë: “O hap kufijtë, o hap teqetë, se nuk duroj dot më”.

Po në vitet e komunizmit, e praktikonit fenë?

Pasi shkova ushtar, e kisha shumë të vështirë të takohesha me Dede Ahmetin. Megjithatë deri në vitin 1990 i kemi bërë të gjitha ritet dhe festat bektashiane në fshehtësi. Kemi kryer lutjet, kemi agjëruar, kemi mbajtur matemin, kemi festuar Sulltan Nevruzin. Datat i dinim, sepse ishte dikush që i mbante shënim. Festat i justifikonim sikur kishim ditëlindje. Këndonim këngë bektashiane, por nuk e kuptonte njeri, dhe kujtonin se këndonim këngët popullore të zonës së Elbasanit. Kështu mbulohej veprimtaria ilegale që ne bënim.
Keni jetuar për vite afër Kryegjyshit dhe e keni ditur jetën që bën një Kryegjysh. Kur ishit i ri, e ëndërronit këtë post?
Jo, sepse në kohën e rinisë sime asgjë nuk dihej. Unë e kam bërë shërbimin instiktivisht me dëshirë. Askush nuk mund ta dinte se do vinte një ditë që do hapej feja. Pavarësisht se Dede Ahmeti e kishte parashikuar. “Do vijë një kohë që do hapet feja, e unë s’do jem gjallë”, – thoshte ai. Në ato kohë unë lexoja librat e fesë e njëherësh edhe marksizëm-leninizmin. Klerikët nuk flisnin hapur për fenë, por tregonin histori, nëpërmjet të cilave mund të kuptoje mbi jetën. Unë kam shërbyer pa e ditur, pa ma thënë dikush se kështu duhej.

Si ndodhi që u bëtë Kryegjysh? Kush ju zgjodhi?

Pas viteve ‘90, kur besimi fetar u bë i lejueshëm, u mblodhën besimtarët bektashinjm ku Baba Reshati luante rolin kryesor. Erdhën të gjithë klerikët që kishin qenë të burgosur ose të internuar nëpër zona të ndryshme të Shqipërisë për shumë vjet. Kur u bë mbledhja e parë e Këshillit Bektashian, mua më caktuan si sekretar i këshillit. Që prej asaj kohe unë kam filluar shërbesën pa ndërprerje.
Gjatë këtyre viteve, a jeni tunduar nga dëshira për të bërë një jetë normale? Të shkolloheshit, të martoheshit, të krijonit familje…

Që kur Dede Ahmeti ishte ende gjallë, nëna ime gjithmonë thoshte: “Si nuk u bë njëri nga fëmijët e mi t’i shërbejë Baba Reshatit”. Nisur nga kjo, por edhe duke u afruar shumë me Baba Reshatin, fillova unë t’i shërbeja pa ndonjë qëllim të veçantë. Nuk e kam menduar asnjëherë të martohem. Falenderoj Zotin që më dha mundësinë të isha gjithmonë afër Baba Reshatit, fuqia mistike e të cilit më ka ruajtur dhe mua nga tundimet. Nuk jam rastësisht këtu ku jam.
Uniformën, e mbani veshur gjithë kohën?
Absolutisht gjithë kohën. Edhe pse prej cope, kjo që unë mbaj në kokë është një kurorë që përfaqëson një detyrë të rëndësishme.

Po me familjen, si takoheni?

Unë jam gjithë kohën në shërbim të njerëzve, jetoj brenda mureve të Kryegjyshatës, duke kryer ritet, lutjet, dhe dal prej këtej vetëm kur kam një mision që ma kërkon detyra. Edhe nëna ime vjen më takon këtu, si të gjithë besimtarët e tjerë. Familja ime janë besimtarët; ata më janë bërë prindër, motra, vëllezër e fëmijë. Kënaqësia shpirtërore që marr nga jeta vjen prej lutjeve. Pa mundim s’ka asgjë. Profeti Muhamed ka pas thënë: “Do vijë një kategori njerëzish që do i kenë zili edhe vetë profetët”. E kanë pyetur se kush janë këta. Ai është përgjigjur: “Ata që nuk krijojnë familje kur të tjerët krijojnë, ata që nuk kanë frikë kur të tjerët kanë frikë”.

Ka të rinj që duan të bëhen si ju?

Për momentin janë të rrallë, sepse edhe nuk marrin ende informacionin e duhur. Nuk është e lehtë që një i ri të marrë rrugën time dhe të baballarëve të tjerë, rrugën e vetësakrifikimit.

Ju, si i mblidhni të rinjtë të bëhen pjesë e misionit tuaj?

Ne si Kryegjyshatë Botërore kemi marrë përsipër fillimisht të regjistrojmë bektashinjtë në vendin tonë. Kemi përgatitur dy formularë në formë certifikatash, familjare dhe personale, që do plotësohen nga çdo besimtar bektashian në të gjithë Shqipërinë. Baba Reshati e ringriti bektashizmin në Shqipëri dhe strukturat e fesë, duke bërë një punë të madhe. Ai ndërroi jetë duke iu përkushtuar këtij misioni. Pastaj u veshëm ne baballarët e rinj, që po e mbajmë gjallë këtë mision me shumë mundim e sakrificë. Sfidat tona janë të shumta dhe ne do përpiqemi bashkë me baballarët e tjerë t’i realizojmë një e nga një. Do të hapim shkolla të mesme e universitete për përgatitjen e klerikëve të rinj, do të ngrihen struktura në të gjithë vendin, do të hapet një forum i gruas bektashiane, do të krijojmë marrëdhënie të shëndosha me besimtarët dhe përfaqësuesit e tyre në të gjithë botën, që të ndihmojmë njëri-tjetrin.

Janë shumë bektashinj në Shqipëri?

Mendoj që janë rreth 1 milion e gjysmë besimtarë.
Po ne tre milionë jemi gjithsej…
Mos t’ju duket e habitshme kur ju them se jemi shumë. Feja jonë i ka rrënjët të thella dhe të shpërndara në çdo cep të Shqipërisë.
Ku ndryshon bektashizmi nga myslimanizmi?

Bektashizmi është tarikat islam, pra ne jemi myslimanë. Por ne jemi më liberalë. Kështu ka qenë historikisht. Ne nuk e mbulojmë femrën, por e lëmë ta vendosë ndershmërinë me ndërgjegjen e saj. Ne falemi vetëm dy herë në ditë, falemi në mëngjes e në mbrëmje, dhe ditën shkojmë në punë. Predikojmë paqe, dashuri, dhe kjo është baza e bektashizmit./bw/

Më Shumë

Policia në Suharekë konfiskon dy armë zjarri

Në 24 orët e  fundit, policia në Suharekë ka konfiskuar dy armë zjarri.     Siç bëhet e ditur, në rastin e parë, gjatë  kontrollit në automjetin...

AKP-ja shpall për shitje 26 asete, 3 lokale në Prizren

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ka mbajtur të mërkurën ceremoninë e hapjes së ofertave të shitjeve përmes Likuidimit nr. 65, e cila përmban 26...

Lajmet e Fundit