11.8 C
Prizren
E premte, 26 Prill, 2024

Preç Zogaj: Ju tregoj “Fillimet” e viteve ‘90-’92

Preq Zogaj“Fillimet” nis pikërisht me vitin 1990, një vit pas rënies së Murit të Berlinit. Ky libër do të jetë botimi i ardhshëm i UET- PRESS, që mban autorësinë e Preç Zogajt.

Librat me natyrë eseistike nga zhanri i esesë politike që shkrimtari Preç Zogaj ka nisur të shkruajë që prej vitit 1996, janë përmbledhur në kuadër të kolanës “Scripta Imanent” (E shkuara mbetet), botuar nga UET- PRESS. Në vitin 2009 është botuar libri “Institucionet e Tranzicionit” 1 dhe 2, një përmbledhje e publicistikës së tij politike që nis me “Rënien e zgjedhjeve” e deri tek “Paradhoma e një presidenti”; të gjitha këto janë një fotografim e refleksion i ngjarjeve politike të kohës. Prania e autorit gjatë këtyre ngjarjeve që përshkojnë periudhën e gjatë të tranzicionit në Shqipëri, ka bërë të mundur që përmbledhjet të vijnë me një frymë realiste, duke sjellë bashkë me faktet një pjesë të mirë të përjetuar prej tij.

Përshtypjet e dikujt, i cili mund të dëshmojë që në gjenezë periudhën e tranzicionit, përbëjnë kështu një dëshmi unike të kësaj periudhe për lexuesin. Në vitin 2012 vjen një tjetër vepër; “Në kërkim të zgjedhjeve të humbura”, pjesë e së njëjtës kolanë. Të dy këta libra tashmë të botuar, rrëfejnë për “Shqipërinë e tranzicionit” dhe atë të pas viteve 2000, ndoshta qëllimisht për t’u mbyllur me atë që duhet të ishte hapja e kësaj historie 24-vjeçare, viti i brishtë 1990. Viti ku filloi gjithçka. Viti ku Shqipërisë nuk i ishin tharë ende mirë “lotët” e vdekjes së diktatorit e ku kryetari i ri Ramiz Alia, një vazhdues besnik i stereotipeve komuniste, ishte gjendur në kohën dhe vendin e gabuar sepse mesa duket, regjimi ishte në grahmat e fundit. Protestat e studentëve të nëntorit, intelektualëve dhe njerëzve të thjeshtë ishin bërë një zë tashmë i fortë që dashje padashje do të përcaktonin rrjedhën e ngjarjeve në vazhdim…

Intervistoi: Silvi Bakiri

Çfarë përfaqëson për ju libri “Fillimet” në raport me librat e tjerë të zhanrit politik?prec zogajNë raport me librat e tjerë që siç e dini, ndjekin rendin kronologjik të ngjarjeve nga një periudhë në tjetrën, “Fillimet” është libri i parë që shkruhet dhe botohet i fundit. Kam nisur të shkruaj ese politike në vitin 1996, duke marrë shtytje nga zgjedhjet politike të atij viti dhe kam vazhduar deri në vitin 2012. Mungonte libri i fillimeve, i ngjarjeve të periudhës 1990-1992, në të cilat, sipas meje, është plazmuar njëzetvjeçari që jetuam më pas. “Fillimet” është ky libër.

Libri ka trembëdhjetë kapituj, një hyrje dhe një “në vend të mbylljes”. Çfarë është lënda e tij? Janë kujtime, dëshmi, histori, apo refleksione? Çfarë?

Çdo ngjarje e jetuar, posaqë shkruhet pasi ka ndodhur, qoftë edhe po të ketë ndodhur dje, është kujtim, në fund të fundit. Por as që më ka shkuar në mendje të shkruaj kujtime. Në këtë libër, sikurse në librat e tjerë të së njëjtës kolanë, ka dëshmi, ka episode, ka kronikë, ka histori për aq sa mund të precipitojë histori nga shoshitja në kohë e dëshmive. Ka padyshim refleksione që tentojnë të përtojnë kuptime dhe mendime të caktuara rreth një përvoje të caktuar. Reflektimet janë ato që i “sjellin” në aktualitet ngjarjet e dikurshme.

