11.8 C
Prizren
E premte, 26 Prill, 2024

Duda Balje nuk e pranon fajësinë

Të premten në Gjykatën Themelore në Prizren u mbajt shqyrtimi gjyqësor ndaj deputetes Duda Balje pasi janë vërejtur mospërputhje ndërmjet të ardhurave që ka deklaruar dhe atyre që ka marrë si deputete e Kuvendit të Kosovës.

Prokurorja e Shtetit Sahide Sefa, tha se e akuzuara Duda Balje nuk ka paraqitur të dhënat e sakta në formularin e Agjencisë Kundër Korrupsion për deklarimin e pasurisë për zyrtarët shtetëror.

“E Akuzuara paraqet vetëm rrogën bazë si deputete, në shumën prej 17 mijë e 856 euro, ndërsa në bazë të dhënave të Kuvendit të Kosovës është konstatuar se të hyrat vjetore si deputete janë 25 mijë e 327.19 euro, që do të thotë se diferenca e mosdeklarimit të pasurisë është 6 mijë e 471.19 euro, me këto veprime deputetja ka kryer veprën penale, mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë pasurore dhe detyrimeve financiare”, tha prokurorja Sefa.

Pas konsultimit me avokatin mbrojtës, e akuzuara Duda Balje nuk pranoi fajësinë për veprën penale me të cilën e ngarkon Prokuroria e Shtetit.

Në fjalën hyrëse, prokurorja Sefa, tha se me dëgjimin e dëshmitarit nga Agjencia Kundër Korrupsion, Gani Nikçi, do të vërtetohet se Duda Balje ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.

Ndërsa avokati i Duda Baljes, Ruzhdi Berisha, në fjalën hyrëse tha se në rastin konkret nuk ka ekzistuar elementi i dashjes dhe se kjo vepër është bërë nga mosdija.

“Të gjitha të ardhurat i ka realizuar si deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës nëpërmjet të xhirollogarisë së saj, që nënkupton se ato kanë qenë botërisht të njohura për çdokënd që ka qenë i interesuar. Mosparaqitja e një pjese nga veprimtaria në komision është bërë nga mos dija dhe konsiderojmë se në bazë të provave të propozuara do të vërtetohet pafajësia e klientit tim”, tha avokati Berisha.

Të premten dëshminë e dha edhe dëshmitari nga AKK, Gani Nikçi. Në dëshminë e tij, ai tha se Agjencia pas kontrollit të plotë të formularit të deklarimit të pasurisë së Duda Baljes, ka gjetur të dhëna jo të sakta dhe se diferenca ndërmjet deklarimit të asaj që është gjetur është 6 mijë e 471.19 euro.

Ndërsa dëshmitarët e mbrojtjes Enis Kervan dhe Rasim Demiri, deklaruan se kishin qenë së bashku me deputeten Duda Balje, në ditën e plotësimit të formularëve.

Ish- deputeti nga komuniteti turk Enis Kervan, tha se kanë pasur diferenca në pagë nga muaji në muaj, varësisht nga pjesëmarrja në komisione dhe se në këtë drejtim tha se kanë pasur probleme edhe në marrje të informatave nga Sekretaria e Kuvendit.

Ndërsa dëshmitari Rasim Demiri, nga komuniteti Boshnjak, që aktualisht mban pozitën e ministrit pa portofol, tha se edhe sot dhe çdo herë tjetër do të deklarojë se ka qenë një gabim i pastër, i rastit të deputetes Duda Balje.

Seanca e radhës ku do të bëhet administrimi i provave dhe do të jepet fjala përfundimtare e palëve, do të mbahet më 24 prill 2015.

Prokuroria e Shtetit ngarkon Baljen për kryerje të veprës penale mosraportim, ose raportim të rremë të pasurisë, të të ardhurave, dhuratave, dobisë tjetër materiale, ose detyrimeve financiare, vepër kjo e dënueshme sipas Kodit Penal të Kosovës me gjobë dhe burgim prej 6 muajve deri në 5 vjet.

Deputetja Balje, sipas aktakuzës së Prokurorisë së Shtetit, akuzohet se më datën 28 mars 2013 në kohë të papërcaktuar në Agjencinë Kundër Korrupsion në Prishtinë në cilësinë e zyrtarit të lartë publik në formularin për deklarimin e pasurisë ka qenë e detyruar të bëjë deklarimin e pasurisë dhe nuk ka paraqitur të dhënat e kërkuara në deklaratë.

Duda Balje, ka paraqitur vetëm pagën bazë si deputete në shumën prej 17 mijë e 856 euro, ndërsa në bazë të të dhënave të Kuvendit të Kosovës është konstatuar se të hyrat vjetore nga Kuvendi për deputeten Duda Balje janë 24 mijë e 327 e 19 euro.

Diferenca e mosdeklarimit të pasurisë është 6 mijë e 471 e 19 euro, diferencë të cilën deputetja Balje e merr për pjesëmarrje në seancat dhe mbledhjet e komisioneve parlamentare./kallxo.com/

Më Shumë

Ndërron jetë ish-futbollisti i Lirisë së Prizrenit, Xhemajli Gashi

Ka ndërruar jetë Xhemajli Gashi, ish-futbollist i njohur i Lirisë së Prizrenit. Ai ka lënë gjurmë të thella në komunitetin sportiv të qytetit. Xhemajli Gashi ka...

Policia në Prizren mbajti ligjëratë në shkolla mbi temën “Dhuna në Familje”

Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren, në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë në Bashkësi dhe Parandalim-DPP/Prishtinë, zbatuan Strategjinë e Inteligjencës dhe Policisë në Bashkësi. Në...

Lajmet e Fundit