A mund të themi se kemi në këtë libër një histori më të sistemuar të ngjarjeve të startit të demokracisë së re shqiptare?

Ngjarje ka shumë, por nuk pretendoj se janë të gjitha këtu. Nuk më shkon mendja. Nga ana tjetër, dua të nënvizoj se unë nuk jam historian, as i kam vënë vetes për qëllim të ulem e të shkruaj një libër historik. Jam një shkrimtar dhe publicist që ka qëlluar të jetë edhe pjesëmarrës në disa prej ngjarjeve më të rëndësishme politike të viteve nëntëdhjetë dhe më vonë. “Fillimet” është thjesht libri im, nuk është historia e fillimeve. Janë shkruar disa libra për vitet nëntëdhjetë. Sekush ka shkruar librin e tij, por edhe sikur t’i shkrinim në një libër të vetëm gjithë librat e botuar nuk mund të themi se kjo është historia. Deviza e shkrimtarit është e vërteta për ngjarjet që fut në libër, jo tërësia e tyre.

Cili mendon se është raporti midis ngjarjeve të jetuara dhe ngjarjeve të hulumtuara në librin tuaj?

Ndoshta pesëdhjetë me pesëdhjetë? Eh, nuk e kam bërë në fakt këtë llogari. Ka ngjarje, episode dhe fakte që i kam marrë nga dëshmitarë dhe autorë të tjerë, nga konsultimi i dokumentacionit të ruajtur në arkiva privatë, partiakë apo të shtetit. Tabloja do të ishte e mangët dhe e varfër nëse do të mbështetej vetëm mbi çfarë kam parë unë.

Libri nis me ngjarjet e vitit 1990 në Shqipëri, vit ky që kishte pasuar rënien e Murit të Berlinit? Cilat janë momentet kyç që përcaktuan të ardhmen e vendit në atë kohë?

Në rrafshin ndërkombëtar janë përmbysjet në Europën ish-komuniste. Në planin e brendshëm mendoj se si momente kulmore, flas gjithnjë për vitin 1990, janë tentativa e një grupi shkodranësh për të rrëzuar bustin e Stalinit në lulishten kryesore të qytetit të tyre, protestat dhe demonstratat e qytetarëve të Kavajës, ngjarjet e ambasadave, disa intervista, shkrime dhe qëndrime të reja të intelektualëve dhe krijuesve të avanguardës, ku veçohen për rrezen e re të guximit në kontekstin e kohës dhe për impaktin e madh në publik artikulli i profesor Ylli Popës “Në kërkim të kohës së humbur”, intervistat e Ismail Kadaresë dhe Sali Berishës, dhënë përkatësisht gazetave “Zëri i rinisë” dhe “Drita”; ikja e Kadaresë në muajin tetor, konferenca letrare e Korçës në fillim të muajit nëntor, aktet e rebelimit në Institutin e Lartë të Arteve, për të mbërritur te ngjarja më madhore, Lëvizja studentore e dhjetorit 1990.

Çfarë nënkuptoni saktësisht kur e quani Shqipërinë e asaj periudhe as Lindje, as Perëndim?

Deri në vitin 1990 Shqipëria në fakt kishte qenë Lindje, sa i takon sistemit. Komuniste si Rumania, Bullgaria e tjerë. Ashtu edhe ishte mbajtur në këmbë. Në vitin 1990, me rënien e komunizmit në Europë, Shqipëria ishte për herë të parë në historinë e saj realisht as Lindje, as Perëndim. Vetmia e saj kishte dalë e pritej të dilte në pah si asnjëherë tjetër, një vetmi në sytë e mbarë botës, që ka qenë më e rralla e vetmive. Vendi më i mbyllur, më i braktisur dhe më i harruar i Europës, doli papritur në pahun e kohës si guri i fundit i dominosë në lojën e madhe të përmbysjeve demokratike, duke tërhequr mbi vete një vëmendje të panjohur më parë.

Çfarë i bashkon dhe i ndan më së shumti këta tre emra: Azem Hajdari, Eduard Selami dhe Sali Berisha?

Po përpiqem të kuptoj cili mund të ishte interesi publik për përgjigjen e kësaj pyetjeje. Të tre, Azemi, Berisha dhe Selami janë personazhe të një protagonizmi që nuk është i njëjtë dhe kanë secili vendin e vet, besoj të merituar, në librin tim. Ata dhe themeluesit e tjerë besoj se i kishte lidhur ëndrra e demokracisë. Azemi ishte një tribun dhe më kujtonte gjithnjë një përcaktim që kam lexuar diku për heroin, që ka diçka irracionale në besimin dhe guximin e tij për të hapur rrugën. Ishte një njeri i pambledhshëm në kornizën e partishmërisë. Ai konkurronte sipas meje në sfera të tjera, për sfida të tjera më popullore, më të epërme, që nuk kishin lidhje me jetën e partisë në atë kuptimin që kishte ngulitur doktrina puniste e partisë mbi të gjitha. Në këto sfera ma merr mendja se e kishte vetëdijen e të qenit unik, i pazëvendësueshëm. Berisha ishte projektimi i liderit politik prej kohës, formimit dhe natyrës së tij. Eduardi ka spikatur me moderacionin dhe finesën. Në libër këto skicime lexuesi i gjen më të zhvilluara.

Në libër rrëfeni për një takim të Berishës, Hajdarit, Selamit dhe tuajit me Ramiz Alinë një natë përpara demonstratës që çoi në rrëzimin e monumentit të Enver Hoxhës në qendër të Tiranës. Një ditë që sot konsiderohet në mënyrë simbolike si “shpartallimi” përfundimtar i imazhit të paprekshëm të diktatorit Hoxha. Çfarë ndikimi pati PD dhe zoti Berisha në gjithë këtë ngjarje?

Delegacioni i PD-së qe thirrur në takim nga Presidenti i kohës, Alia, për të diskutuar situatën e krijuar në vend nga greva e urisë e studentëve që kërkonin heqjen e emrit të Enber Hoxhës universitetit. PD i mbështeste studentët, por rrëzimi i monumentit dhe heqja e emrit të Enver Hoxhës ka qenë vepër e studentëve grevistë, e sindikatave të pavarura, e qytetarëve të lirë dhe antikomunistë të Tiranës, ku janë shquar si protagonistë grupi i ish të përndjekurve politikë të rrugës së Kavajës dhe disa individë të tjerë që guxuan më shumë se të tjerët. Kjo ngjarje e madhe është trajtuar me hollësi në librin tim, duke e zhvendosur “ fokusin” sa në shesh, sa në Komitetin Qendror.

Në libër gjithashtu përmendet edhe momenti i ardhjes për herë të parë në Shqipëri i Sekretarit të Shtetit amerikan, Xhejms Bejker. Ju madje e quani këtë çast si shfaqjen më madhështore proamerikane të bërë ndonjëherë. Kur i riktheheni sot: ai çast u glorifikua nga etja e shqiptarëve për liri, apo sepse pati vërtet rëndësi strategjike në fatet e vendit?

Nga të dyja. Shqiptarët u kthen në aleancën e tyre natyrale gjeostrategjike. Ende e kam parasysh momentin kur në shoqërinë e kryeministrit Ylli Bufi, Xhejms Bejker u ngjit në tribunën e ngritur para monumentit të Gjergj Kastriotit-Skënderbeu dhe prej aty, përballë detit njerëzor që valëzonte deri në thellësi të bulevardit dhe rrugicave, i drejtoi Shqipërisë fjalët e paharrueshme “mirësevjen në familjen e kombeve të lira”. Akoma më rrënqethet mishi kur e kujtoj. Nuk ishim ne që po prisnim Amerikën, ishte Amerika që kishte zbritur në Tiranë dhe po na uronte mirëseardhjen. Nga gjithë një pështjellim pamundësie për të dhënë diçka të denjë në shkëmbim, kisha ngushëllimin e vogël të kisha marrë pjesë në përgatitjen e fjalës që do të mbante në atë miting madhështor kryeministri Ylli Bufi. Kur ishim ulur për të shkruar fjalimin, edhe pse të vetëdijshëm për rëndësinë historike të vizitës së Sekretarit të Shtetit, nuk e kishim imagjinuar dot gjithë atë masë të stërmadhe njerëzish dhe atë shpërthim të jashtëzakonshëm të mikpritjes popullore në sheshin “Skënderbej”. Më pat pushtuar një frikë se mos fjalimi do të stononte me muzikën madhështore të sheshit, por kur dëgjova kryeministrin, kuptova se kishim qenë në një gjatësi vale me bashkatdhetarët tanë dhe kishim kapur nga zyrat tona akordet e ndjeshmërisë popullore..

Ftohja me z. Berisha është një moment që ka ngjallur gjithnjë shumë debat. I kujt ishte vendimi për t’u shkëputur? A ishte ky vendim i shtrirë në kohë?

Me Berishën kemi hyrë pothuajse njëkohësisht në Lëvizjen e Dhjetorit. Jemi takuar në një mbledhje shumë të rëndësishme të shtabit studentor me një delegacion të Ramiz Alisë në datën 10 dhjetor në mbrëmje. Mua më kishin ftuar Azem Hajdari dhe Shenasi Rama. Berishën e kishte ftuar Azemi gjithashtu. Në korridorin e godinës ku ishte lënë të zhvillohej mbledhja mbërritëm pothuajse në një kohë. U takuam përzemërsisht, pa habi, si të ishim marrë vesh me kohë për t’u takuar në atë start apo udhëkryq të historisë së re. Njiheshim prej disa vitesh. Unë e kam mbështetur atë për t’u bërë kryetar i PD-së. Momenti i parë i thyerjes erdhi kur ai më kërkoi të shkarkoja F. Çupin pas një interviste që ky i fundit i kishte dhënë një gazetari nga Kosova për gazetën “Koha jonë”. Ka qenë fillimi i muajit gusht 1991, Çupi punonte drejtor i QNK-së, Berisha ishte lënduar jo pa të drejtë, por unë kisha disa arsye etike për të refuzuar kërkesën e tij. Folëm në telefon shumë gjatë dhe si përfundim, më tha ndershmërisht se nuk do të kisha më mbështetjen e tij. Pastaj erdhi Kuvendi i parë i PD-së, ai u ngrit nga llozha dhe erdhi në foltore për të replikuar me mua, e kështu me radhë.

“Fillimet që jetuam gjatë” shkruani diku. A vazhdojnë akoma fillimet?

Shqipëria është sot përpara përfytyrimeve që kam patur unë dhe miqtë e mi të ngushtë në dhjetor të vitit 1990 për të ardhmen e saj pas njëzet vjetësh, fjala vjen. Por disa gjëra kanë mbetur siç kanë qenë ose janë përkeqësuar. Manipulimi i zgjedhjeve është akoma problem i madh në tapet, nëna e gjithë të këqijave, që na ka privuar nga shija e të jetuarit në atë që duhet të jetë mrekullia e zgjedhjeve të lira e të ndershme, pa të cilat nuk ia vlen të jetohet, siç ka thënë Izajak Berlin. Po na shkon jeta pa i jetuar. Tjetër! Është e njëjta gjuhë e ashpër e politikanëve në tribuna dhe ekrane, e njëjta mungesë e lëmimit dhe etikës së përsosur nëpër shekuj që do të lejonte bisedën, e njëjta traditë për t’u ujitur si lule të zeza në saksi të zeza me lajmet e këqija për kundërshtarin politik edhe kur lajmet janë shpifje, e njëjta pamundësi për t’u shprehur me respekt për kundërshtarin, për të kërkuar kompromis në emër të së mirës së përbashkët apo thjesht për të biseduar me të pa bindjen e brendshme se kundërshtari është një mashtrues cinik, e njëjta mungesë totale e përpjekjes për të kuptuar arsyet e tij dhe për të gjetur diçka të pranueshme në to, por vetëm tentativë për ta asgjësuar atë, e njëjta mosmarrëveshje për tema dhe çështje që nuk e përligjin mosmarrëveshjen, i njëjti acar, e njëjta ndërprerje e komunikimit dhe bashkëpunimit, e njëjta tërheqje në llogoret dhe bunkerët e konfliktualitetit dhe luftës së ftohtë, të njëjtat tema në shqyrtim, të njëjtat trajtime, të njëjtat tone, të njëjtat grimasa që gjuha nuk ka fuqi t’i shprehë, të njëjtat fytyra të klonuara të padijes, dinakërisë dhe lëbyrjes, që duket qartë se kanë bërë e po bëjnë lekë me këtë zanat, e njëjta vështirësi për të pranuar ndarjen e pushteteve dhe kufizimin e fushës së veprimit të politikës, e njëjta histori me të shkuarën që nuk mbetet asnjëherë prapa por u del kurdoherë përpara aktorëve politikë të radhës… A nuk është kështu? Kemi bërë zgjedhje të mira në vitin 2013, kemi patur një rotacion normal të pushtetit, por sot, një vit pas ardhjes në pushtet të koalicionit Rama-Meta, shumica dhe opozita janë në krizën më të rëndë të komunikimit dhe bashkëpunimit. Sërish e sërish, siç ka ndodhur gjatë 23 viteve të hapjes dhe siç ka pas ndodhur edhe më parë në komunizëm dhe në parakomunizëm, tradita e klaneve, kioskave dhe bajraqeve politike vazhdon ta mundë përpjekjen për një shoqëri të hapur e të drejtë, politika në plan të parë vazhdon ta mundë lirinë në plan të parë, sundimi i parisë vazhdon ta mundë sundimin e ligjit, sektarja vazhdon ta mundë liberalen, partishmëria vazhdon ta mundë intelektualen…

A ka zgjidhje, a ka rrugëdalje, sipas jush? Ç’duhet të bëjnë intelektualët?

Duke referuar një situate të përafërt në Poloninë e tij dhe duke shtruar të njëjtën pyetje, eseisti i madh polak Adam Michnik ka përdorur një përgjigje, që meriton të ripërdoret e “të vidhet”. “Me ç’duket, në situatën e sotme inteligjenca ka tri rrugë për të zgjedhur: bashkëfajësinë, frikën ose sakrificën. Ekziston ndoshta edhe një rrugë e katërt: të mos tradhtohet disiplina shpirtërore individuale në momentet më të vështira dhe nën kurrfarë presioni. A mund ta ndihmojmë njëfarësoj botën? Sikur ta dija se nuk mundemi, do t’i kisha dorëzuar armët dhe do të trishtohesha, por ja që e ndjej se ka ende për të fituar apo humbur”.

Ka ende për të fituar apo humbur…

Më Shumë

Sot votohet për shkarkimin e kryetarëve në katër komunat në veri

Sot në katër komunat në veri të vendit do të votohet për ose kundër shkarkimit të kryetarëve shqiptarë në këto komunat. Komunat që do të...

SBAShK paralajmëron protestë më 1 maj

  Sindikata e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK) ka bërë të ditur se me 1 maj do të ketë protestë të punëtorëve të arsimit. Në njoftimin...

Lajmet e Fundit